Rreth 8 orë debate në Kryesinë dhe Grupin e PD! Çupi e Tabaku: Jo kandidatë për kryebashkiakë! Alibeaj: Vendosim nesër! Bardhi: Flas pas vendimit
TIRANË- Kur duhen edhe vetëm 3 ditë nga mbarimi i afatit të depozitimit të listave të kandidatëve, për kryebashkiakë apo anëtarë këshillash, në Partinë Demokratike ende nuk ka një vendim për mënyrën se si do të dilet para votuesve më 14 Maj. Në mbledhjen e sotme të Kryesisë dhe grupit Parlamentar, të thirrur nga kryetari i komanduar i PD Alibeaj, ka pasur debate. Deputetët dhe anëtarët e Kryesisë janë të ndarë nëse do të duhet të kenë kandidatë për kryetarë bashkie apo jo.
Pas rreth 8 orësh debatesh në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar demokratët duket se janë jo unikë. Në dalje për mediat folën dy figurat më kryesorë, Bardhi dhe Alibeaj, në prononcimet e të cilëve u vu re një lloj tensioni dhe ndarjeje. Kryetari i Komanduar i PD, Alibeaj tha se vendimi do të merret nesër pasi të dëgjohet edhe Kolegji i Kryetarëve, ndërsa fjalëpakë ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, i cili tha se qëndrimin e tij do ta thotë pasi të ketë një vendimmarrje.
Vetë Alibeaj dhe një pjesë e anëtarëve që e mbështesin, ka kërkuar që PD të dalë në zgjedhjet lokale të 14 majit me 61 kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit si dhe me kandidatë për këshillat bashkiakë. Por ka pasur edhe nga ata deputetë të cilët kanë kërkuar që të mos nxjerrin kandidatë për kryetarë bashkie, në mënyrë që PD të dalë me kandidatë unikë. Ndërkohë, gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka mësuar se Kryesia ka propozuar dy kandidatura për Bashkinë e Tiranës, Jonila Godolen dhe Roland Bejkon. Ndërkohë, edhe gazetari dhe përkthyesi Rudi Erebara mund të jetë një kandidaturë e mundshme.
Gazetarja e Report Tv Danjela Maloku ka zbardhur edhe diskutimet brenda mbledhjes. Deputetja Jorida Tabaku thotë se PD duhet të dalë me një kandidat dhe të nxjerrin vetëm kandidatë për këshilltarë bashkie. Në mbledhje, Tabaku ka thënë se nuk u kërkon demokratëve votën kundër kolegëve të saj.“Opozita duhet të dalë me kandidatë unikë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që ne të bëjmë betejë kundër nesh. Nuk e bëj dot që të kërkoj votën kundër kolegëve të mi”, ka thënë Tabaku.
Të njëjtin qëndrim si Tabaku kanë mbajtur edhe deputetët Dhurata Çupi, Dash Sula, Saimir Korreshi, Bledio Nallbati apo edhe Gazment Bardhi. Demokratja Çupi është shprehur se nëse dalin me kandidatë për bashkitë rrezikon që PD të zvogëlohet akoma edhe më shumë.“Ne duhet të mbajmë strukturat unike dhe fakti që kemi mendim po thuajse gjysmë për gjysmë kemi rrezikun që të ndahemi edhe një here e mund të zvogëlohemi përsëri”, ka thënë ajo.
Nga ana tjetër, deputetë si Oriola Pampuri dhe Arbi Agalliu, e Kreshnik Çollaku kërkojnë të dilet me kandidatë.
Alibeaj premton zgjidhje të shtunën, kur edhe do të mbledhë në orën 12 Kolegjin e Kryetarëve, ditë kur edhe socialistët nga ana tjetër do të zyrtarizojnë emrat e tyre për kandidatë në 61 bashki.
Gazeta Shqiptarja.com