Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit. –
Restauruesit e ikonave nxjerrin në dritë ‘thesaret e fjetura’ të Beratit. –
“Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” janë dy ikona me autorë vëllezërit Çetiri që i përkasin shekullit të XVIII, të cilat janë duke u restauruar në Laboratorin e Restaurimit të Veprave të Artit dhe më pas do të jenë pjesë e fondit të pavionit “Thesare të fjetura” në Muzeun Kombëtar Ikonografik Onufri në Berat.
Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku gjatë restaurimit të dy ikonave “Profeti Ilia” dhe “Hyrja në Jeruzalem” në muzeun Onufri të Beratit. Foto:Eriola Azizolli.
Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku janë të përqendruar, me vështrimin e ngulitur mprehtë mbi dy ikonat që i kanë vënë në tavolinat e punës pranë një dyzine shishesh me dezinfektantë, vegla dhe lëndë të tjera që i japin jetë punës së tyre restauruese. Ata janë kërrusuar prej disa muajsh mbi tavolinën e punës si “mjekët në një operacion zemre” mbi dy ikona të shekullit të XVIII të venitura prej kohës, por dalëngadalë pamja dhe ngjyrat në dy pikturat kishtare kanë filluar të bëhen sërish të qarta.
Të pikturuara nga ikonografët e familjes Çetiri, ikonat “Profeti Ilia” dhe ‘Hyrja në Jeruzalem” do i shtohen në fund të restaurimit ekspozitës “Thesaret e fjetura”, në katin e dytë të Muzeut Onufri në Berat.
Ekspozita qe një nismë e drejtorit të Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat (QKMB) Agron Polovina, i cili vendosi në vitin 2014 të nxirrte nga magazinat ku ruheshin disa nga veprat e harruara të artit kishtar të Beratit për t’i ekspozuar ato.
Polovina, me profesion piktor-restaurues shprehet se fillimisht janë identifikuar 15 ikona që ishin restauruar dhe u ekspozuan në një prej kishave të qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) që realizon edhe restaurimet. Më pas u vendos të kthehej në një ekspozitë të përhershme, e cila pasurohet vazhdimisht në varësi të restaurimeve.
Deri tani aty janë ekspozuar 20 objekte dhe ikona të realizuara rreth shekujve XVI – XIX, të cilat kanë për autorë ikonografë të njohur si Nikolla (i biri i Onufrit), Onufër Qiprioti apo familjen Çetiri. Në ekspozitë janë dhe disa ikona nga autorë të paidentifikuar. Ndër to shumë e vlerësuar është ikona e “Krishtit të gjit
hpushtetshëm” e shek XVI- XVII, e marrë nga kisha e “Shën Todrit”në kala.
Restaurimi shpëton veprat
Koha që merr puna për të restauruar një ikonë, sipas dy specialistëve të Laboratorit dhe Restaurimit të Veprave të Artit pranë Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare (DRKK) në Berat, varet nga dimesionet që ajo ka, por edhe nga shkalla e dëmtimit.
“Për një ikonë që është pjesërisht e dëmtuar restaurimi shkon deri në tre muaj, ndërsa për një ikonë me shkallë më të lartë dëmtimi shkon edhe një vit,” tha Altin Tabaku, i cili është gati në të përfunduar me restaurimin e ikonës “Profeti Ilia”, ngjyrat e së cilës ishin zbehur nga vitet. “Ikona duhet t’i nënshtrohet një restaurimi sepse i ishte dekompozuara verniku gjatë viteve,” tha Tabaku.
Ai shton se çdo proces kalon një procedurë burokratike të domosdoshme. Kërkohet një miratim nga Këshilli Shkencor dhe më pas në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve.
“Fillimisht bëhet konsolidimi total i jashtëm, për të parë nëse ka shkëputje, bëhet konsolidimi i shtresës së pelikulës, e cila është piktura dhe më pas kalohet në procesin e dezinfektimit, për të parë nëse ka insekte që mund ta dëmtojnë drurin dhe faktikisht në këtë rast, me këtë ikonë kemi të bëjmë edhe me dëmtim nga insektet,” shpjegoi Tabaku, duke treguar hapat e restaurimit.
Tabaku është i vetëdijshëm se vepra që ka në duar ka vlera të papërsëritshme. Ai thotë se ikona ishte gjetur në një nga kishat e qytetit dhe nuk kishte qenë në gjendje të keqe, por kishte dëmtim dhe degradim të vernikut.
“Puna ime është që të bëj një ndërhyrje të kujdesshme, por pa e dëmtuar ikonën,” shprehet ai.
I ulur në krah me kolegun Tabaku, specialisti tjetër Miltiadh Bibo është duke punuar me “Hyrjen në Jeruzalem”, e cila ka përfunduar në fondin e monumenteve pasi u zbulua gjithashtu në një kishë të zonës së Beratit. Bibo thotë se kishte kryer gjithashtu një pjesë të procesit të restaurimit. “Tani jam duke bërë pastrimin e vernikut të degraduar,” shpjegoi ai.
Për drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, Eugen Kallfani është e rëndësishme që puna restauruese të ecë paralel me punën për mbrojtjen e trashëgimisë.
“Nuk bëhet fjalë për investime që kërkojnë ndërhyrje të mëdha, sepse këto restuarime nuk kërkojnë kosto të papërballueshme. Por është një punë që kërkon profesionalizëm tepër të lartë, kërkon miratim nga instancat më të larta nga Këshilli Kombëtar i Restaurimit – nga Këshilli Shkencor pranë Institutit të Monumenteve,” tha Kallfani, duke shpjeguar se restaurimi edhe pse i ngadaltë, ia kishte dalë të shpëtonte një pjesë të mirë të ikonave të Beratit.
Por ndërsa deri më tani puna e restauruesve ishte t’i pastronin ikonat dhe t’i rehabilitonin ato për t’i çuar sërish në konservim në magazina, prej vitit 2014 ikonat e restauruara u prezantohen vizitorëve në muze, pas një marrëveshje mes QKMB dhe DRKK.