Rezervat e shtetit, bosh, KLSH: – Nuk ka grurë, asnjë litër ujë e karburant
13 Tetor 2023
Në rezervat e shtetit në fund të vitit të shkuar nuk pati asnjë kilogram grurë dhe asnjë litër ujë e karburant.
Në një raport auditi me titull “Rezervat materiale të shtetit në shërbim të qytetarit”, Kontrolli i Lartë i Shtetit tregon se ndonëse sasia minimale rezervë e grurit duhej të ishte 300 tonë, karburantit 100 mijë litra dhe ujit 3 mijë litra, në magazina nuk kishte asnjë nga këto produkte.
“Kjo do të thotë se për të përballuar emergjencat civile, kombëtare apo të çdo lloji që mund të na lindin ne duhet të kërkojmë ndihmën nga vendet e Rajonit, BE apo madje edhe SHBA”, u shpreh ekspertja Eriola Hoxha.
Ndërkohë sasia e sheqerit, orizit, makaronave dhe fasuleve të gjetura në magazina nga KLSH rezulton të jetë sa gjysma e sasisë minimale të nevojshme për t’u pasur si rezervë.
“Biem dakord se kur ka kriza ndërkombëtare do kërkojmë ndihmë, por kur ato janë të brendshme duhet të jemi ne që të bëjmë administrimit. Pra t’i japim kuptim rezervave shtetërore”, shtoi Hoxha.
Sipas Kontrollit të Shtetit kjo gjendje e krijuar në rezervat e shtetit ka ardhur kryesisht si pasojë e mbivendosjes së kompetencave mes institucioneve që administrojnë Rezervat Shtetërore.
“Duke mos u ndarë rolet dhe përgjegjësisë sipas drejtorive përkatëse ne na humbet vizioni i administrimit të rezervave materiale të shtetit, aq të nevojshme për popullatën”, përfundoi ekspertja.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nga kontrollet e kryera nxjerr në pah gjithashtu se përveç se nuk inventarizohen, në rezervat materiale nuk kryhen analiza mbi cilësinë dhe sasinë kur produktet blihen nga furnitorët.
Gazeta Dita