Rikthehen protestat para kryeministrisë. – “Kush mbjell uri, do korrë revoltë”.
Rikthehen protestat para kryeministrisë. – “Kush mbjell uri, do korrë revoltë”.
29 Mars 2022
Janë rikthyer protestat kundër rritjes së çmimeve këtë të martë (29 mars) para kryeministrisë.
Qytetarët mbanin në duar një banderolë e cila shkruante: “Kush mbjell uri, do korrë revoltë.”
Gazetari Isa Myzyraj informon se kjo është protesta e nëntë e cila po mbahet para kryeministrisë. Protestuesit e pezulluan për disa ditë protestën por duke parë disa nga vendimet e qeverisë dhe Këshillit të rezistencës sociale për çmimin e naftës janë mbledhur sërish sot.
“Tani po ankohemi për këtë regjim. Nuk e kuptoni që dhe Kushtetuta është kthyer në manifest partie ku gjithë fuqinë e ka vetëm kryeministri? Me një vendim të Këshillit të Ministrave bëhet çdo gjë, dilet mbi Parlamentin, mbi Presidentin, mbi popullin. Kushtetuta duhet të përfaqësoje vetëm moralin tonë dhe jo dëshirat e tekat e një kryeministri. Ngritja e çmimeve është pasojë e këtij sistemi të centralizuar. Pika kyçe është ndryshimi i sistemit”, tha një qytetare.
Ata kanë bërë thirrje të vazhdueshme për qeverinë që të ndërhyjë në treg pasi masat e ndërmarra nga qeveria deri në këto momente i konsiderojnë si joreale dhe që nuk ndihmojnë vërtet familjet të cilat janë në nevojë.
Nga OraNews