Rilindja pas vitit të pestë: – Ekonomia në pikëpyetje, ashtu si zgjedhjet e ardhshme lokale.-

Nga Moikom Zeqo*

Në 9 korrik të 2018 u botua në gazetën DITA shkrimi: “Rama, një vit nga mandati i dytë”. Ky opinion paraqitet si një diagnozë, pa mëtuar për të qenë një prognozë. Në substancë është kriticist në kuptimin e plotë të fjalës.

Konceptualisht kishte disa nyje të perceptimit dhe të ligjërimit analizues. Konkretisht tre nyje të tilla: 1) Një paralele e pushteteve Berisha-Rama. 2) Rama një gjyle, jo një xhoker në luftën kundër pandëshkueshmërisë. 3) Sabotimi i reformës në drejtësi. 4) Ekonomia në pikëpyetje, ashtu si zgjedhjet e ardhshme lokale.

Optika e tij paraqet një shqetësim të madh publik. Në të vërtetë në shkrimet të paktën që nga viti 2013 e deri më sot të gazetës DITA nuk ka patur kurrë një dozë kaq të madhe kriticizmi. Dihet  që gazeta DITA është një gazetë e lirë në kriticizmin e saj dhe sot konsiderohet një nga simbolet kryesore të shtypit shqiptar.

Në thelb në këto katër nyjet kemi shtjellimin e dilemës midis një shprese për arritje më të mira dhe një zhgënjimi për mosarritje. Dy pushtetarët kryesorë në këtë variant krahasimtar janë Berisha dhe Rama, që në fakt në simbolikën e semantikën e politikës janë paraqitur si të kundërt, madje si antagonistë.

Por një mënyrë e tillë përjashtuese mund të ketë një metamorfozë të tillë të çuditshme sa që të bëhet e ballafaqueshmja një shtjellim paralel, ku e pangjashmja kthehet në të ngjashme. Kështu mund të ndodhë kur Kryeministri i ri imiton pushtetin pa limite të kryeministrit më të vjetër, kur zëvendësuesi në postin e Kryeministrit imiton atë që rrëzoi.

Të mos harrojmë se mandati i dytë i PS-së dhe i Edi Ramës si Kryeministër lëviz në shtratin e legjitimitetit formal juridik që ka të bëjë me fitoren e dy mandateve të zgjedhjeve të përgjithshme politike. Kjo është e pamohueshme. Kjo tregon se vijimësia e këtij votimi, që ka arritur përmasat e përfaqësimit politik në Kuvend, pra i një njohjeje urbi-et-orbi nga elektorati më i madh në Shqipëri, pra nga elektorati i majtë përbën një proces jo të studiuar siç duhet nga politikologët, apo analistët e sociologjisë politike.

Për të gjithë ne, pra edhe për mua, ardhja në pushtet e PS-së mbas tetë viteve në një opozitë të një realiteti të vrazhdë dhe gati absurd përbënte së paku një atu të një ndryshimi radikal dhe të një pozitiviteti të pandalshëm.

Kalimi pushtetor nga mandati i parë bazuar në një aleancë dy partiake PS-LSI, në mandatin e dytë, pra në mandatin më të ri përbën dukurinë e pushtetit monopartiak, pra të vetëm PS-së me maxhorancën parlamentare më të madhe se asnjëherë tjetër.

Ndihet që sfidat e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama kanë qenë sfida në emër të reformave, të pretendimit të reformave, që tingëllojnë pak të bujshme, por edhe tejet të arsyeshme si “reforma e shtetbërjes” (term juridik ky jo i saktë, më tepër metaforik) apo reformat e tjera siç janë ato të arsimit të lartë, të Policisë së shtetit, si dhe të hullisë së koncensioneve shtetëroro-private, që duhen alternuar më saktë si privato-shtetërore.

Mandati i dytë i Edi Ramës u bë dhe u arrit në një terren ku niveli politik i opozitës si subjekt kushtetues dhe përfaqësues në Kuvend pati tronditje kaotike, jo thjesht probleme strukturore sesa të karakterit institucional të një partie politike që duhej reformuar në mënyrë urgjente, për të mbijetuar.

U krijua përshtypja, që është zotëruese edhe sot se Fati, se Koha Fatidike e Edi Ramës qe pikërisht opozita e dobët, për të mos thënë e shpërbërë frikshëm. Kështu lehtësia e të përballuarit të pushtetit, deri në atributet e një autoritarizmi, që s’përfill asgjë ngjante me një modus-vivendi.

Shkrimi i G.Burimit i 9 korrikut shpreh në mënyrë të shkurtër, lakonike, se pesë vjet më vonë, Rama “nuk ka më forcën morale ta udhëheqë betejën kundër ish-abuzuesve, se Rama është vet sot në rolin e një abuzuesi me pushtetin. Nga Rama pritej të riparohej e kaluara që trashëguam nga ish ministrat e Berishës dhe jo tregohej ai me gisht nga taboret e Berishës si më i keq se më të këqinjtë e Berishizmit.”

Edhe sabotimi i reformës në drejtësi është gati një vetiluzion i Ramës për t’u mbiquajtur si demiurg.

Por kritika më e krahasuar me shifra është ajo që lidhet me rrafshin ekonomik. Borxhi Berishian, 62 për qindëshi i prodhimit të brendshëm bruto, që Rilindja e konsideronte si katastrofik jo vetëm që s’ka rënë por është rënduar në 10 pikë më tepër. Borxhi publik i Shqipërisë, në masën 72 për qind të PBB-së sot është propocionalisht më i larti në Europë. Taksat që në epokën Berishiane ishin nën nivelin 25 për qind të PBB-së, sot po rendin të gllabërojnë të PBB-së së ekonomisë shqiptare duke synuar t’i afrohen vendeve me taksimin më të lartë si Franca dhe Danimarka.

Mbyllja e bizneseve është pasoja më imediate e kësaj politike makroekonomike të gabuar. Kështu në 2017-n mbi 3000 biznese të vogla kanë mbyllur dyert. Kërkesa për emigracion të kujton sindromën e eksodit masiv të vitit 1991. Përsa i përket reformës në drejtësi; shkrimi thekson se vonesa në këtë reformë lidhet me vetë Ramën.

Gazeta DITA i ka hapur fletët e saj për një debat publik. Debati për mua është normal. Askush nuk duhet të ketë frikë nga ky debat substancial. Madje nuk duhet patur frikë në asnjë lloj debati pavarësisht emërtesave, apo titujve.

Publicisti i njohur, B.Islami reagoi menjëherë duke qenë edhe i pari njeri serioz edhe i përgjegjshëm që mori pjesë në këtë debat. Në shkrimin e tij “Gjashtë “përparësitë” rrënuese të Edi Ramës” ku shtjellon tezat e tij figurativisht ai pyet: “Ferrari, Rama ka nevojë për servis?” ose “Ekskluziviteti i tepsisë së madhe të pushtetit të mbajtur nga një dorë dhe rreziqet reale që i kanosen Kryeministrit në mandatin e dytë.”

Për Bedri Islamin Rama luan me disa “përparësi”. “Përparësia” e parë është Basha, shefi i paaftë i opozitës, ose i konsideruar i tillë. “Përparësia” e dytë rrënuese është ekonomia e papërcaktuar. Shkatërrimi që i është bërë regjimit të Berishës i dhanë alibinë Edi Ramës për borxhet që duheshin larë, për boshllëqet që duheshin mbushur, madje edhe për mesazhin se rrypi duhet shtrënguar.

B.Islami thekson se instrumenti për “të fuqizuar” ekonominë, krijimi i tre emërshit PPP do të jetë humnera për Edi Ramën sidomos për vitet e ardhshme. Nëse Fondi Monetar Ndërkombëtar e këshillon Kryeministrin Edi Rama që të ketë kujdes me PPP-në, të gjithë e dinë se është e vështirë që Kryeministri të largohet nga fetishi i PPP-së.

“Përparësia” e tretë rrënuese është grupi parlamentar socialist. Ky grup i madh në pikëpamje statistikore është gati i klonuar, dhe nuk luan rolin të kundërshtimit nëse nuk bindet , të parametrave të vërtetë kushtetuese të ushtrimit të detyrës së deputetit por voton përherë pro, është një grup gati memec, por solid për të miratuar gjithçka të Kryeministrit.

“Përparësia” e katërt rrënuese, sipas Bedri Islamit është shefi i grupit parlamentar që quhet Taulant Balla, militant, përherë i gatshëm për t’u ndeshur, por një polemist mesatar dhe shpesh në një pozicion të gabuar, pa autoritetin intelektual të përfaqësimit, të shkallës së lartë të dinjitetit dhe urtësisë dhe mendjes së mprehtë. “Përparësia” e pestë rrënuese është e tërë opozita me përbërësit e saj. “Përparësia” e gjashtë rrënuese është qeveria dhe themeltarja e saj Vettingu.

Siç shihet analiza e Bedri Islamit është gjithashtu kriticiste, por dhe argumentuese në thelbin e vet.

Sinqerisht e kam të vështirë edhe unë për të patur një angazhim qytetar, jo se nuk e kam vetedijen për këtë çështje, përkundrazi, por edhe për faktin që u bë një kohë që jam shkëputur nga analizat e mirëfillta politike, nga kriticizmi politik i problemeve të ditës apo të kërkimit të vizionit politik të perspektivës.

Ka gati 30 vjet, që kam shkruajtur pa pushim për këto subjekte. Nuk e fsheh as arsyen më të kuptueshme të zhgënjimit tim ndaj politikës në këto 30 vjet (Çudi e madhe sesi kanë kaluar kaq shumë vjet!) kur të gjithë lexuesit e dinë që për hir të një karakterizimi shkencor unë klasën politike në Shqipëri e kam quajtur përherë si një “klasë parapolitike”.

Ky mendim më rezulton, për fat të keq, edhe sot, i pakundërshtueshëm dhe i parrëzueshëm. Një klasë politike e një vendi qoftë ajo që është në pushtet qoftë pjesa tjetër e opozitës përbëjnë gjithmonë diçka të vetme.

Nuk mund të kemi një parti pushtetare të mirë dhe një parti opozitare të keqe, në kuptimin e ndarjes absolute midis tyre.  Ato përbëjnë të njëjtën klasë politike, apo subjekte që kanë alternuar njëra-tjetrën, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën edhe në pushtet edhe në opozitë.

Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me shkatërrimet në të gjitha fushat e jetës për të patur një kulminacion me piramidat  financiare apo me vitin e kobshëm 1997, me grushtin Berishian të shtetit në 1998-n, etj tregon qartë se politikanët tanë janë vërtetë përfaqësuar me mandate të pushtetarëve por nuk kanë bërë, nuk kanë arritur të bëjnë zhvillimet pozitive, që janë ëndërruar dhe pritur kaq gjatë.

Për fat të keq sindromi i klasës “parapolitike” shqiptare duket edhe në Republikën e Kosovës, por edhe në partitë shqiptare në Maqedoni, etj.

Ajo që të bën përshtypje dëshpëruese është fakti se partitë politike shqiptare në antagonizmin e tyre me njëra-tjetrën të kujtojnë sferat e sistemit të Ptolemeut, që vërtiten secila në hesap të vet, që duken sikur s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën.

Pse ka ndodhur kështu?  A duhet të ndodhte kështu? Këto janë pyetje të mëdha historike.  Pse janë këto vonesa të tilla?  Pse përfaqësimi politik që bëhet me zgjedhje të përgjithshme elektorale nuk ka arritur një cilësi të re në rradhët e deputetëve të të gjitha partive, përkundrazi, nga dhjetëvjeçari në dhjetëvjeçar, pra në tridhjetëvjeçar të tillë niveli i përfaqësimit ka ardhur duke u ulur, duke u bërë më mediokër, më i pabesueshëm në anonimatin e vet.

Kam shkruar shpesh se ndryshimet e kobshme kushtetuese të vitit 2008  ku kryetarët e partive fituan të drejtën e monarkut për t’i bërë vet listat e deputetëve që do të votojnë elektoratet, do ta pengojnë, do ta sundojnë skenën politike, do ta arkaizojnë thelbin e politikës.

Por më duhet edhe mua të jap një përgjigje publike se ç’mendoj për teza konkrete të shtruara numrat e fundit në DITA. Analiza objektive dhe shkencore duhet të mos i shmanget as guximit kriticist , as detyrimit të ndërgjegjshëm për ta thënë atë.

Mendoj se qeveria e PS-së në mandatin e mëparshëm dhe në mandatin e tanishëm është një vijimësi e një tradite qeverisëse që nga viti 1992 deri më sot që ka krijuar një subkulturë qeverisëse, që jo vetëm nuk e ka shkatërruar por e ka stimuluar korrupsionin.

Kjo është e dukshme.  Nuk mund të mohohet.

Pa dyshim që Kryeministri Edi Rama ndryshon nga Sali Berisha. Por kjo mund të thuhet edhe për ndryshimin midis kryeministrave të tjerë si Fatos Nano, Ilir Meta dhe Pandeli Majko.  Secili nga këta kryeministra ka kronologjinë e vet, të viteve mandatore, të bëmave si dhe inventarin e veprimtarive por vepra e tyre qeverisëse e ka bërë të mundur një ndryshim radikal?

Pa dyshim që ka edhe ndryshime. Por janë të mjaftueshme?  Janë plotësisht të kënaqshme?  E vërteta qëndron midis dy skajeve: midis pozitivizmit të skajshëm të propagandës qeveritare dhe negativizmit të skajshëm të propagandës opozitare.

Unë mendoj se e keqja nuk vjen nga asnjë lloj kriticizmi. Aq më tepër që kriticizmi është më tepër një proces iluminues i politikës. Apologjia e arritjeve të mëdha është naive.

Që të analizojmë siç duhet edhe periudhën qeverisëse të Edi Ramës kërkojmë të gjejmë dhe shikojmë rezultanten të veprimeve qeverisëse.

Elemente të rendit shtetëror, të stabilitetit relativ, të kapërcimit të situatave kaotike, të pakontrollueshme dot, janë diçka e pakrahasueshme me të kaluarën.

Po a janë reformat e ndërmarra vërtetë metafora epistemologjike, me një Ardhmëri të sigurt? Kjo është një çështje e diskutueshme.

Pra duke mos parapëlqyer pozicionin e një negativizmi të plotë, pra të një absurdizimi shterp të së keqes unë jam i prirë për të parë një proces të vështirë, të dialektikës negative siç thoshte Adorno, pra për të parë situatën me sy më të qetë, me një vështrim më inkurajues, ndonëse jo të pranueshëm plotësisht.

Ne jetojmë në Epokën Post-faktuale, ku përleshja e opinioneve paraqitet si konkurrencë spektaklesh dhe jo si kërkim i të së vërtetës.

Përfaqësuesit e politikës në Shqipëri nuk spikatin për kulturë politike të lartë. Edhe vetë ata e kanë shprehur këtë gjë, madje e kanë konsideruar si një mundësi kreative faktin që nuk janë politikanë të mirëfilltë. Kjo ka bërë që diletantizmi politik të bëjë kërdinë në Shqipëri.

Habitem sesi polemika e opozitës së sotme, që ka një përgjegjësi kolosale dhe shkatërrimet apo vonesat e shoqërisë sonë, sot bëhen në emër të idealeve të moralit, në një kohë që ata nuk janë aspak mishërime apo avatarë të moralitetit.

Ajo që më shqetëson është fakti që politika shqiptare e ushtron betejën e saj si një ballafaqim të pakompromis “dhëmbë për dhëmbë” dhe “sy për sy” me kundërshtarët e demonizuar. Ky demonizim i largon plotësisht pjesët përbërëse të klasës politike së pari nga vetë integrimi dhe nga karakteri komplementar i tyre, duke përjashtuar konceptet politike të sinkronizimit dhe të gjithëpërfshirjes.

Betejat e mëdha të një kombi janë gjithmonë betejat mendore. Në betejat mendore triumfon arsyeja.  Në betejat mendore krijohet kauza e së Ardhmes. Është e pamundur që kjo të arrihet nga një pakicë politikanësh dhe të mos arrihet nga të tjerët sepse vetvetiu do të kishim përherë një segregacion të pashmangshëm.

Kjo nuk ka të bëjë me një metaforë uniteti, por ka të bëjë me prirjet jetike drejt një të ardhmeje.

Në Epokën Post-faktuale është bërë e tmerrshme Propaganda. Nuk është më Propaganda instrument i Politikës, por është vet Politika instrument i Propagandës.  Dhe Propaganda është përherë me terma përjashtues. Të krijohet ideja se brenda një bashkësie me qytetarë të njëjtë disa janë qytetarë kurse të tjerët përjashtimisht dhe përfundimisht nuk janë të tillë.

Kjo është e pabesueshme por në realitetin shqiptar kjo për fat të keq është e dallueshme. Kjo përbën një skenar distopik, që të kujton shpesh utopitë negative të Oruellit dhe të Zamiatinit.

Klasa politike shqiptare po përjeton krizën e saj. Kjo është një krizë në të gjitha krahët. Lehtësisht mund të kuptohet se Vettingu nuk është gjë tjetër veçse përballja me “shkëlqimin” dhe “rënien” e politikës shqiptare për tri dekada.

Pse duhet të lindtte domosdoshmëria e Vettingut nëse politikanët shqiptarë do të ishin brenda ligjeve të një normaliteti të kuptueshëm dhe real?

Vettingu u krijua pikërisht për të kundërshtuar dhe ndrequr diçka nga një histori anormale e politikës. Jo vetëm nuk e luftoi korrupsionin por e zbehu dhe e humbi besueshmërinë morale dhe institucionale.

Ndërkohë për të qenë më i drejtë dua të them se Kryeministri Edi Rama është paraqitur më mirë në takimet ndërkombëtare dhe pavarësisht ndonjë eksesi prej “artisti” e ka përfaqësuar politikën e jashtme të Shqipërisë më me dinjitet dhe më mirë.

Asnjë kryeministër nuk është i përhershëm. Pa dyshim dhe Kryeministri Rama nuk është i përjetshëm, ashtu siç nuk janë të përjetshëm ata që do të vijnë pas tij.  Përsa i përket vlerësimit të tyre të roleve emblematikë dhe sarkistikë në histori, në të vërtetë kjo është një çështje që i takon një analize më gjakftohtë, të vet Historisë e cila siç thotë filozofi Hegel i ngjan “Fluturimit të kukumjaçkës së Minervës e cila ngrihet kur perëndon dita” pra vet koha e veprimit të personazheve historikë.

Por mua më shqetësojnë edhe gjëra të tjera që lidhen sidomos me kulturën e Shqipërisë.

Përdorimi i termave konvencionalë si “Rilindja”, qoftë e politikës qoftë gjoja e urbanistikës, mua nuk më shqetësojnë. Në një studim bihoverist mund të shpjegohen edhe metafora të tilla. Por çështja e kulturës është një çështje më e madhe, më e ndërlikuar sesa politika.

Që do të thotë që politika nuk duhet në asnjë mënyrë ta klonojë kulturën, as të krijojë ide të gatshme si stampime biskotash, as të marrë privilegjin, apo copywriting e kulturës.

Çdo ndërhyrje e politikës në kulturë për të gjitha epokat dhe sistemet ka qenë e panatyrshme dhe e dhunshme. Ky është një mësim i shekujve.

Politikanët aq më tepër të votuar dhe që janë mandatorë, pra të përkohshëm, duhet të jenë të kujdesshëm shumë dhe as të mos vendosin veton absolute mbi problemet e kulturës.

Poeti Oktavio Paz, Nobelist, i ka dërguar një letër Presidentit të vendit të tij ku i thotë se nuk ka të drejtë asnjë President të ndërhyjë në çështjet e kulturës dhe të artit. Ndryshe do të kishim një narrativë oruelliane.

Nuk ka përse të merret politika me prishjen apo me ndërtimin e një teatri. Nuk ka përse të merret politika me rikonceptimin e shesheve urbane.

Kultura dhe arti i takojnë artistëve, ku ato kanë ekskluzivitetin e tyre të padiskutueshëm, por edhe për veprat urbane është shkenca në disiplina të tejet specializuara të urbanistëve, ku ata kanë përvojë dhe autoritetin e tyre sovran.

Këto janë parime të diskutuara apo të kundërshtuara.

Kur pushteti politik vendos pa asnjë kufizim mbi të gjitha gjërat, qoftë ky pushtet i ashtuquajtur i djathtë, qoftë i ashtuquajtur i majtë atëhërë do të kemi përplasje të deformimeve.

Filozofi francez Michel Foucault përdori projektin e Jeremy Bentham-it për Panoptikonin, që është struktura përcaktuese e pushtetit të sipërm mbi të gjithë qytetarët të futura në parametra të përcaktuara jo nga ata vetë.

Kjo kryemetaforë e pushtetit, Panoktikoni tregon një strukturë administrative, me një fjalë një lloj korseti prej hekuri në trupat e qytetarëve.

Sociologu i madh që vdiq para disa kohësh Zygmunt Bauman, në kryeveprën e tij “Liquid Modernity” (“Moderniteti i Lëngët”) që trajton teknikat panoptike të pushtetit, sidomos në periudhën pas modernitetit.

Një nga meritat e mëdha të këtij gjeniu të sociologjisë është analiza e tij që lidhet me konceptin “kolonizimet të publikes nga privatja”.

Kjo tendencë ka një karakter totalitar.

Për Baumanin “çështjet publike” bëhen befas probleme private të figurave publike. Shkatërrimi i çdo gjëje publike duke favorizuar privaten krijon një asimetri të frikshme.  Bauman në këtë pikë e kritikon edhe Kryeministrin e Anglisë Tony Blair, i cili ka qenë nismëtari i shumë politikave të tilla të favorizimit të privates mbi çdo gjë publike.

Bauman citon edhe një mendimtar me shumë ndikim të shkollës gjermane të Frankfurtit, Jurgen Habermas, i cili i pari e ka ngritur këtë shqetësim duke treguar se humbja e çdo kriteri apo përmbajtjeje dobëson edhe karakterin shoqëror, pra vetë ndërgjegjen e shoqërive civile apo konceptin e qytetarit që humbet autenticitetin.

Bauman njëkohësisht kritikon neoliberalizimin që e konsideron një hiperbolizim, që ndryshon nga vetë koncepti i liberalizmit

Gjithashtu, për të qenë një pikë reference në shoqërinë shqiptare është pikërisht Bauman i cili me përdorimin e formulës PPP, si një lloj llampe të Aladinit, e konsideron edhe si strehën e një xhindi që do të dalë në ndonjë ditë nga llampa për të vendosur pushtetin e tij monstruoz mbi konceptin publik.

Dikur filozofi Thomas Hobs shihte me tmerr krijimin “e njeriut që nuk njeh asnjë ndalim”. Kjo do të shkatërronte domethënien e gjësë më publike që ka shoqëria, që është shteti. Postmodernizmi politik, me neoliberalizmin e gjen situatën ekonomike problematike të Shqipërisë plot pasiguri dhe mundësi të papriturash. Jeta bëhet e papërcaktuar.

Qytetarët kërkojnë një të ardhme të sigurtë. Nuk arrijnë ta konceptojnë, nuk e gjejnë dhe kanë vetëm një vizion paniku: largimin në emigracion.

Mendimtari i madh amerikan George Steiner thotë se një subkulturë e tillë e pasigurisë në të vërtetë është një “subkulturë e kazinosë”.

Ne kërkojmë të gjejmë fatin dhe rastin, fantazojmë, sakrifikojmë por nuk arrijmë asgjë. Kështu çdo ëndërr për një jetë më të sigurt shtyhet në ad calendas graecas.

Kam lexuar këto ditë libra të arkitektit amerikan Michael Graves për arkitekturën post moderne. Ky arkitekt i famshëm në krejt botën flet për katastrofën urbane midis horizontales dhe vertikales. Ai citon edhe mendimet e arkitektëve të famshëm Van der Rou ,Gropius, F.L Wright etj.

Kam reflektuar nga idetë e tij ndonëse ai hyn tek arkitektët e avangardës më të suksesshme në arkitekturë.

Kam heshtur për një kohë të gjatë dhe nuk kam marrë pjesë në çështjen e quajtur tashmë “të Teatrit Kombëtar”.

Pa dyshim që nuk kam qenë as në vitin 1998 dakord, as tani në 2018-n për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e hapësirës publike një firmeje private.

Përgjithësisht veprimet qeveritare bëhen me VKM. Vendimet janë urdhra ekzekutive. Është absurde të mendosh që veprime të tilla të bëhen me ligje parlamentare në Kuvend. Është fakt substancial juridik që ligjvenësit bëjnë dhe aprovojnë ligje me karaktere të përgjithshëm, jo thjesht me një subjekt të përcaktuar.

Janë pikërisht VKM-të që kanë funksionin zbatues dhe detyrues për subjekte të veçanta.  Po pse ndodh një gjë e tillë në Kuvendin e Shqipërisë?  Dhe pse duhet të ndodhë?

Si ka mundësi që një firmë private të jetë subjekt i ligjvënësve shqiptarë në një mënyrë të tillë?  Pse ndodh kështu?

Ndërkohë nuk mund të lë pa përmendur edhe një letër të studiueses Ana Tostoes, kryetare e “Docomomo International”, dërguar Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ku i bën thirrje që të ruhet arkitektura e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, për arsye të karakterit historik të kësaj arkitekture të konceptuar nga një arkitekt italian shumë i njohur Giuglio Berte.

Kurrë nuk ma ka marrë mendja që do të kishte një konflikt të artificialtë dhe kaq të pakuptimtë midis qeverisë dhe artistëve, që do të merrte madje dhe formën groteske të antinomisë apo antagonizmit të shumicës me opozitën.

Në të kaluarën Edi Rama ka treguar edhe shenja të mirëkuptimit.

Kujtoni ju lutem debatin për armët kimike në Shqipëri, debat që u bë i thekshëm, përvëlues, anatemues por Rama tregoi fleksibilitet dhe tërheqja e tij jo vetëm që nuk e uli por e ngriti në atë moment figurën kryeministrore.

Dikur Volteri me novelën e tij filozofike “Kanditi” ironizonte dhe tallej me thënien e filozofit gjerman Lajbnic, i cili mendonte se bota ku jetojmë “është bota më e mirë e mundshme”.

Por unë besoj se shqiptarët meritojnë një të ardhme më të mirë. Kjo do të thotë se nuk duhet të humbasë koncepti i Shpresës.  I përmirësimit.  I zhvillimit.

Vonesat kronologjike nuk janë aq fatale në histori. Vonesat konceptuale do të ishin diçka e tmerrshme.  Jam një qenie njerëzore që kam prirjen të besoj se gjërat do të bëhen patjetër më mirë dhe do të kemi edhe një histori tjetër më ndryshe nga ç’e kemi sot.

Nuk besoj se qoftë dhe një shkrim si ai i 9 korrikut në DITA që hapi këtë debat nuk sjell konceptime pozitive të stimuluara, ashtu si nuk do të thotë që Qeveria mund të bjerë nga minuta në minutë, përkundrazi, mandati kohor i kësaj Qeverie do të përfundojë brenda afateve kushtetuese.

****

Botuar me 13 korrik  në DITA, pjesë e forumit me bashkëpunëtorë të gazetës, analistë të jashtëm dhe lexues mbi analizën e 5 viteve qeverisje të Rilindjes