Rrënohet kisha 700-vjeçare në Blinisht, Dom Nik Ukgjini thirrje Ministrisë dhe Dioqezës së Lezhës: Shpëtoni monumentin e kulturës.
Rrënohet kisha 700-vjeçare në Blinisht, Dom Nik Ukgjini thirrje Ministrisë dhe Dioqezës së Lezhës: Shpëtoni monumentin e kulturës.
9 Tetor 2021
Nga: Elvis Hila
Pak gjë, ka mbetur nga lavdia e dikurshme e kishës së Shën Shtjefnit në Blinisht të Lezhës. Objekti i kultit i cili gëzon dhe statusin monument kulture ka degraduar bashkë me afresket. Historiani, Dom Nik Ukgjini përmes Report Tv kërkon që të ndërhyhet sa më shpejt nga Ministria e Kulturës.
Kisha e Shën Shtjefnit në Blinisht të Lezhës, shpallur monument kulture i kategorisë së parë ka degraduar plotësisht. Krahas rënies së çatisë vitet e fundit janë shembur muret dhe janë dëmtuar thuajse plotësisht afresket.
“Këtu ka qenë me qemer kisha prej guri, siç është dhe kisha e Balldrenit, tani shihet se është rrënuar nga moskujdesi i institucioneve që duket të merren me monumentet. Mund të bëhet diçka për të ruajtur muret që kanë mbetur, punime restauruese dhe çati. Duhet të shpëtohet kjo kishë, nuk është investim i madh duhet dëshirë vullnet për ta ruajtur”, tha studiues Dom Nik Ukgjini.
“Këtu ku jemi është kisha e Shën Shtjefnit martir” dhe studiuesit tanë që në kohën kur u shpall monument kulture theksojnë se ka qenë kishë me vlera si në arkitekturë ashtu dhe në histori sepse në këtë zonë ka jetuar edhe familja e njohur e blinjishtave, familje princore. Që në 1610 dalin këto objekte në dokumente, por edhe më herët”, u shpreh ai.
Bashkë me muret janë dëmtuar edhe afresket e rralla, ndërsa Ukgjini apelon Ministrinë e Kulturës dhe Dioqezën e Lezhës të restaurojnë kishën, monument kulture.
“Duhet të kujdeset kisha e Lezhës, bashkë me Bashkinë dhe Ministrinë e Kulturës”, theksoi ai.
Nëse nuk ndërhyhet me urgjencë rrezikojmë të humbasin një ndër monumentet më të bukura të kulturës në veri të vendit.
Shqiptarja.com