Rrezatimi i diellit – çfarë rreziku sjell për lëkurën, shikimin dhe jetën – si mbroheni
29 Maji 2024
Nëse rrini të pambrojtur nën dritën e diellit të fortë të verës, do të vendosni veten në rrezik.
Rrezet e forta të diellit ndikojnë shumë për dëmtimin e lëkurës, dëmtimin e shikimit dhe tumoret e lëkurës.
Kjo është arsyeja pse është tejet e rëndësishme për shëndetin tuaj që të mbroni veten kur dilni nga shtëpia sidomos gjatë verë.
Dëmet nga rrezet ultraviolet në lëkurë
Ekspozimi ndaj diellit shkakton shumë ndryshime në lëkurë, duke dëmtuar fibrën e quajtur elastinë. Kjo bëhet shkak që lëkura të rrudhoset, të varet dhe të humbasë aftësinë e saj për t’u kthyer në vendin e vet.
Rrezet e dëmshme gjithashtu shkaktojnë njolla të verdha të lëkurës, nishane, rrudha, tumore dhe dëmtim të enëve të vogla të gjakut nën lëkurë.
Kjo i bën njerëzit që kanë kaluar shumë kohë në diell të duken shumë më të vjetër në moshë se sa janë me të vërtetë.
Hidhini një sy kësaj fotoje interesante. Ky burrë punoi si shofer kamioni për 28 vjet dhe mori shumë më shumë dëmtime nga dielli në anën e majtë të fytyrës së tij.
Kjo pasi ajo ishte ana që u godit nga rrezet e diellit direkte që vinin përmes dritares së tij të kamionëve.
Dallimi midis anës së dëmtuar nga dielli dhe fytyrës së tij, që ishte në hije, është tronditës. Ky njeri është një shembull i gjallë përse është e rëndësishme të mbroni lëkurën tuaj nga dielli.
Dëmet e diellit dhe rreziku i rritur i kancerit të lëkurës
Kanceri i lëkurës ndodh kur ngjan rritja e pakontrolluar e qelizave anormale të lëkurës. Dielli është shkaku kryesor i kancerit të lëkurës, i cili tani është bërë më i zakonshmi nga të gjitha tumoret.
Shumë studime të konsultuara nga AgroWeb.org provojnë se shumica e tumoreve të lëkurës mund të shmangen në mënyrë efektive duke parandaluar dëmtimin e diellit.
Ka shumë lloje të ndryshme të tumoreve të lëkurës, por melanoma është më e rrezikshmja.
Ajo mbart rrezikun e përhapjes në pjesë të tjera të trupit, dhe nëse nuk kapet herët, mund të jetë vdekjeprurëse.
Nëse vëreni se keni një nishan që ka ndryshuar ngjyrën, madhësinë ose formën, atëherë duhet të kontrolloheni nga një mjek.
Mbrojtja e duhur nga Dielli
Mbi të gjitha mbroni kokën duke përdorur një kapele. Shumë pak shqiptarë e përdorin dhe rezultatet e mospërdorimit të saj janë shumë të dukshme.
Kapelja nuk është një zgjidhje vetëm për moshat e treta, por një domosdoshmëri për çdo moshë nëse doni të mbroni shëndetin tuaj.
Sidomos duke marrë parasysh rrezatimin e fortë të diellit në ditët e nxehta të verës shqiptare.
Kapelja është një mbrojtëse e duhur për kokën, flokët dhe fytyrën.
Mund t’ju duket luks, por edhe përdorimi i kremit me faktor mbrojtës kundër diellit këshillohet si tejet i nevojshëm për mbrojtjen e lëkurës.
Ju gjithashtu duhet të shmangni të qënit nën rrezet direkte të diellit gjatë mesditës. Kur rrezet ultraviolet janë më të forta, ju keni rrezikun më të lartë të dëmtimit nga dielli.