RREZIQET E PENGMARRJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE.
RREZIQET E PENGMARRJES SË TRASHËGIMISË KULTURORE.
Qytetërimi në thelb nuk është tjetër veçse aftësia e shoqërive njerëzore për t’i mbijetuar shuarjes biologjike të individëve që e përbëjnë atë përmes transmetimit në brezat pasardhës të vlerave, virtyteve e praktikave të dëshmuara si më të mirat nga brezat aktualë dhe paraprirës. Pra, qytetërimi është trashëgimi. Është gjurma e vazhdueshme që njerëzimi skalit në botën që e rrethon. Qytetërimi njerëzor nuk është vetëm fryt i bashkëveprimit të individëve në një shoqëri të caktuar, në një vend të caktuar dhe në një kohë të caktuar, por është para së gjithash bashkëveprimi i shoqërive të kaluara me njëra-tjetrën dhe me shoqëritë tona aktuale. Pa trashëgimi nuk ka qytetërim. Në këtë kuptim trashëgimia nuk i përket një shoqërie apo një brezi, por të gjithë brezave. Trashëgimia që na kanë lënë brezat para nesh nuk është aspak e jona, por është e të gjithë brezave, e atyre që nuk janë më, e jona dhe e atyre që do jenë.
Përvetësimi i trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e mëparshëm nga një brez i caktuar është njëlloj i padrejtë dhe i paligjshëm sikurse përvetësimi i pasurisë publike nga një individ i caktuar. Asnjë brez nuk mund ta ketë tagrin e aq më pak monopolin e gjykimit të trashëgimisë që na kanë lënë brezat. Nuk mundet e përkohshmja të gjykojë të përhershmen, moda të bukurën dhe as shoqëria e sotme të gjykojë trashëgiminë e brezave të mëparshëm. Kjo trashëgimi nuk është për t’u gjykuar, por për t’u kuptuar, për t’u vlerësuar dhe përçuar tek brezat e ardhshëm. Ne mund ta pasurojmë këtë trashëgimi me gjurmën e kohës sonë, por nuk e kemi të drejtën që të fshijmë gjurmët e të parëve.
Trashëgimia kulturore nuk mund të rikrijohet në dallim nga historia që mund dhe duhet të rishkruhet. Mirëpo, që historia të rishkruhet në përputhje me procesin e zhvillimit dhe zgjerimit të horizontit shkencor, lipset që trashëgimia e së kaluarës të jetë sa më e plotë, me dritëhijet e saj, me të gjitha nuancat e saj dhe të kohës që ka vepruar mbi të. Këndvështrime të reja mund të përftohen vetëm në se ekzistojnë ngrehinat e së kaluarës. Mbi rrafshinat e historisë ngado që ta hedhësh vështrimin, këndshikimi mbetet i njëjtë, monoton, nuk mund të rishkruhet as të ripërftohet. Kontakti me të kaluarën dhe trashëgiminë kulturore të saj është një nga elementët më të rëndësishëm që nxit larminë e këndvështrimeve, që stimulon lirinë e mendimit dhe që shërben si vatër kultivuese e demokracisë. Për këtë arsye një nga veçoritë e regjimeve totalitare është vendosja e trashëgimisë kulturore në bankën e gjyqit ideologjik dhe gjykimi i brezave të mëparshëm me kutin dhe miopinë e brezave aktualë. Në këtë mënyrë ideologjia merr në dorë pishën e barbarisë me të cilën synon të zhbëjë qytetërimin, të uniformizojë të kaluarën përmes shkatërrimit të gjurmëve të saj, sepse jehonën e trashëgimisë e konsideron si pengesë në njëtrajtësimin e mendjeve, si sfidë e pushtetit totalitar.
Nga të gjitha llojet e barbarisë që i kundërvihen qytetërimit ajo ideologjike është më e shëmtuara, më shkatërrimtarja. Përgjatë historisë shoqëritë e ndryshme janë përballur për hapësira e pushtet dhe në këto përballje nuk kanë munguar as përpjekjet për zhbërjen e së kaluarës dhe shkëputjen e trashëgimisë së kundërshtarëve. Siç na e kujton Taciti, jo rrallë ndodh që fuqi të caktuara shkatërrimin e trashëgimisë së kundërshtarëve e quajnë paqe (ubi desertum faciunt, pace appellant). Roma pasi doli fitimtare në luftën kundër Kartagjenës e rrafshoi dhe i vuri plugun këtij qyteti të lulëzuar. Përtej simbolikës që mbart dhe përcjell ky veprim duhet shquar një qëllim pragmatist që synonte shmagjen e ringritjes së pushtetit kartagjenas.
Fat i ngjashëm e gjeti edhe vetë Romën shekuj më vonë në periudhën e dyndjes së popujve, kur qytetet e lulëzuara romake dhe ilire gjithashtu, u bënë rrafsh me tokën nga popullsitë e dyndura në tokat e ëndërruara të qytetërimit mesdhetar. Sado paradoksal të duket shkatërrimi i asaj kulture e qytetërimi që ata popuj aq shumë e kishin dëshiruar dhe i kishte mahnitur, nuk duhet harruar se në themel të sulmit të barbarisë kundër qytetërimit, qëndronte pamundësia për ta përvetësuar qytetërimin më të sofistikuar mesdhetar dhe pushteti që trashëgimia e atij qytetërimi ushtronte mbi popullsitë e dyndura. Frika e mbytjes së barbarisë në detin e qytetërimit u dha shkas këtyre popujve që ta shmangin këtë“rrezik”, duke e tharë këtë det qytetërimi, qoftë edhe me koston shumë të lartë të rikrijimit të gjithçkaje nga e para. Sërish, nuk jemi përballë një veprimi të ideologjizuar dhe të zhveshur nga funksionaliteti. Ata popuj të dyndur në tokën e ëndërruar shkatërronin nga qytetërimi mesdhetar vetëm atë që e konsideronin si të rrezkishme për “barbarinë” e tyre, pavarësisht se ajo çfarë ata konsideronin si të tillë rezultoi të ishte aq e madhe sa që e shndrroi përfundimisht peisazhin qytetërimor të Europës.
Ndryshe ndodhi në bregun jugor të Mesdheut, ku qytetërimi i lashtë mesdhetar, që ishte modeluar sipas frymës romake, u përball me dy sfidues që në të kundërt të popullsive të dyndura nga stepat lindore e rimodeluan këtë qytetërim mesdhetar, duke ruajtur më të mirën e tij dhe duke i shtuar të mirat e tyre: Krishtërimi dhe Islami. Ashtu sikurse Jezusi që hyri në tempullin e Jeruzalemit jo për ta shkatërruar, por për ta pastruar nga matrapazët e fajdexhinjtë, edhe Muhamedi a.s kur hyri paqësisht në Mekë, pas vitesh të tëra ekzili e persekutimi, nuk e shkatërroi Qaben, por përkundrazi vetëm e pastroi nga idhujt që e kishin përmbytur me injorancë. Qytetërimi nuk shkatërron. Qytetërimi përmirëson, zhvillon, shton e pasuron trashëgiminë e së kaluarës. E mbi të gjitha qytetërimi mbron dhe përçon trashëgiminë e brezave të kaluar për brezat që do vijnë.
Është elementi kohë që me alkiminë e vet e shndrron në thesar për brezat pasardhës edhe atë që bashkëkohësisht e gjykojnë si të rëndomtë. Një monedhë e vockël dhe e meziruajtur bakri e para disa shekujsh apo mijëvjeçarësh vlen sot miliona dollarë apo kilogramë të tërë ar. Po ashtu është elementi kohë që përveçse nxjerr në pah vlerat e së kaluarës, i bën të dukshme edhe dëmet e barbarive të së shkuarës. Ndërkohë që barbaria e ideologjizuar shkonte dëm lumenjtë e djersës së popullit shqiptar në projekte miliarda dollarëshe bunkerizimi pa asnjë funksion mbrojtës, nuk harronte të shkatërronte trashëgiminë kulturore që nuk mund të matet as vlerësohet me para, të kishave, xhamiave, pazareve, banjove publike, etj. Më tragjike dhe më e nxirë duket dora e barbarisë ideologjike po të mendohet se romakët shkatërruan vetëm kryeqytetin kartagjenas, apo popujt e ashtuquajtur barbarë shkatërruan kryesisht qendrat e fortifikuara që paraqisnin rrezik ushtarak për ta.
Përkundrazi barbaria ideologjike nuk drejtohej kundër ndonjë kazerme ushtarake apo qendre pushteti rival, por kundër faltoreve dhe kundër gjithçkaje që nuk hynte në kallëpin e ngurtë të ideologjisë. Pazari i Shkodrës, ndër më të mëdhenjtë në Ballkan dhe qendër ekonomike e kryeqendrës së Sanxhakut e më pas të Vilajetit të vetëm që mbeti në kufijtë e Shqipërisë së coptuar, u shndrrua në livadh. Gjithçka u shkatërrua për asgjë. Kurrsesi nuk mund të rikthehet ajo trashëgimi e humbur në delirin e miopisë së një brezi që e shpallte veten jo vetëm gjykatës të plotfuqishëm të shoqërisë, por edhe gjykues përfundimtar të trashëgimisë kulturore dhe historisë. Nga ajo trashëgimi e zhdukur përgjithmonë na ka mbetur si mësim shembulli i keq që tregon se sa barbare mund të jenë verdiktet e gjyqit të së përkohshmes ndaj të përhershmes, të ideologjisë ndaj trashëgimisë.
Pengmarrja e trashëgimisë së krijuar nga shumë breza nga një brez i vetëm, egocentrik, sjell pashmangshëm një rreth vicioz pengmarrjesh në seri. Secili brez shkatërron atë që e koncepton si jo të vlefshme. Ashtu sikurse Roma e shkatërroi Kartagjenën, edhe Roma u shkatërrua nga popujt e dyndur. Ashtu sikurse miopia ideologjike enveriste shkatërroi kisha e xhamia, pazare e saraje, edhe anarkia post-ideologjike shkatërroi pemishta e fabrika, kanale e brezare. Ashtu sikurse prej hakmarrrjes sipas parimit sy për sy, bota do mbetej e verbër, edhe prej pengmarrjes së trashëgimisë sipas parimit “nuk pyes për ty”, bota dhe Shqipëria bashkë me të, do kthehej në tokë të djegur.