Nga Jahja Drancolli.

Nga vargu shumë i gjatë i gjurmëve të pashlyeshme arbërore në dhe të huaj, të cilat mbajnë vulën e Epokës Skënderbejane, në postimin e mëposhtëm, do ta kisha veçuar rrasën e varrit (një pllakë mermeri) nga vitit 1531, dedikim ky i Pietro Bembos (poet i madh venedikas i Rilindjës europiane) kushtuar Leonik Nikollë Tomeut, e cila sot e gjithë ditën ruhet në Kishën e Shën Françeskut në Padova, në qendër të qytetit. Përballë kishës në fjalë është gjendur edhe shtëpia e burrit dituror arbër (In la contrada de S. Francesco in casa de M. Leonico Tomeo).
Përmbjatja e rrasës së varrit ruan pak rreshta në një gjuhë elegante latine që vetëm Pitro Bembo ka ditur në mënyrë të mrekullueshme të përmbledhë tërë aktivitetin, ndershmërinë dhe thjeshtësinë e jetës së mendimtarit Leonik Tomeo. E si përfundim të përshkrimit të tillë mbi rrasën e varrit, Bemboja dëshirojë posaçërisht të shënohen vargje në gjuhën greke, të shkruar derisa ishte gjallë vetë Leonik Tomeut.
Kush ishste Tomeo Leonik Nikollë (1456 -1531)?! Mësohet se i ati i tij ka lindur në Arbëri (“Nicolaus Tomaeus Epirota patre Venetiis genitus, aetatem a primis unguiculis omnem egit Patavii, quamobrem, prout occasio tulit, Epirotam se, Venetum, Patavnium, ex gente, ex natali solo, ex domicilio jactat”). Është shpërngulur nga Atdheu në kohën e sulmeve osmane dhe është vendosur në Venedik (shek. XV). Vitet e fëmijërisë së bashku më vëllezërit e tij i kaloi në lagunat venedikase dhe në Padova. Së pari kishte studjuar greqishtën në Padova, pastaj në Firence e Milano. Dy letra të shkruara me gjuhë greke dëshmojnë se Tomeu bashkë më vëllaun Bartolomeun (“orator e poeta”), vepruan në Roma e Firence gjatë viteve 1485-1488. Tomeu, i kishte mbaruar studimet në Universitetin e Padovës (1485), ku edhe u laurua për “in artibus” (“filozofi e mjekësi”). Shumë studiues mendojnë me të drejtë se origjina e familjës së Tomeut është nga zona bregdetare e Arbërisë, respektivisht nga Durrësi ose Shkodra. M. E. Cosenza, mbiemrin e Tomeut e shpjegon sipas malit të njohur Tomor (Tomarus), që është përmendur në Epir (Epirus). Leonik, ndërkaq është anagrama jo e plotë e emrit Nicolò-Nikollë. Në Venedik, siç duket Tomeu kishte edhe familjën.


Burimi: Rrasë varri kishtuar Leonik Nikollë Toemut në Chiesa di San Francesco Grande di Padova. Foto e realizuar nga unë në vitin 1987.