Rikthehet kriza e punonjësve ne Shqiperi. – Dështon mbulimi i nevojave me punonjës nga Bangladeshi. Kompanitë po i drejtohen…
Rikthehet kriza e punonjësve ne Shqiperi. – Dështon mbulimi i nevojave me punonjës nga Bangladeshi. Kompanitë po i drejtohen…
5 Dhjetor 2021
Kërkesa pas pandemisë për mallra dhe shërbime po rikthen krizën për punonjës në fabrikat shqiptare dhe në përgjithësi, në të gjithë sektorët e ekonomisë. Industria fason dhe ajo ushqimore po përballen me kërkesë më të lartë për mallra se në vitin 2019, ndërkohë që punonjësit në dispozicion janë në nivel më të ulët se në vitin 2019. Dështon mbulimi i nevojave me punonjës nga Bangladeshi. Kompanitë po i drejtohen inovacionit dhe rritjes profesionale të punonjësve ekzistues. Tendencat e emigracionit pas pandemisë po shtohen si rrjedhojë e kërkesës në rritje nga vendet e zhvilluara sidomos Gjermania. Sinjale negative nga të rinjtë: 83% e tyre e konsiderojnë emigracionin si mundësi për punësim më të mirë
Muajt e fundit, fabrika e prodhimit të këpucëve “Prodyn” po përballet me një kërkesë të pazakontë nga klientët europianë, e cila nuk po përballohet për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Eva Laro, aksiorere dhe administratore e saj, tha se kërkesa për këpucë e ka kaluar nivelin e vitit normal 2019, por fuqia punëtore në dispozicion është më e ulët se ajo e vitit 2019.
Problematika është e njëjtë në disa industri të prodhimit në vend, të cilat aktualisht kanë mundësi të zgjerohen, duke përfituar nga kërkesa pas pandemisë, por mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në pengesë. Si fabrika “Prodyn” është duke vuajtur i gjithë sektori fason, industria ushqimore, sektori i ndërtimit, transporti etj.
Tregu i punës u zhbalancua nga pandemia Covid-19, kur në disa sektorë si turizmi dhe tregtia pati rritje të pazakontë të papunësisë, si pasojë edhe e vështirësive që bizneset e këtyre aktiviteteve patën nga pandemia. Sektorë të tjerë si aktivitetet teknologjike patën rritje të fortë të ofertës për punë, si pasojë e të punuarit në distancë.
Pandemia pati ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë sektorët sepse si pasojë e infektimeve dhe karantinave të gjata, punonjësit humbën lidhjen me vendet e punës. Por me rikthimin drejt normalitetit, i gjithë globi po përballet për një kërkesë jo të zakontë për mallra, ndërkohë që shumë punonjës kanë refuzuar të kthehen në punë pas pandemisë.
Vështirësitë e furnizimit të vendeve europiane nga Azia po rrisin kërkesën për të prodhuar në Europë e specifikisht në Ballkan dhe në Shqipëri, por vendet nuk po arrijnë të përfitojnë nga kjo mundësi për shkak të normave të larta të emigrimit të fuqisë punëtore.
Kompani europiane, që para pandemisë prodhonin në Vietnam, po i kthejnë fabrikat në Europë, tha zonja Laro, së cilës i është dashur të refuzojë porosi që në një kohë tjetër as nuk mund të imagjinohej.
Alban Zusi, nga Shoqata e Eksportuesve, i cili operon në industrinë ushqimore, nëpërmjet fabrikës INCA, tha se mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem serioz për industrinë e prodhimit. Punonjësit, të cilët specializohen në cikle të veçanta pune dhe përdorimit të pajisjeve, e përdorin këtë përvojë për të emigruar në vende të tjera të Europës, të cilat po liberalizojnë lëvizjen e kapitalit human.
Të njëjtin shqetësim kanë thuajse të gjitha njësitë e prodhimit, por edhe ato të shërbimeve. Shqipërisë kanë nisur t’i mungojnë profesionet elementare si shoferë, zanatçinj, madje edhe punëtorë krahu. A. Metaliaj, i cili operon në sektorin e ndërtimit, pohoi se pas pandemisë ka një mungesë të theksuar për punonjës. “Kam nevojë që nga punonjësi i betonierës deri tek teknikët, shoferët” – thotë ai.
Sektori i ndërtimit është përfshirë në zhvillime të vrullshme vitet e fundit, i nxitur edhe nga rindërtimi pas tërmetit dhe lejet e shumta për banesa në Tiranë. Hajredin Fratari, i cili operon në këtë sektor prej tre dekadash, shprehet se, ka mungesa në të gjitha drejtimet e punës në ndërtim, por sidomos për punonjës të thjeshtë. Mosha mesatare e punonjësve është mbi 50 vjeç dhe përfaqësohet nga të ardhurit në Tiranë pas viteve 1990. Të rinjtë nuk preferojnë të specializohen në profesione elementare, pasi në vend të kësaj, zgjedhin të emigrojnë.
Mungesa e punonjësve po e pengon Shqipërinë të përfitojë nga ndryshimet post-pandemike të zinxhirëve të furnizimit e për rrjedhojë, të kalojë në një hallkë më të lartë të vlerës së shtuar.
Këto zhvillime po shfaqin dy anë pozitive. Bizneset po nxiten të investojnë në teknologji dhe po detyrohen të rrisin pagat për punonjësit pas gati një dekadë vendnumëro dhe po i kushtojnë më shumë vëmendje kapitalit human.
Dinamikat e reja të punësimit
Në fund të tremujorit të dytë, INSTAT raportoi nëpërmjet Anketës së Forcës së Punës se ishin të punësuar rreth 32 mijë punonjës më pak se në tremujorin e vitit 2019. Të dhëna nga anketa tregojnë se hendeku në punësim është i lidhur me rënien e tij në sektorin bujqësor, teksa punësimi i lidhur me bizneset jobujqësore është rritur. Në tremujorin e dytë të vitit 2021, në terma vjetorë, punësimi u rrit me 10,8% në sektorin e industrisë dhe me 3,1% në sektorin e shërbimeve, por u ul me 6,6% në sektorin e bujqësisë.
Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e dytë 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Ndërsa punësimi u rrit me 2,4% në sektorin e industrisë, me 1,1% në sektorin e shërbimeve, dhe 0,2% në sektorin e bujqësisë. Bizneset lajmërojnë se dinamika e punësimit është rritur ndjeshëm edhe në tremujorin e tretë të vitit, si rrjedhojë e rritjes së kapaciteteve të prodhimit.
Sipas treguesve zyrtarë të punësimit, pandemia Covid-19 ka ndikuar kryesisht rezultatet e punësimit tek të rinjtë. Në tremujorin e dytë 2021, në të dhënat zyrtare raportohet se 18,300 të rinj të grupmoshës 15-29 vjeç janë më pak të punësuar. Nga të rinjtë që dolën të papunë, 10 mijë janë kategorizuar si të “dekurajuar” dhe pjesa tjetër, prej më shumë se 8 mijë personash, janë në kërkim të një pune.
Por studimet nga Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare kanë vërejtur se shpesh statistikat zyrtare të punësimit në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor pasqyrojnë ndikimet e emigracionit. Rënia e papunësisë në këto vende vjen kryesisht për shkak të tkurrjes së popullsisë nga emigracioni dhe vendet e lira të punës po plotësohen me shpejtësi nga ata që mbeten.
Rikthehen valët e emigrimit, Europa rrit kërkesën për punonjës
Pandemia Covid-19, e cila nisi si një krizë shëndetësore dhe më pas si një krizë ekonomike, po ringjall trendet e reja të emigracionit. Tendenca po ndihmohet nga rritja e kërkesës për punë nga vendet e zhvilluara si Britani e Madhe dhe Gjermani.
Përfaqësuesit e “Delmon Grup”, një kompani që prodhon pjesë këmbimi për makinat në Shqipëri, pohojnë se disa punonjës që ishin të kualifikuar tashmë ikën në Gjermani. Ata thanë se, në verën e këtij viti, Gjermania i liberalizoi kushtet e emigrimit për punonjësit dhe kjo ka nisur të ndihet edhe në tregun shqiptar.
Vangjel Rula, i cili prodhon me kompaninë “Europa” makineri dhe pajisje për fabrikat tha se, veç të tjerash kompania e tij është si një shkollë për punonjësit. Duke qenë se ciklet e prodhimit janë unike në ofiçinën e tij, z. Rula shprehet se, ka profesorë që përgatitin punonjësit. Por me të fituar zanatin, ata zgjedhin të largohen pasi profesione të tilla janë mjaft të kërkuara në botën e zhvilluar.
Sipas të dhënave të Eurostat, gjatë periudhës janar-korrik 2021 kërkuan azil rreth 5,300 persona, ndërsa në të gjithë vitin 2020 kërkuan azil 9450 persona. Sipas të dhënave nga EASO, zyra europiane e azilantëve, aplikimet për azil në muajin gusht arritën në mbi 1400, me një rritje prej 46% në krahasim me korrikun dhe më shumë se dyfishi në raport me muajin qershor.
Në gusht, aplikimet ishin më të larta dhe se muajt e fundit përpara se të fillonte pandemia, dhjetor 2019 dhe janar e shkurt 2020.
Publikohet me shkurtime
Gazeta Panorama