Rivali i vetëm i PS, Patozi: Më mirë me zgjedhje problematike se pa to, nuk është as ditë feste dhe as ditë zie. –
Rivali i vetëm i PS, Patozi: Më mirë me zgjedhje problematike se pa to, nuk është as ditë feste dhe as ditë zie
30 qersho 2019
Kryetari i partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi deklaron se është më mirë që Shqipëria të zhvillojë zgjedhje problematike sesa të mos ketë fare process zgjedhor. Rivali i vetëm përballë qeverisë në të paktën 21 bashki të vendit, pasi votoi në qendrën e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë theksoi se kjo e sotja duhet të jetë një ditë që Shqipëria duhet ta lërë pas.
“Në fakt, kjo e sotmja nuk është, as ditë feste dhe, as ditë zie. Unë mendoj që sot është një ditë normale votimi, që Shqipëria duhet ta kapërcejë dhe duhet ta lerë pas.
Sigurisht, që këto janë zgjedhje të cunguara dhe nuk është vendi dhe as koha sot për të bërë një analizë apo për të nxjerrë se kush ishin përgjegjësit.
Por mendoj që më mirë të kishim zgjedhje problematike, sesa të mos kishim zgjedhje fare. Sepse ky është i vetmi instrument në një vend demokratik për të të ndryshuar qeverisjen”, tha Patozi.
Ish-nënkryetari i PD kujtoi se si dy vite më parë për shkak të marrëveshjes Rama-Basha nuk pati asnjë incident por gjithësesi kriza politike u thellua akoma më shumë.
“ Nuk duhet të harrojmë që dy vite më parë ishim këtu në qendrat e votimit, pas një procesi nga më me pak incidente dhe nga më miqësorët, që ishin mbajtur ndonjëherë në Shqipëri. Madje nuk ishte aspak befasi nëse mund të gjeje brenda qendrave të votimit socialistë e demokratë, duke u përqafuar me njëri – tjetrin.
Por pas këtyre zgjedhjeve nuk u prodhua as paqe dhe as stabilitet, por erdhëm në krizën më të thellë politike që Shqipëria ka patur ndonjëherë.Ndaj shpresoj dhe nuk është çudi që pas këtyre zgjedhjeve, me cen, do të thoja, të vijë një periudhë paqeje, një periudhë qetësie dhe normaliteti demokratik në Shqipëri.
Unë besoj shumë që kjo do të ndodhë”, theksoi kreu i Bindjes Demokratike. Patozi ësht ëi bindur se pas 1 korrikut, Shqipëria do të hyjë në një erë të re për komunikimin politik dhe për stabilitetin e institucioneve.
Gazeta Pnorama