Roma fsheh ende thesare; zbulohet kompleksi ushtarak pretorian. –
Koloseu është pasuria më e madhe dhe më e dukshme që i ka mbijetuar Romës së Lashtë, por të gjithë janë të bindur se “Qyteti i Përjetshëm” fsheh nën këmbët e tij të tjera thesare.
I radhës është zbuluar së fundmi në kryeqytetin italian rastësisht dhe falë punimeve për zgjerimin e sistemit të metrove.
Mediat italiane shkruajnë se në atë që njihet si “sektori C” i metrove është rënë në kontakt me një ndërtesë të 2000-vjeçare, që besohet se i përkiste një drejtuesi të lartë ushtarak të pretorianëve, trupa elitë romake që mbronin konsujt, perandorët dhe Senatin.
Menjëherë objekti është marrë në dorëzim nga arkeologët dhe studiuesit e tjerë, që thonë se bëhet fjalë për një ndërtesë me të paktën 14 dhuma, një holl qendror gjigant, dekorime që i kanë mbijetuar kohës, madje edhe një shatërvan, sigurisht jo në gjendje pune.
Francesco Prosperetti, përgjegjës i qeverisë italiane për Koloseun dhe Muzeun Kombëtar Romak e cilësoi zbulimin se të mahnitshëm.
Kompleksi është gjetur në një thellësi prej 12 metrash nga sipërfaqja e qytetit dhe nga ajo që kanë zbuluar deri më tani, arkeologët besojnë fort se ndërtesa është e shekullit të dytë të Erës Sonë dhe është varrosur nga dora e njeriut.