Rikthehet tradita e operës shqiptare, ngjitet në skenë “Skënderbeu KRYEZOT I ARBËRIT”
7 Maji 2023
Opera solemne “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu KRYEZOT I ARBËRIT” e kompozitorit akademik Vasil Tole, do të ngjitet më 9 maj 2023, në orën 20.00, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Kompozitori Tole e krijoi veprën me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Skëndebeut, për të treguar jetën dhe përjetësinë e Heroit Kombëtar në një vepër që flet shqip.
Motivi i ngjitjes në skenë të kësaj vepre për kompozitorin dhe muzikologun e njohur, Vasil Tole, është që të synohet rikthimi i traditës së operës dhe baletit shqiptar, që për kohë prej më shumë se 35 vjetësh është lënë në harrresë.
Opera “Skënderbeu, kryezot i Arbërit” ka në qendër Jetën dhe Përjetësinë, të cilat marrin shkas nga figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeut, në vitin e 555-vjetorit të ndarjes nga jeta.
Libreti i Operas solemne dhe fryma e kompozimit të saj janë mbështetur mbi disa motive të veprës së njohur të Fan S. Nolit “Skënderbeu – kryezot i Shqipërisë”.
Në thelb opera-solemne është bashkimi i gjinisë së Operas dramatike me Meshën Solemne, pra Opera Selemne. Opera është konceptuar në dy pjesë, dy akte, që i përgjigjen jetës dhe përjetësisë të Gjergj Kastriotit në botën shqiptare, gjegjësisht heroit dhe epokës së Arbërit në shekujt e humanizmit europian dhe të qendresës antiosmane. Këtyre dy pjesëve, që plotësojnë njëra-tjetrën në ndryshim, u vjen për shtat si fjala (narracioni), ashtu dhe regjistri muzikor.
Ka një simetri midis dy pjesëve sa u takon nënndarjeve të tyre: katër arie (jeta) të kënduara nga Skënderbeu në të parën kundrejt 5 koraleve në të dytën (përjetësia). Ndryshimi midis tyre qëndron në raportin individ-epokë, jetë-përjetësi, hero-mit. Në tërësi opera e kapërcen këtë dallim, që është formal dhe konceptual, në pajtim me urtësinë që bart thënia latine et pluribus in unum, një dhe shumë, shumë në një, ose, siç shprehej vetë Fan Noli në një vepër tjetër, veç e tok.
Në pjesën e parë, prej uverturës dhe katër arieve, katër skenash, do të vetëshfaqet heroi: prej frymëzimit hyjnor (Shën Gjergji i shfaqet në ëndërr Gjergjit tonë dhe i jep besimin për fitore); mallit për vendlindjen si një ndjenjë e përjetshme dhe e përgjithshme, që ka zënë vend gjinikues qysh në letërsinë antike greke (Odiseu dhe Itaka); vokacionit dhe motivimit për qëndresë (Embëtha!) dhe konceptit për lirinë (Lirinë nuk jua solla unë).
Në të katër ariet portreti i Skënderbeut do të shfaqet si një figure e shekujve të humanizmit europian, që kishte në qendër Shën Njeriun, me besim në forcën e vet dhe me vullnetin për ta ndërtuar fatin individual dhe të bashkësisë sipas një përfytyrimi të ri. Edhe kjo pjesë vetë nis me individin e mbyllet me bashkësinë, et pluribus in unum: prej ëndrrës së heroit deri tek lirinë e gjeta mes jush.
Pjesa e dytë ndjek modelet e njohura të requiemit/meshes me karakter evokues dhe përshpirtjeje. Përmes pesë pjesëve korale (INTROITUS), KYRIE, SANCTUS, GLORIA, AGNUS DEI), të cilat janë pesë skena të çdo meshe solemne, glorifikohet pasjeta e heroit, që në fakt është fuqia e tij si strumbullar i konvergjencës së popullit që i takon. Shqiptarët i mbajti gjallë figura e Skënderbeut dhe gjuha e Arbërit.
Së bashku të dyja pjesët i japin operas karakter të dyfishtë: heroik dhe solemn. Solisti (nga lat. solus, vetëm) në pjesën e parë është unum, heroi që identifikohet përmes logoseve të tij, të cilat mund të kuptohen edhe si akoluthi. Kori në pjesën e dytë është pluribus, bashkësia, mbijetesa shqiptare ndër shekuj, fryma e heroit në pavdekësi.
Kjo opera bashkon edhe muzikalisht tradicionalen (që do të ketë më shumë vend në aktin e parë, ku do të shpërfaqen motivet mbarë shqiptare) dhe klasiken botërore (në aktin e dytë, ku polifonia e requiem-it ose meshës do të jetë sunduese.
Teksti i kënduar tek ariet do të jetë në gjuhën shqipe, i mbështetur në rrëfimet e Skenderbeut sipas Fan S. Nolit, kurse teksti i kënduar në “Meshën Solemne” do të jetë në latinisht, i mbështetur në traditën e gjithëpranuar muzikore të meshave dhe rekuiemeve.
UVERTURE-INTROITUS-“Daullet e luftës” / ”War drums”
INTROITUS
Aria ëndërr “Shën Gjergji”/ “St. George” Dream Aria
Kyrie
Aria “Malli për atdhe”/ “Homesickness” Aria
Sanctus
Aria “Lirinë s’jua solla unë”/ The “I didn’t bring you your freedom” aria
Gloria
Aria “O burrani, mbi ta”/ The “ForWard, my men!” Aria
Agnus Dei/Finale
Vasil S. Tole u diplomua për kompozicion në Fakultetin e Muzikës, pranë Akademisë së Arteve, në Tiranë, më 1987, në klasën e prof. Kozma Larës.
Mban titullin profesor dhe akademik pas një sërë studimesh dhe doktoraturash në fushën e etnomuzikologjisë: studime pasuniversitare në kompozicion pranë “Folkwang Hochschule”, Essen-Gjermani, në klasën e prof. Wolfgang Hufschmidit si dhe studime pas doktoratës në Departamentin e Muzikologjisë pranë Universitetit të Athinës, Greqi. Karriera e tij kap një gamë të gjerë të një veprimtarie studimore dhe publicistike, me pjesëmarrje në shumë festivale, konferenca dhe tryeza për muzikën në Shqipëri dhe jashtë saj.
Përfaqësues aktiv i brezit të ri të kompozitorëve shqiptarë, Vasil S. Tole është nismëtar i alternativave të reja krijuese dhe si një ndër mbartësit më të vendosur të konceptit të ristrukturimit të lëndës muzikore folklorike shqiptare, në dobi të gjetjes së identitetit dhe risive në muzikën bashkëkohore.
Fitues i disa çmimeve të rëndësishme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, fitues i çmimit të parë të kompozimit “Dimitris Mitropoulos”, Athinë 2001, me operën “Eumenidet”. Pas viteve ’90 bëhet nismëtar i themelimit dhe drejtimit të disa organizmave të rëndësishme muzikore, si: ODEA, Akademi e Artit dhe Trashëgimisë.
Karriera e tij shënon postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë, si dhe ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës. Në vitin 2005, si ekspert i etnomuzikologjisë përgatiti dosjen e polifonisë me iso të Shqipërisë së Jugut, e cila u shpall nga UNESCO si “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit”.
Gazeta Dita