Rilindjen e komandojnë vartësit që hanë kumbulla e dardha pas shpine
11 Dhjetor 2023
Pushtetin sot në Shqipëri e kanë vartësit e atyre që ka votuar populli. Partia Socialiste, e cila pretendon se është Rilindja me një grup individësh të rinj brenda, është votuar nga shqiptarët për tri mandate qeverisje. Revanshin e parë qeveria e Rilindjes e ka pasur me skandale, me afera, të cilat ditë pas dite po zbardhen
Nuk është se nuk ka më shumë në vazhdim. Por tashmë ka ardhur koha ku po marrin ndëshkim para drejtësisë të gjitha PPP dhe aferat e denoncuara vazhdimisht nga mediat, por këtu nuk përjashtohet as opozita.
Por ajo që po shikojmë është fakti që, Rilindjen na e vjedhin dhe na e qeverisin jo ata që votohen dhe jo udhëheqësit, por vartësit e tyre e për këtë arsye shqiptarët kanë zgjedhur gabim. Nuk duhet të zgjidhnin ministrat e Ramës dhe deputetët e PS-së, por duhet të kishin votuar zëvendësministrat, drejtorët anonimë, që vijnë vërdallë dhe emërohen nga shefat e tyre si çelësa për të hapur kasafortat dhe për të vjedhur paratë e shqiptarëve.
Rast pas rasti, së fundi pati arrestime në Bashkinë e Tiranës.
Iku në pranga drejtori kryesor i Erion Veliajt, krahu i djathtë i kryebashkiakut, zoti Taulant Tushe, i cili përflitej prej kohësh në qarqet mediatike thuhej se, Bashkia e Tiranës ishte e paprekshme për shkak të aleancës së Veliajt me Fatmir Xhafajn, influencat e këtij të fundit brenda drejtësisë, udhëtimet e Lalit në SHBA e kështu me radhë.
Në fakt dokumentet treguan se nuk kishte as Fatmir Xhafë, as lobim në SHBA, as Zot ta shpëtonte Taulant Tushen, e kështu mund të ndodhë edhe më lart akoma, por të presim.
Menjëherë u reagua dhe u tha se, ç’faj kishte Veliaj, ç’faj kishte bashkia, ai ndoshta ishte një zyrtar që ishte korruptuar, kishte shkelur ligjin e kështu me radhë.
Pra, na doli një dardhangrënës tjetër brenda pushtetit të Rilindjes, në Bashkinë e Tiranës, një drejtor që vidhte dhe kryetari s’dinte gjë, as stafi i tij. Nuk shikonin, nuk dëgjonin. Megjithëse sot jemi fiks gati tri vjet nga komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët ku u fol, u bërtit, u denoncua dhe Bashkia e Tiranës nuk mori asnjë masë, por vazhdoi dhe pagoi 30 milionë dollarë të tjera të marra nga fondi i transfertës që i vjen nga qeveria shqiptare.
Po aq gati kanë paguar dhe bizneset private në kryeqytet për inceneratorët dhe askush nuk dinte asgjë. Ishte ky drejtori i vogël që i bënte aferat.
Kur mediat shkruanin, opozita denonconte, kur bëheshin kallëzime ku ishin këta shefat e këtyre që hanin dardha? Mirë vetë nuk i shikonin po verifikim nuk bënin dot?
Nuk mund të bënte një verifikim kryeministri ynë i nderuar nga 2020, 2019 apo në 2017 kur CNA, TPZ dhe BIRN kanë denoncuar inceneratorët në Elbasan pse Rama nuk bëri verifikim. Pas Elbasanit shkoi te Fieri dhe pas Fierit na tha se ishte Tirana ishte një mrekulli ku nuk ka incenerator, edhe pse janë paguar miliona euro.
Kur njerëzit e Edi Ramës kanë kanalizuar paratë e inceneratorëve te “Top Channel” me ortakëri mediatike takime dhe fakte me prova që shkojnë në Bullgari vijnë në Tiranë dhe paguhen blerje mediash.
Paguhen miliona euro reklama në fushatë elektorale në vitin 2021. E gjatë kohës komisionet vazhduan dhe paguan edhe më vonë. Çfarë verifikoi Rama, tigrin e tij që hante dardha prapa krahëve. Pse nuk e bëri? Pse e la të ikte?
Të shohim sterizilimin.
U çuan dokumentet në SPAK, doli një prokuror rilindës, tentoi të shpëtonte Ilir Beqajn, historia sipas një militanti politik që nuk përjashtohet dhe në institucionet e drejtësisë së re, Ilir Beqaj nuk paska frenuar korrupsionin që mund të kishte mes zëvendësministrit dhe përfituesit.
Pra dhe Ilir Beqjës i hante dardhat prapa krahëve zëvendësministri i tij, Klodian Rrjepaj. Ilir Beqaj nuk dinte gjë se ç’bëhej në ministri, nuk shikonte ai, vartësit i hanin dardhat, në të gjitha institucionet që ka pasur afera, PPP dhe koncesion vartësit i kanë ngrënë dardhat. Ata janë fajtorët.
Kishte dardha në Ministrinë e Shëndetësisë, i hante Klodian Rrjepaj. Kishte dardha në kryeministri, i hante Arben Ahmetaj, kishte dardha në bashki i hante Taulant Tushe.
Vartësit ua hanë gjithmonë dardhat, por edhe kumbullat dhe çdo frut tjetër pushtetit, udhëheqësve tanë të Rilindjes. Populli në fakt i ka votuar që t’i drejtojnë, kryeministri, ministra dhe kryetarë bashkish, fatkeqësisht na rezulton se në Shqipëri drejtojnë dhe i hanë dardhat vartësit e ministrave dhe kryetarëve të bashkive./ CNA