Rivaliteti Kadare-Agolli
Nga Xhevat Lloshi. –
- Sigurisht që ka pasur rivalitet dhe është më se normale. Këtë gjë ne të gjithë e dinim. Dhe mund të thuhet se edhe në atë kohë ekzistonin palët në njërën anë dhe në anën tjetër, edhe nga shkrimtarë të njohur. Problemi është si ta trajtojmë këtë dukuri. Sigurisht që janë çështje të rivalitetit në krijimtari. Kjo është një gjë njerëzore dhe aq më tepër, mund ta themi pa asnjë dyshim se ka qenë një epokë e presidiumeve dhe edhe në art e muzikë ishte problemi, se kush ishte më i miri e më i pari. Ishte një reflektim i drejtpërdrejtë i hierarkisë politike. Në qoftë se hierarkia politike e përqendronte çështjen se kush është i pari, kush është udhëheqësi, kush është Skënderbeu i ri, kjo gjë transmetohej në të gjitha qelizat e jetës politike, kulturore të Shqipërisë. Dhe njerëzit, në këtë prizëm, duke huazuar nga politika, përpiqeshin të zgjidhnin këtë dilemë: kush ishte më i madh, Dritëroi apo Ismaili. Kjo mënyrë të arsyetuari nuk vlen fare për artet dhe letërsinë, sepse secili sjell botën e tij. Ky lloj arsyetimi është tërësisht i gabuar edhe sot, mbështetur nga një frymë patriarkale, krahinore, e prapambetur, e cila shkon deri atje, sa të bëjë të njëjtën gjë: kush është poeti kombëtar, Fishta apo Naimi? Unë them që këto gjëra edhe për Fishtën e Naimin, edhe për Dritëronë e Ismailin, duhen flakur tej. Madje do t’ju kujtoja edhe debatin Qose-Kadare. Kam qëndruar pranë tyre, u njoh edhe të meta dhe, po të kisha cinizmin, do të flisja për këto anë, por as kam folur dhe as do të flas për këto anë. Atëherë kam shkruar: “Për mua është fatkeqësi, kur njerëzit e shquar të vendit hyjnë një konflikt, që merr përmasa publike, sepse konflikt përzihet kush të dojë. Dhe rezultati është që dalin në plan të parë të metat e këtyre njerëzve, kurse unë them që në plan të parë të dalin vlerat e tyre. E them këtë sepse sot ka njerëz që në mënyrë të papëlqyeshme duan të hedhin poshtë edhe Skënderbeun, edhe Ismail Qemalin, edhe Fan Nolin… Ne kemi nevojë për vlerat e këtyre njerëzve, çfarë kanë bërë për Shqipërinë me punën e tyre”.