Rrethohet kantieri i Muzeut Historik Kombëtar për punimet e rikonstruksionit, studiuesit: Nga MEKI mungon transparenca
7 Qershor 2024
Nga Julia Vrapi
Projekti për restaurimin, rikonstruksionin dhe muzealizimin e Muzeut Historik Kombëtar sjell dhe mbylljen e institucionit më të rëndësishëm muzeor në vend. Tashmë është rrethuar dhe kantieri i Muzeut Historik Kombëtar për punimet e rikonstruksionit. Në një pjesë të fasadës së MHK-së janë vendosur dhe skelat, por ka munguar një reagim zyrtar i Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për institucionin më të rëndësishëm muzeor në vend, fazat e kësaj ndërhyrjeje, çfarë do të ndodhë me objektet, etj. Studiues të ndryshëm që dhe më parë kanë reaguar për MHK-në shprehen se kjo është një mungesë transparence nga institucionet.
Studiuesi Jaho Brahaj thotë se duhet të ishte publikuar nga MEKI më parë se çfarë do të ndodhte me ndërhyrjen në MHK. “Punë të fshehta për Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. Nuk kemi një plan të detajuar të publikuar se çfarë ndërhyrjesh restauruese, ndryshuese të përmbajtjes së tij, etj, do t’i ndodhin MHK-së, ambienteve përreth tij, duke vënë theksin çfarë do ndodhë në truallin e MHK që është në pjesën e pasme.
Nëse do vijojmë të kemi errësirë në dijeninë e veprimtarive që kryhen me lekët e buxhetit të shtetit shqiptar kjo tregon që janë punë, të cilat nuk sjellin asnjë dobi dhe fshehin ato që publiku nuk i di”, thotë Brahaj. Por edhe pse ky projekt është parë me rëndësi nga institucionet më parë për MHK-në, për studiuesin Brahaj është detyrim të tregohet përpara ndërhyrjes së çfarë do ndodhë me muzeun që ka thesare të trashëgimisë sonë. “MEKI e ka në varësi dhe është e detyruar të kryejë ndërhyrje restauruese në bazë të disa projekteve ndoshta dhe në ndryshimin e përmbajtjes së muzeut, dhe ka detyrimin t’i ruajë objektet, t’i popullarizojë, por detyrimi kryesor është të tregojë se çfarë po bën me MHK, ç’po ndodh te kjo godinë, ku ka thesare të trashëgimisë sonë kulturore”, thotë Brahaj, që dhe më parë ka folur mbi rëndësinë e MHK-së.
Reagimet zyrtare
Edhe për studiuesin e artit Agim Janina nuk mund të ketë heshtje nga institucionet për ndërhyrjen që do të ketë Muzeu Historik Kombëtar që dhe është mbyllur. Janina thotë se procesi për ndërhyrjen duhet të jetë transparent dhe për këtë ai thotë se duhet reagimi i MEKI-t. “Unë nuk e di nëse ka një grup pune me piktorë, studiues, etj, dhe kush e drejton, sepse do të strukturohet gjithë ana vizuale e muzeut. Edhe nëse ka, kush do ta bëjë? Kur u bë MHK dekada më parë u mblodhën njerëz profesionistë sipas fushave përkatëse.
Nuk di të ketë një vendim për të bërë ristrukturimin e brendisë së muzeut, të eksponateve që do ekspozohen, të materialeve që do ekspozohen, etj. Jo vetëm Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që duhet të dalë me një deklaratë zyrtare, por duhet të dalë qeveria për muzeun. MEKI nuk ka transparencë për MHK-në”, thotë Janina. Por edhe pse shpreh vërejte ,sepse nuk ka reagime zyrtare për çfarë do të ndodhë në MHK, studiuesi Agim Janina thotë se në kushtet e reja që kaloi vendi patjetër muzeu kërkon një ristrukturim, sepse do futet dhe ana vizuale, ana pamore, etj. “Sot kemi një periudhë 30 vjeçare që ndoshta nuk është pasqyruar fare në MHK, por që muzeu do rijetësohet është pozitive, por të ketë një diskutim, debat”, thotë Janina.
Në javën e parë të marsit Muzeu Historik Kombëtar përmes një njoftimi në rrjete sociale drejtuar agjencive turistike, drejtuesve të tureve kulturore dhe palëve të tjera të interesuara, bëri me dije se do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028. “Në kuadër të zbatimit të projektit “Restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi i Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë”, Muzeu Historik Kombëtar do të jetë i mbyllur për vizitorët për periudhën 15 mars 2024 deri më datë 15 mars 2028”, thuhej në njoftimin e MHK. Por nga ajo kohë dhe deri tani MHK vijoi aktivitetin normalisht edhe pse nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk pati ndonjë deklaratë zyrtare mbi këtë proces. Ministria e Kulturës në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe UNOPS, Muzeun Historik Kombëtar e kanë përfshirë në programin “EU4Culture”. Në dhjetor 2023, u prezantua projekti për restaurimin dhe rimuzealizimin e Muzeut Historik Kombëtar. Përfaqësuesi i studios “Casanova + Hernandez architects” prezantoi projekt-konceptin muzeal të MHK, ndërsa arkitekti nga studio “I RI” përshkroi ndërhyrjet restauruese dhe përforcuese të godinës, e cila pësoi dëmtime nga tërmeti i vitit 2019. Sipas dokumenteve muzeu është pjesë e listës së institucioneve të trashëgimisë kulturore kombëtare që rezultoi me dëmtime pas vlerësimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019 dhe me një nevojë për ndërhyrje. Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981.