Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve: Shek. VI. (+ Album 17 foto). –
Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve, nga i cili morri emrin qyteti i Sarandës, ndodhen në lindje të tij, në pjesën më dominuese të kodrës së Gjashtës, Sarande dhe konsiderohet si një nga monumentet me arkitekturën më unikale. Arkeologu Italian Luigi Maria Ugolini, i cili e ka studiuar atë në mesin e viteve 1920, shprehet se kisha ishte ndoshta një prej më të mirave, në mos deri dhe më e bukura, që kishte parë në Shqipëri. Bazilika është ndërtuar që në antikitetin e vonë, si qendër peligrinazhi kushtuar kultit të 40 Shenjtorëve, për besimtarët e krishter nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe brigjeve të Adriatikut.
Ajo shërbeu si manastir dhe ka patur dhe amabjente të tjera ndihmëse për pritjen e peligrinëve, të cilat filluan të braktisen me kalimin e kohës, por kisha vetë vazhdoi të përdorej deri në mesin e shek. XIX nga një komunitet i vogël murgjish. Mbas kësaj kohe ajo u braktis dhe filloi gradualisht të rrënohej, por muret e saj ishin në këmbë deri në vitet 1940, kur u rrëzuan nga bombardimet e Luftës së Dytë Botërore.
Kisha është një Heptakonkë (Me shtatë konka) me përmasa të mëdha, gjatësi rreth 43 m dhe gjerësi 23 m, e cila në anën lindore përfundon me një absidë gjysmërrethore. Në planimetri ajo përbëhet nga naosi dhe narteksi. Narteksi është pakë më i gjatë se gjerësia e kishës dhe në anën veriore dhe atë jugore përfundon me konka. Naosi ka në anët veriore e atë jugore, nga tri nike-apsida, që me sa duket, mbuloheshin me çerek sfere. Në anët e naosit, duhet të ketë patur pilastra, të cilat duhet të jenë lidhur me harqe e mbi to do të jetë mbështetur struktura e çatisë.
Nën narteksin ndodhet kripta e përbër nga një sërë kthinas, në muret e të cilave gjenden piktura murale. Shumë interesante janë edhe mbishkrimet me tjegulla të murosura, në fasadën e mureve të kishës. Gërmimet arkeologjike të kryera në vitet e fundit kanë zbuluar të dhëna të reja për baptisterin, i cili është një kompleks i përbër nga mjedise të ndryshme, me 9 vaska individuale apo kolektive pagëzimi dhe dy pishina.
Funksioni: Manastir dhe qendër peligrinazhi, sot është Monument Kulture.
Itinerari: Në Rrënojat e Manastirit të 40 Shenjtorëve mund të shkoni me çdo mjet transporti, duke ndjekur rrugën nga qyteti i Sarandës në një distancë prej 5 km, drejt majës së kodrës së fshatit Gjashtë.
Nga: DRKK Vlore.