Rreziku nga sulmet serbe: – Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë
25 Dhjetor 2023
Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Shtimi i forcave të KFOR-it në Kosovë vjen pas sulmit terrorist serb më 24 shtator në Banjskë, në veri të Kosovës.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, theksoi se rreziku i një sulmi të ri nga Serbia mund të jetë i përhershëm.
Diplomati shqiptar tregon për KosovaPress se vitin e ardhshëm do të sjellë në KFOR edhe 40 ushtarë shtesë. Ambasadori Malaj tha se aktualisht numri i ushtarëve shqiptarë në misionin e NATO-s në Kosovë i kalon 100.
“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it dhe Shqipëria gjithmonë i ka qëndruar mendimit që KFOR-i duhet të forcojë praninë e tij dhe të jetë i pranishëm kudo në Kosovë për të realizuar misionin e tij që ka për siguri dhe të paqes për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Mendoj se KFOR-i po e bën këtë, ka rritur forcat dhe prania e tij në veri të Mitrovicës ndjehet më shumë, pikërisht duke parë edhe rrezikun, por nga ana tjetër edhe duke pasur idenë e tyre për të zbatuar sa më mirë misionin që ata kanë në Kosovë. Ne do të sjellim sërish trupa vitin tjetër. Kështu Shqipëria edhe në vitin tjetër do të sjellë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 forca”, tha Malaj.
Diplomati ka komentuar edhe deklaratat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani se Serbia po planifikon sulme të reja.
“Përderisa flet presidentja e Kosovës dhe strukturat e tilla të një shteti i cili është mirë i organizuar, padyshim që ata kanë informacionin e duhur dhe i dinë shumë mirë këto gjëra. Unë nuk kam informacionin e duhur, ndoshta për detaje, por di që rreziku mund të jetë permanent. Prandaj, duhet bëhen disa hapa. Nuk mund të shkojmë askund duke pasur vetëm konflikte. Patjetër që dialogu ka sjellë marrëveshje, ato kërkojnë zbatim të dyanshëm. Në rastin konkret Kosova ka bërë atë që duhet dhe po bën hapat e duhur për këtë gjë”, thekson Malaj.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, disa ditë më parë në takimin e samitit të BE-së me Ballkanin Perëndimor i njoftoi liderët evropianë, siç tha ajo, për rrezikun që vjen nga Serbia për paqen dhe sigurinë në vend dhe rajon.
Po ashtu, Instituti Amerikan Robert Lansing ka shprehur shqetësimin për sulmet e reja nga Serbia ndaj Kosovës, veçanërisht pas incidentit të 24 shtatorit. Gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti, tha dje në një konferencë për mediat se Millan Radoiçiç po planifikon sulmin e radhës në Kosovë.
Gazeta sot