Rilindja, 21 mijë rrogëtarë për të bërë share dhe like në FB

– 22/08/20

Nga: Armand Maho

Nga një hulumtim i gazetës MAPO rezulton se në tri vite janë 23 vendime për rekrutimin e 13 mijë personave me kontrata të përkohshme në administratën qendrore, dhe së bashku me punësimet në pushtetin vendor ky numër shkon në më shumë se 21 mijë. Fatura financiare që paguajnë shqiptarët është rreth 147 milionë euro. Sektorët më të pëlqyer mbeten tatimet dhe doganat, ku vetëm në vitin 2017 drejtoria e Tatimeve ka punësuar në sektorin e “mirëmbajtjes” 500 persona. ALUIZNI duket të ketë qenë një tjetër vend për punësime. Nga ana e tij kryeministri, ka 30-fishuar numrin e operatorëve, të cilët nuk janë gjë tjetër vetëm se persona që punësohen për shpërndarjen e statuseve të Facebook apo kronikave të ERTV

… Lista e te punesuarve per Fushate

Ishte viti 2013 kur Edi Rama në çdo takim elektoral, thuajse në çdo konferencë për shtyp, bashkëbisedim në rrjetet sociale etj., kishte një refren që e përsëriste shpesh kur pyetej për punësimet në administratë “S’i ndaj të papunët sipas teserës së partisë!”, thoshte shpesh duke lënë të kuptohet se parimi i punësimeve të “Rilindjes” do ishte meritokracia. Por, ndryshimi i Edi Ramës, së 2013 me Edi Ramën e një viti më vonë ishte dukshëm shumë i thellë. Në mediat e asaj kohe u publikua një dokument që tregohej se si rekrutoheshin militantët e PS-së në Tatime e Dogana. Taulant Balla dhe Saimir Tahiri mbanin rekord punësimesh atje.

******

 

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015, në medie del një email i dërguar nga Taulant Balla, i cili u kërkonte deputetit Tom Doshi, ministrave Mimi Kodheli, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, zv.kryeministrit Peleshi, deputetëve Etjona Hoxha, Fidel Ylli, Ulsi Manja, Ben Blushi dhe një të punësuare në zyrën elektorale të deputetit Koço Kokëdhima pozicionet e lira që Drejtoria e Administratës Publike ka shpallur sipas qarqeve dhe manualit për të aplikuar online. Ai i këshillon të sipërpërmendurit që të vendosin në zyrat elektorale persona që të administrojnë dhe instruktojnë njerëzit e PS që të aplikojnë për t’u futur në poste të administratës publike, duke e shndërruar kështu në farsë garën dhe meritokracinë. “Për këtë qëllim nevojitet që në nivel qarku dhe rrethi në zyrat qendrore elektorale të vendosen persona përgjegjës që të administrojnë dhe të instruktojnë njerëzit tanë që të aplikojnë”, thuhej në email-in e Taulant Ballës që mban datën 11 shtator 2014. Më 30 dhjetor 2014 ministrja e Inovacionit aso kohe Milena Harito u drejtohet të njëjtëve persona me një tjetër email. “Të nderuar. Në vazhdim të shkëmbimit me Taulant Ballën si më poshtë, dhe për shkak të numrit të ulët të fituesve në konkurset e DAP, lutem më transmetoni emrat e 1-3 personave për qark të cilët do të instruktohen për procedurën e aplikimit, në mënyrë që të kenë mundësi të ndihmojnë këdo që kërkon ndihmë pranë zyrave elektorale.” Në të njëjtën mënyrë edhe ministrja Harito u sugjeron deputetëve që të ndihmohen të gjithë militantët socialistë që të kërkojnë punë pranë zyrave të PS dhe jo në zyrat e punës, siç e kërkon ligji.

*****

Kjo praktikë e punësimit të militantëve duket se është ndjekur dhe në vitet në vijim, dhe sa më shumë afronin fushatat aq më shumë thellohej fenomeni. Por me plotësimin e vendeve të punës së përhershme, pas spastrimit që iu bë administratës në periudhën 2014-2015, filloi të aplikohej një metodë e re. Ajo e kontratave të përkohshme, që nuk ishte gjë tjetër vetëm së një mënyrë për të punësuar në masë militantë sidomos në kohë zgjedhjesh. Në numrin e sotëm gazeta MAPO do mundohet të japë një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur që nga viti 2017 e këtej, kur Rama deklaroi se “tepsinë e punësimeve do e dërgonte për skrap”, por që në të vërtetë e ka thelluar dhe më shumë fryrjen e panevojshme të administratës, me inspektorë tatimorë dhe punonjës doganash, praktikantë të FRESSH që punësohen në institucione,operatorë që merren me Facebook etj. Një fenomen që i ka kushtuar taksapaguesit rreth 147 milionë euro në katër vjet, së bashku me 8100 punësimet në pushtetin lokal, nga ku 55 milionë euro janë kostot për punësimet në pushtetin qendror dhe 92 milionë euro kostot e punësimeve në pushtetin lokal. Përgjithësisht janë njerëz që nuk bëjnë thuajse asnjë punë, në institucione nuk i ka parë askush, madje as ditën e rrogave pasi tashmë tërhiqen në bankë apo qëndrojnë para kompjuterit për të shpërndarë propagandë në rrjetet sociale, sepse administratat janë plotësuar me njerëz prej kohësh, që në vitin e parë të pushtetit. Fjala vjen, për çfarë i duhen Ministrisë së Arsimit 48 sanitare me kontrata vjetore për të ardhur vetëm 4 orë në punë. Përse duhen 6 ditë para zgjedhjeve 420 inspektorë shtesë pyjesh, e kështu me radhë në të gjitha institucionet.

Viti 2017, tatimet rekrutojnë 500 punëtorë mirëmbajtjeje

Dhurata Çupi ish-deputete e PD-së thotë për MAPO se në rekrutime nuk ekziston asnjë lloj transparence. “Fillojnë me kontratë përkohshme, por rinovohen çdo vit dhe kthehen të përhershme. Edi Rama e ka shndërruar administratën në një degë të partisë në pushtet” thotë ajo. Sipas saj janë rreth 23 vendime të Këshillit të Ministrave, që nga viti 2017 që flasin për rekrutime në administratë. Po ku janë vendet më të preferuara për njerëzit që synojnë administratën qoftë dhe me kontratë të përkohshme. Në një vendim të vitit, vihet re se vendet e punës janë shpërndarë në të gjitha nivelet. Sanitarë, elektricistë, punëtorë shtëpish pushimi të Ministrisë së Brendshme, të punësuar me orar të reduktuar prej katër orësh në ditë, ose e thënë më shkoqur sa për të marrë një rrogë. Por, sektori më i lakmuar është ai i Tatimeve dhe Doganave. Kështu në janarin e vitit 2017 janë rekrutuar vetëm në sektorin e tatimeve rreth 500 punëtorë mirëmbajtjeje (në rast se nuk është një lapsus, por kështu e ka të shkruar Fletorja Zyrtare numër 5 e vitit 2017). Në relacionin bashkëshoqërues nuk shpjegohet se përse i duhen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve 500 punëtorë në këtë sektor me një afat gjashtëmujor, pra deri në qershor të atij viti kur ishin dhe zgjedhjet. Në po atë vit, ALUIZNI rekruton 600 specialistë dhe 100 teknikë të mesëm. Ndërsa ministria e Arsimit ka pasur nevojë të ngutshme për sanitarë, dhe punëson 44 persona me orar të reduktuar prej katër orësh.

Gazeta Mapo