Rezistenca për Teatrin Kombëtar, Maks Velo: Teatri mund të restaurohet në mënyrë perfekte. –

Oborri i Teatrit Kombëtar është shndërruar në një agorë, ku mbahen prej javësh, çdo ditë ligjërata nga qytetarë, aktorë, inxhinierë, juristë e intelektualë të fushave të ndryshme. Duket se kulminacionin e ka shënuar dalja publike e Maks Velos, jo vetëm kur foli nga studio televizive, por kur mbërriti në sheshin e Teatrit. Fjala e shkrimtarit, arkitektit e piktorit pritej prej ditësh, duke u deklaruar qartë e prerë se Teatri mund të rikonstruktohet në mënyrë perfekte. Ndryshe nga zërat e arkitektëve dhe inxhinierëve që kanë ardhur nga jashtë teatrit, sidomos ata që dolën në dëgjesën publike me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku u deklarua se teatri është jashtë funksionit, e duhej rrafshuar, të tjerë deklarata janë thënë në agorën e Teatrit.

Ndaj mbërritja një ditë më parë e Maks Velos në oborrin e Teatrit është pritur me entuziazëm nga aktorët, që janë në protestë, prej muajit shkurt kur ishte fjala për shembjen e teatrit, dhe që prej ditës kur u hartua projektligji i jashtëzakonshëm për “zhvillimin e zonës” ku ndodhet dhe Teatri, që parashikonte dhënien për ndërtim të një kompanie private, aktorët janë çdo ditë në truallin e tij, duke kundërshtuar me forcë këtë draft, dhe kërkuar bllokimin e tij në parlament. Velo është shprehur: “Do prek tre gjëra, e para puna e zjarrit në Teatër është palaçollëk. Është i vetmi institucion që ka një pishinë. Dhe nëse pishina mbushet me ujë shuhet zjarri jo vetëm te teatri por edhe përreth dhe, mjafton që ata të kërkojnë që pishina të jetë e mbushur me ujë. Shikoni sa dyer janë. Pesë. Ai tha s’ka dalje. Nuk ka institucion me aq dyer. Meqë unë kam parë që në shfaqjet e para, të gjithë aktorët. Kam parë Yllkën, Loro Kovaçin, Margarita Xhepën, Luzia Xhuvanin,….të gjithë i kam parë. Por, tani duhet të kuptojmë se ky nuk është teatër, por arti i kombit.

Pse? Sepse këtu ka filluar baleti, opera, ansambli i valleve, ushtrisë…Këtu kam qenë në vitin 1953 kur Mustafa Krantja çeli filarmoninë. Prej këtu, Teatri ishte Kinostudio numër 2 sepse atje ishte vetëm teknika. Gjithë aktorët e filmave ishin të teatrit. Kjo nuk është në vende të tjera. Ne, kishim po ata aktorë, dhe për filmin dhe për teatrin. Prej këtu kanë filluar tre teatrot e rretheve. Edhe sot ata e kanë si tempull Teatrin Kombëtar.

Gjëja tjetër është se ky nuk është Teatër Kombëtar, por ndërkombëtar. Sepse këtu kanë luajtur me dhjetëra regjisorë të huaj që kanë vënë shfaqje, po ashtu skenografë që kanë punuar këtu. Ky është teatër me rëndësi kombëtare, ka qenë qendër e bashkëpunimit ballkanik, gjithmonë. Kjo nuk është vetëm vlera që themi e teatrit tonë kombëtar. Ajo ka krijuar edhe shkollën e dramës, fakulteti i dramës u krijua prej këtu. Në Teatrin Kombëtar ishin klasat e para, këtu jepej mësim. Më pas shkuan në godinën ku janë sot. Kështu vlera e teatrit është shumëdimensionale.

Kjo godinë mund të restaurohet në mënyrë perfekte, dhe të gjitha gjërat që mungojnë mund të bëhen, sepse ne mund të bëjmë ngrohjen prej këtu, dhe ta çojmë ku duhet. Këtu mund të bëhet një kat nëntokë për të përmbushur gjithë mangësitë që ka teatri. Zgjidhja është e lehtë, e mundshme, perfekte”. Në kohën kur polemikat dhe kundërshtimet e teatrit mbajnë në protestë artistë, arkitekti që projektoi godinën moderne, dhe e prezantoi atë personalisht në Tiranë, Bjarke Ingels kërkon të mbyllë diskutimin publik duke thënë se godina ekzistuese e ndërtuar në 1945, si një hapësirë argëtimi për ushtarakët italianë nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar. Një grup gazetarësh nga Tirana biseduan me arkitektin Ingels në Barcelonë ku ai ishte pjesë e një konkursi arkitekture për vendet e Europës, ku Bjarke Ingels ka thënë: “Dy volumet e holla të godinave ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, nuk kanë dimensionet fizike për të mbajtur një audiencë të madhe. Nuk ka hapësira për skenat anësore, çka do të thotë që nuk e ka lirinë për të krijuar larmishmëri në shfaqje, nuk ka lartësinë e mbiskenës, nuk ka një nënskenë: pra teatri nuk ka gjeometrinë për të funksionuar si një Teatër Kombëtar”. Por a mund të rikonstuktohej godina ekzistuese? Arkitekti danez ka thënë: “Ne e studiuam me shume kujdes hapësirën dhe mundësinë e përdorimit të dy godinave ekzistuese, por ato janë jashtëzakonisht të ngushta… Dhe mendoj se me shumë se pyetja a duhen mbajtur apo jo dy godinat e ndërtuara me qëllim argëtimin e ushtarakëve, pyetja është a duhet të ketë qendra e Tiranës një teatër të vërtetë Kombëtar, të projektuar dhe ndërtuar me qëllim që të jetë Teatër Kombëtar”. Për arkitektin Bjarke Ingels Teatri Kombëtar i Shqipërisë do të ndërtohet në kufij të sheshit “Skënderbej”. Është projektuar që e gjithë hapësira funksionale e teatrit, skenat anësore, nënskena, mbiskena, dhe aty ku stafi i teatrit do të përgatisë shfaqjet apo skenarin do të jenë transparente për kalimtarët e rastit që ecin në qendrën e Tiranës. Por, prej ditës kur u shpall shembja e Teatrit, dhe ideja e projektit të ri nga arkitekti danez, shoqata e arkitektëve më herët ka patur një qëndrim publik në shkurt të këtij vitit, duke deklaruar se Teatri është funksional, dhe ekziston mundësia e rikonstruksionit. Në këtë qëndrim publik, arkitektët e organizuar në një shoqatë, SHASH, ndër të tjera për Teatrin e Ri, ka thënë: “A kemi nevojë për një teatër të ri? Absolutisht PO. Ne, më shumë se kushdo, duam të shohim një vepër të bëhet streha e shfaqjeve artistike. Ne, më shumë se kushdo, vlerësojmë të renë e spektakolaren në arkitekturë. Ne, më shumë se kushdo, duam zhvillimin e artit e të arkitekturës. Por ne, më shumë se kushdo, nuk mund të pajtohemi me prishjen e vlerave historiko-arkitektonike të qytetit tonë, të atyre veprave që edhe pse pa shumë vlerë kapitale, mbartin vlerë shpirtërore e më shumë, vlerë të memories së brezave të tërë. Nëse Qeveria do të shpallte se teatrin e ri do ta ndërtojë diku pranë bulevardit të ri, apo në tokat e ish-fushës së aviacionit, apo hapësirat e ish-Kinostudios, a diku gjetkë, pa dyshim që të gjithë do të ishim pro saj e, së bashku me ne, do të shihte gjithë aktorët e artistët ta duartrokisnin e përgëzonin duke ju vënë në krah e jo kundër, për një realizim të shpejtë. Qyteti ynë, tashmë i kthyer në një kryeqytet të përfaqësuar veç nga qendra, apo në një metropol pa pole, ka nevojë të rivitalizojë e t’i japë jetë, të gjallërojë polet e tij. Investimi i duhur e strategjik i bulevardit të ri drejt veriut mund të shoqërohet me krijimin e një poli verior i cili bukur mund të nisë me një teatër modern në qendrën e tij. I vendosur në krah të bulevardit të ri, ai mund të bëhet fillesa e një “La Defense” tiranase për kryeqytetin tonë. Le të ndërtohet aty një teatër i Ri i cili si një qendër e jetës kulturore mund të bëhet thirrës i jetës e i gjallërisë në periferi dhe fillesë e një kompleksi arkitektonik modern, pa cenuar kështu pjesën historike por duke krijuar hapësirë për të “shfryrë” presionin e kapitalit që kërkon të ndërtojë. Duke u ndërtuar në një parcelë me sipërfaqe të bollshme ai mund të projektohet duke përmbushur të gjithë parametrat e një strukture moderne të pakushtëzuar nga njolla e kufizuar e ndërtimit, e cila u tha se do të respektohet nëse teatri i vjetër do të prishet. Të ketë sheshin e parkimin e tij, hapësirat e gjelbra dhe rekreative e pse jo edhe të përfitojë nga një sipërmarrje e tipit PPP me pronarët e truallit, për t’u rritur në madhësi e cilësi”. Duken kontradiktore të gjitha thëniet mbi Teatrin në këtë moment, por artistët vazhdojnë me mbështetjen qytetare të protestojnë në oborrin e Teatrit, që duken të pashpërngulshëm prej andej deri në bllokimin e projektligjit që bën ligj shembjen e Teatrit Kombëtar, që dyshohet se mund të miratohet në parlament në seancat e fundit, në korrik! Artistët janë shprehur se do ngujohen, do hyjnë në grevë urie nëse ndodh kjo.

25/06/2018,