‘Rikthimi’ i Hajrie Rondos në vendlindje, si Tana
‘Rikthimi’ i Hajrie Rondos në vendlindje, si Tana
Aktorja e mirënjohur Hajrie Rondo, tashmë do të ketë një bust në qytetin e saj të lindjes në Delvinë. Skulptori Kreshnik Xhiku është duke punuar për portretin e Tanës, personazhit që artistja luan tek “Përrallë nga e kaluara” me regji të Dhimitër Anagnostit.
Nga Valeria Dedaj
29 Korrik, 2020
Roli që i dha popullaritet aktores Hajrie Rondos, portreti i personazhit të Tanës tek “Përrallë nga e kaluara” do të jetësohet në një bust. Skulptori Kreshnik Xhiku është duke punuar për këtë ide, që ka lindur për një delvinjote mes delvinjotëve.
“Kjo ide lindi nga bashkëbisedimi, që unë pata me disa miq që kanë lidhje me Delvinën, sikundër dhe unë. Ideja ishte që të bëjmë një bust të vogël, jo klasik, por që të jetësojmë figurën e artistes së njohur. E përqafuam këtë ide, sepse busti për një aktore në qytet ka tjetër ndjesi krahasuar me atë që mund të ketë busti i një heroi. Biseduam me kryetaren e bashkisë, Majlinda Qilimi dhe deputetin Andrea Marto, të cilët ishin mbështetës në këtë projekt”, shprehet skulptori Kreshnik Xhiku.
Personazhi i Tanës tek “Përralla nga e kaluara” ka qenë një emblemë për Rondon, jo vetëm sepse i shkonte përshtat për të evidentuar edhe më shumë tiparet e grave të Jugut, apo se i dha popullaritet në mbarë Shqipërinë, “Zoti ma hodhi nga qielli dhe më tha: Merre, se është për ty”, do të më rrëfente në një nga intervistat e saj të fundit.
“Ajo që ka qenë pjesa më e vështirë, por dhe pjesa më nxitëse apo frymëzuese ishte temperamenti, që tregon tek filmi. Është shumë i veçantë dhe e personalizuar. Në një farë mënyre ato janë gratë e Jugut”.
Aktorja Hajrie Rondo (1951 –2017), e cila ka interpretuar 120 në kinema edhe teatër u shua para tre vitesh në moshën 66-vjeçare.
v.d./Shqiptarja.com