“Rizbulojmë Parkun”, me 30 punime në Pallatin e Brigadave (Pallati Mbreteror).
“Rizbulojmë Parkun”, me 30 punime në Pallatin e Brigadave (Pallati Mbreteror).
-Pallati i Brigadave do të hapë dyert këtë të shtunë për të gjithë dashamirësit e artit, duke pasuruar jetën kulturore të kryeqytetit. Janë tridhjetë punime (vizatime, akuarele, pastele), që do të prezantohen në ekspozitën e titulluar “Rizbulojmë Parkun”, duke përfaqësuar mbresat e artistëve të rinj, ndërkohë që qytetarët njëkohësisht do të mund të zbulojnë skulpturat, kopshtet, arkitekturën e ndërtesave dhe bukuritë e fshehura prej kaq vitesh të këtij parku. Për të zbuluar parkun vizitorët do shoqërohen jo vetëm nga një guidë që rrëfen më shumë rreth historisë dhe vlerave kulturore e mjedisore, por edhe nga tingujt e muzikës së harqeve të Liceut Artistik. Ekspozita “Rizbulojmë Parkun” do të qëndrojë e hapur për qytetarët nga data 12-13 Maj, ora 11:00-17:00 tek Pallati i Brigadave dhe do të zhvillohet me mbështetjen e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Pallati i Brigadave dhe parku i tij (Tiranë) është një monument i trashëgimisë kulturore, i cili gjithmonë ka pasur një interes të veçantë të studiuesve, historianëve por dhe arkitektëve. Ky monument kulture është i llojit “Arkitekturë”, i miratuar me numër “752 më 11.11. 2004”. Pallati Presidencial, i njohur edhe si Pallati i Brigadave, filloi të ndërtohej nga Mbreti Zog I në vitin 1936. Ky pallat i projektuar nga tre arkitektë italianë do të shërbente si rezidenca e mbretit Zog.
Për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, mbreti Zog u largua nga vendi dhe nuk arriti kurrë ta shihte pallatin mbretëror të përfunduar. Ndërtimi i Pallatit të Brigadave u përfundua në vitin 1941 nga italianët, të cilët vendosën aty shtabin qendror të ushtrisë së tyre. Në këtë pallat ka qëndruar edhe mbreti i Italisë Viktor Emanueli III gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1941. Pallati mbretëror u quajt Pallati i Brigadave nga regjimi komunist, i cili e përdori për pritje dhe ceremonira shtetërore. Nga viti 1992, emri zyrtar i këtij institucioni është Pallati Presidencial.