“Rreziku është i lartë nëse infektohemi midis dozës së parë e të dytë”, Brataj: Ja kur nisin të krijohen antitrupat
17 prill 2021
Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, ka ngritur shqetësimin për mundësinë e infektimit pas injektimit të dozës së parë, duke vënë në dukje se ka pasur shumë raste të tillë që nga nisja e procesit të vaksinimit.
Sipas tij, antitrupat kundër Sars-Cov-2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës dhe nëse ndodh që të infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë, rreziku është i lartë.
“Që nga fillimi i vaksinimit ka pasur jo pak raste infektimi me Sars-Cov-2 edhe në ato raste kur është marrë doza e parë e vaksinës. Nuk është vaksina që shkakton sëmundjen e Covid-19, por infektimi me Sars-Cov-2. Specifikoj se ka pasur raste për të gjitha llojet e vaksinave që janë administruar në Shqipëri.
Antitrupat kundër Sars-Cov-2 fillojnë në javën e dytë pas injektimit të vaksinës. Po ashtu, përgjigjja imunitare pas dozës së parë nuk është e lartë që të na mbrojë nga infektimi, por sidomos nga format e rënda. Antitrupat fillojnë të prodhohen në nivele të larta pas 7- 10 ditësh nga marrja e dozës së dytë.
Vërtet që vaksina ul infeksionin dhe rastet e rënda, por nëse infektohemi në periudhën midis dozës së parë dhe të dytë, rreziku është i lartë”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale, i cili ka apeluar për respektim të masave anti-Covid, veçanërisht gjatë periudhës midis dy vaksinave, të cilën ai e ka konsideruar si periudhë tranzitore.
Gazeta Panorama