Rilindja po derdhet nga gjithë vrimat e kullojëses

15/06/20

Nëse do e mendonim rilindjen si një masë të mirë e të bollshme makaronash, në vitin e 7, kullonjësa e saj nuk po nxjerr më vetëm ujë, por më së shumti fijet e brumit, nga të katër anët.

Që kjo masë po derdhet tashmë gjithandej, nuk ka më dyshim as socialisti më i verbër.

Shihni një çast që tregon shumë .

Provimet e maturës shtetërore.

Pra një nga momentet më domethënëse, për reformat e mëdha në edukim dhe për cilësinë e tij. Sipas Ramës dhe qeverisë së tij, ata e morën arsimin në një shpellë të errët të Saliut, e nxorën në dritë dhe e bënë europian.

U desh testi i Gjuhës dhe Letërsisë, për të parë se sa i cekët, sipërfaqësor, anadollak, dhe krejt fasadë, qenka standardi i propaganduar nga mazhoranca.

I kopjuar keq ishte ai provim,  që nxori mijëra maturantë në revoltë.

E për të vikatur se përveç testeve dhe cilësisë, kullonjësa po nxjerr shumëçka tjetër, erdhi në ndihmë vetë Ministrja Shahini me reagimin e saj. Një qëndrim arrogant dhe kërcënues. Besa mbrojti me ashpërsi dhe cinizëm atë që u kthye në barcaletën më të madhe të viteve të fundit.

Pa u arkivuar aspak kjo thagmë, sot rezultoi se testi i Matematikës, kishte qarkulluar, kishte dalë në publik. Pra ra edhe një moment tjetër, i asaj që rilindja e quan standardi që ata kanë arritur në arsim.

Nëse reformat në shkolla, në kurrikula, në provime do të ishin një tregues i shtetit, mjaftuan dy ditë për të parë se çfarë shteti kemi.

Makaronat po vërshojnë nga gjithë anët e kullonjëses, dhe shembujt i kemi para syve çdo orë.

Çfarë po ndodh me QSUT, që është kthyer në vatrën kryesore të koronavirusit, është e vërteta e menaxhimit të pandemisë. Për propagandë, Rama mbushi bulçitë çdo ditë duke na treguar se jemi vendi më i suksesshëm në Europë e më gjërë. Sak aty ku duhet treguar aftësia qeverisëse, tek QSUT, virusi ka mbërthyer pothuajse secilin pavion.

Thirrje të përulura për kujdes, për respektim të rregullave, po nga ana tjetër, qeveria dhe shefi i saj, janë shkaktari kryesor i grumbullimeve masive, me prishjen kriminale të Teatrit dhe me shembjet arbitrare të ndërtimeve në bregdet.

Kaluan 7 muaj nga tërmeti, kemi skica, shfaqje, projekte, për rindërtimin, po rindërtim jo. Dhjetra familje ende në çadra.

Fshehje dhe një lloj kokfortësie me 15 kushtet e integrimit, nxjerrje bishtash dhe intriga me reformën zgjedhore që është parakusht për nisjen zyrtare të negociatave.

Makaronat po derdhen gjithandej. Në fund, duket se në kullonjëse do të ngelet vetëm arroganca e qeverisë përzier e nakatosur me gjithë mbeturinat e një qeverisje të keqe.

Gazeta Mapo