
“Rilindja” e nënstacionit elektrik Tirana 1, si u hodhën dëm miliona euro për ta rikonstruktuar dhe në fund u rrafshua. ACI ENGINERING fitoi të gjithë tenderat
17 Mars 2025
Miliona euro të hedhura dëm qëndrojnë pas asaj që zv/kryeministrja Belinda Balluku e cilëson si “rilindje” të nënstacionit elektrik Tirana 1, pranë Zogut të Zi. Në harkun kohor të 3 viteve janë zhvilluar tre tendera për nënstacionin e Zogut të Zi, të cilat rezulton t’i ketë fituar e njëjta kompani, ACI ENGINERING në bashkëpunim me shoqëri të tjera.
Rrafshimi i nënstacionit dhe nisja e punës për rindërtimin e tij çoi dëm investimin e 2 tenderave të parë. Fillimisht u investua në 35 kilovolt, pastaj i gjithë investimi u demontua për t’u kthyer në 110/120 kilovolt.
Në shtator te vitit 2020, u hap tenderi per Rikonstruksionin e N/Stacionit Zogu i Zi nga 35/6 kilovolt në 35/20 kilovolt” me fond limit 83. 550. 883 (tetëdhjetë e tre milion e pesëqind e pesëdhjetë mijë e tetëqind e tetëdhjetë e tre. Tenderin e fitoi “ACI ENGINEERING” sh.p.k & ELEKTROINVEST” shpk.
Brenda 3 muajsh u rihap një tjetër tender me objekt, rikonstruksionin e N/Stacionit Tirana 1, Seksioni II nga 35/6 kilovolt në 35/20 kilovolt” me fond limit 129. 965. 878 (njëqind e njëzet e nëntë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e pesë mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, vënë në dispozicion nga të ardhurat e OSHEE. Fitues rezultoi sërish “ACI ENGINEERING” sh.p.k këtë herë në bashkëpunim me Sterkaj sh.p.k
Në 3 tetor 2023 u fitua tenderi i tretë nga bashkimi i kompanive “Aci engineering”, “T&XH” sh.p.k dhe “H&E Energy” sh.p.k me objekt: “Fuqizimi i N/Stacionit 110/120 kilovolt Zogu i Zi” me fond limit në vlerë 649.962.549.31 (gjashtëqind e dyzet e nëntë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e pesëqind e dyzet e nëntë pikë tridhjetë e një) lekë pa TVSH.
Nënstacioni elektrik te Zogu i Zi, objekti 70-vjeçar, simbol i elektrifikimit të kryeqytetit, u rrafshua për t’u rindërtuar sërish.
Projekti është parashikuar të përmbyllet në muajin maj të këtij viti.
BalkanWeb