Rinis më 12 korrik dialogu Kosovë-Serbi, Hoti dhe Vuçiç takohen në Bruksel
Rinis më 12 korrik dialogu Kosovë-Serbi, Hoti dhe Vuçiç takohen në Bruksel
6 korrik 2020
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, do të rinisë më 12 korrik.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar të hënën, se kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të takohen në raundin e ri të bisedimeve.
“Mund të konfirmoj se më 12 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të vijnë në Bruksel për dialog. Mikpritës i këtij samiti do të jetë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell në prani të të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak”, tha ai.
Stano në një konferencë për media shtoi se me këtë takim shënohet rifillimi i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe në të do të diskutohen “të gjithë çështjet e hapura”.
Sipas zëdhënësit Stano, ky takim në Bruksel, ka për qëllim që të çojë përpara punën për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkaq më 10 korrik, do të zhvillohet një “samiti virtual” mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, që do të ndërmjetësohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Ky samit, që do të zhvillohet përmes një video-lidhje, ka për qëllim uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha Zyra e presidentit Macron.
Nga Zyra e Macronit thonë se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga Përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.
Ende nuk është e qartë se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit, kryeministri Avdullah Hoti apo presidenti Hashim Thaçi.
Mbajtja e këtij samitit të Parisit dhe dialogu në Bruksel vjen pas shtyrjes të një takimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Ky takim u shty pasi më 24 qershor, Zyra e Prokurorit Special njoftoi se u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas paraqitjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), përmes një reagimi kërkoi që dialogu me Serbinë të pezullohet, për shkak të, siç tha, situatës së krijuar pas aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit.
“Pas bërjes publike të propozim aktakuzës, pa konfirmim nga gjykatësi i procedurës paraprake e që paraqet shkelje të rëndë të procedurës dhe pa asnjë dyshim shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, Kosova duhet të pezullojë bisedimet me Serbinë, deri në një kohë tjetër, përkundër insistimit të Francës dhe Gjermanisë”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
Dialogu, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011. Ky proces u ndërpre në fund të vitit 2018, për shkak të një takse të vendosur nga autoritetet kosovare ndaj mallrave të Serbisë. Kjo masë më pas u zëvendësua me reciprocitet.
Por, Qeveria e Kosovës në muajin qershor vendosi që të heqë masat e reciprocitetit, me qëllim që t’i jepet shans rinisjes së dialogut.
Shtëpia e Bardhë, më 4 tetor, 2019, emëroi Richard Grenellin, si përfaqësues të posaçëm të saj për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
l.h/ dita