Rrënimi i monumenteve në Prizren: – Kallëzim penal për 5 veta, përfshirë kryetarin Totaj
23 Gusht 2024
Pak ditë pa u bërë tre muaj prejse është rrafshuar pjesa më e madhe kompleksit monumental “Saraji i vjetër në Prizren”
Të mërkurën, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Ministria e Kulturës ka dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Pjesë e këtij kallëzimi penal është edhe pronari privat si investitor, për shkelje të rendit kushtetues, si i dyshuar për rrënimin e tri monumenteve të kompleksit “Saraji i vjetër”. Përderisa për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ky mund të jetë veprim i ministrit Hajrulla Çeku për konsum elektoral, i pari i MKRS-së ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta marrin rastin me seriozitet të lartë
Pak ditë pa u bërë tre muaj prejse është rrafshuar pjesa më e madhe kompleksit monumental “Saraji i vjetër në Prizren”, Ministria e Kulturës ka arritur që të përgatisë dosjen e nevojshme për të trokitur në dyert e institucioneve të drejtësisë dhe për të kërkuar përgjegjësi penale. E krejt kjo është bërë e ditur të mërkurën nëpërmjet një konference për medie të mbajtur nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Konferencën e ka nisur duke dhënë lajmin se po të mërkurën, në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, kanë dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Pjesë e këtij kallëzimi penal është edhe pronari privat si investitor, për shkelje të rendit kushtetues, si i dyshuar për rrënimin e këtij aseti. Përderisa për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, ky mund të jetë veprim i ministrit Çeku për konsum elektoral, i pari i MKRS-së ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që ta marrin rastin me seriozitet të lartë.
“Shkelje flagrante e Ligjit për trashëgiminë kulturore”
Në fund të majit e fillim të qershorit për herë të parë shtetit të Kosovës i është rrafshuar një kompleks monumental nën mbrojtje të përhershme, kategoria më e lartë e një aseti të trashëgimisë kulturore. Në bazë të shkresave Ministria e Kulturës ishte njoftuar nga Komuna e Prizrenit për dhënien e lejes për ndërtim të një subjekti privat të premten e 24 majit. Të hënën – kur edhe kishin nisur punimet për rrafshimin e ndërtesave, MKRS-ja prapë ishte në dijeni. Sa i përket reagimit publik, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, nuk kishte bëzan fare deri në rrënimin e plotë të tri monumenteve. E të mërkurën ka qenë i zellshëm në konferencë.
“Kodi Penal i Republikës së Kosovës, veprat e klasifikuara si: Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës, i dënon deri në 10 vjet burgim, ndërsa si masë pasurore, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, dënohen me gjobë nga 1 mijë deri në 500 mijë euro”, ka thënë Çeku.
Është ndalur te kronologjia e rrënimit të një pjese të kompleksit duke thënë se
“Saraji i vjetër”, i cili para dy muajsh kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme, u rrënua më datën 27 maj 2024, nga pronari privat me qëllim të ndërtimeve për banim kolektiv, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit dhe persona të tjerë.
“Të cilët konsiderojmë që kanë bërë shkelje flagrante të Ligjit për trashëgiminë kulturore, kanë vepruar pa autorizime ligjore duke keqpërdorur detyrën zyrtare. Kurse mosveprimi dhe aprovimi heshtazi për shkeljen kushtetuese dhe të ligjeve në fuqi, nga drejtoresha e Departamentit Ligjor të MMPHI-së përbën vepër penale më vete, sipas Kodit Penal të Kosovës”, ka thënë ai dhe vazhdon se veprimi i rrënimit është realizuar në saje të dy lejeve të lëshuara nga Komuna e Prizrenit: “Leja për rrënim e lëshuar më 15 janar 2024 dhe leja për ndërtim, e lëshuar më 4 prill 2024. Të dyja këto leje të lëshuara janë në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe Ligjin për Ndërtim”.
Leja e Komunës si bazë e rrënimit
Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, e ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit. I njëjti në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk e kishte dhënë pëlqimin.
Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka nënshkruar lejen që i jep të drejtë investitorit të ndërtojë “objekt kolektiv – me shumë funksione”. Sipas vendimit të cilin e posedon KOHA, leja ndërtimore lejon dy kate bodrum, përdhesen, plus tri kate të tjera.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se në asetet e trashëgimisë kulturore, sipas legjislacionit në fuqi, lejohen vetëm ndërhyrjet restauruese dhe konservuese në përputhje me kushtet ligjore dhe procedurat administrative. “MKRS-ja me institucionet vartëse të saj është i vetmi organ kompetent për lejimin e cilësdo ndërhyrje në asetet të cilat kanë statusin e mbrojtjes ligjore, qoftë përmes kërkesave të drejtuara nga palët, nga organet e nivelit komunal për ndërhyrje konservuese apo restauruese, qoftë për kërkesat që vijnë nga MMPHI lidhur me ndërtimet e reja si kategori e 3-të”, ka thënë ai.
Ka sqaruar se menjëherë pas marrjes së njoftimit për rastin inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore tanë kanë dalë në vend të ngjarjes “ku kanë konstatuar se kishte filluar rrënimi i asetit përmes dy akteve administrative të kundërligjshme dhe në prani të Policisë janë vendosur shenjat zyrtare për ndalim të punimeve dhe zyrtarisht me vendim të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore janë ndalur punimet e paautorizuara”. Ka treguar se pavarësisht kësaj, pronari privat ka rifilluar punimet, kurse MKRS-ja me kërkesë urgjente i drejtohet ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së sigurisë. “Me caktimin e autorizimit për ndalim të punimeve, Policia e Kosovës ndalon punimet në asetin me status të mbrojtjes”. Por, siç ka raportuar KOHA në qershor, krejt kjo ishte bërë pas rrafshimit të ish-fabrikës së barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit e viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”. Kompleksi mbrohet edhe në kuadër të Ligjit për qendrën historike të Prizrenit, si zonë e dytë e mbrojtur.
Prokurori i shtetit, Shpend Binaj, kishte lëshuar “autorizim për vendosjen e masës së sigurisë”. Këtë ia ka drejtuar stacionit policor “Alfa” në Prizren. Në këtë rast prokurori është bazuar në kërkesën e MKRS-së të datës 5 qershor për caktimin e masës së sigurisë, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte vërejtur se nuk ishte respektuar vendimi i tyre i datës 30 maj për ndalimin e punimeve.
Foto: “Ndërtesat të cilët gjendeshin në kuadër të Kompleksit, dy ndërtesat e ish-fabrikës së “Farmakosit” dhe Burgu janë rrënuar nëpërmjet mjeteve makinerike që kanë shkaktuar dëmtimin e mbi 90 për qind të strukturave të ndërtesave, respektivisht nga to kanë mbetur vetëm pjesa e themeleve. Më e pakta që kërkojmë ne në këtë rast është rikthimi i asetit në gjendjen e mëparshme nga ata që e kanë shkaktuar dëmin”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të mërkurën
“Kam gjetur të nevojshme t’ju autorizoj dhe të kërkoj nga ju që të mblidhni të dhëna shtesë për veprën penale, e cila i vihet në barrë të dyshuarit të lartcekur, me qëllim të zbardhjes së çështjes penale”, shkruhet në autorizim. Në ditën e katërt të qershorit, kur ekipi i KOHËS ka qenë në vendngjarje, investitorët nuk qenë prononcuar.
Pos kësaj, prokurori i shtetit kishte autorizuar Policinë që “së bashku me inspektorët e MKRS-së në Prishtinë të dilet në vendin e ngjarjes dhe të vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare në kompleksin e ‘Sarajit të Vjetër në Prizren’, aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme”.
Inspektorati këtë veprim e kishte ndërmarrë edhe më herët, por nuk ishte ndihmuar nga Policia e Kosovës, sipas vetë zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës.
Por, sipas ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, Komuna e Prizrenit dhe pronari privat si investitor kanë kundërshtuar vendimin e Inspektoratit për ndalim të punimeve, “me pretendime të pabaza”.
“Në mënyrë qesharake Komuna e Prizrenit në ankesë deklaron: citojmë: ‘Rrënimi i objekteve tanimë ka ndodhur dhe leja e rrënimit si e tillë është e përmbushur, prandaj anulimi i saj në këtë fazë është i pamundur. Kjo për shkak se është arritur qëllimi i aktit administrativ të lëshuar dhe se anulimi i saj vetëm do të përbënte bazë që pronari i parcelës të kërkonte kompensim të dëmit kundër Komunës së Prizrenit, si institucion i cili ka lëshuar lejen përkatëse’”. Sipas Çekut, me këtë hap shihet qartazi se për Komunën e Prizrenit mbrojtja e interesit privat bie mbi ruajtjen e interesit publik dhe vlerave historike.
Dëmtim deri në themel, kërkohet rindërtimi
Ministri Çeku ka bërë të ditur se për të respektuar ligjin dhe për të shterur të gjitha mjetet juridike, si Ministri kanë kundërshtuar aktet e Komunës, si dhe në MMPHI si organ i shkallës së dytë, ku ankesat trajtohen nga Departamenti Ligjor i Ministrisë. Në emër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore kanë kërkuar që ankesa të trajtohet me prioritet dhe të shfuqizohen aktet e kundërligjshme të Komunës.
“Pavarësisht faktit që kemi ofruar fakte, prova dhe bazën ligjore vendore dhe ndërkombëtare, për anulim të dy vendimeve të jashtëligjshme, përgjegjësja e Departamentit Ligjor nuk ka vepruar. Prandaj ne jemi detyruar të ndërmarrim hapin ligjor të radhës, duke e përfshirë në kallëzimin penal të ngritur sot”, ka thënë ai.
Ka treguar se pas vlerësimit të dëmit të shkaktuar qëllimshëm dhe me vetëdije nga pronari privat, kanë bërë vlerësim preliminar të dëmit të shkaktuar.
“Ndërtesat të cilët gjendeshin në kuadër të Kompleksit, dy ndërtesat e ish-fabrikës së “Farmakosit” dhe Burgu janë rrënuar nëpërmjet mjeteve makinerike që kanë shkaktuar dëmtimin e mbi 90 për qind të strukturave të ndërtesave, respektivisht nga to kanë mbetur vetëm pjesa e themeleve. Më e pakta që kërkojmë ne në këtë rast është rikthimi i asetit në gjendjen e mëparshme, nga ata që e kanë shkaktuar dëmin”, ka thënë ministri Çeku. MKRS-ja pret që Prokuroria ta kualifikojë atë që ka ngjarë si vepër penale dhe të ngrijë aktakuzën ndaj të dyshuarve, ndërsa Gjykata e Kosovës të japë dënime meritore maksimale dhe në përputhje me dëmin e shkaktuar të interesit publik, ashtu siç e parasheh Kodi Penal i Kosovës, “dhe jo të vazhdojnë më praktikën e dënimeve qesharake, siç ka ndodhur në rastet e kaluara”.
Totaj: “…‘bluff’ i ministrit për konsum elektoral”
Por, për Komunën e Prizrenit situata nuk është siç përshkruhet nga Ministria e Kulturës. Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, i ka thënë KOHËS se bazuar në informatat që i ka nga drejtorët kompetentë që direkt kanë qenë të ndërlidhur me rastin, “mund të njoftoj se në aspektin ligjor çdo gjë është në rregull”.
“Nuk e përjashtoj mundësinë se mund të jetë një ‘bluff’ i ministrit për konsum elektoral”, ka thënë ai për kallëzimin penal.
Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta.
Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte dhënë pëlqimin. Por, MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe.
Në nëntor të atij viti, institucioni më i lartë kulturor në vend kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.
“Shfuqizohet vendimi nr. 67/2019 i datës 14.10.2019, i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e 3-të të vendimit të Komisionit që kryesohej nga Vjollca Aliu, asokohe drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Krejt çfarë mund të bënte investitori asokohe ishte ankesa në afat prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gazeta Koha, Prishtinë.