Rriten me 34% bizneset e mbyllura në maj-tetor, dy qytetet më të goditura
Rriten me 34% bizneset e mbyllura në maj-tetor, dy qytetet më të goditura
– 24/11/20
Pasoja që Covid-19 ka sjellë në ekonomi po ndihen më shumë te bizneset e vogla, që po detyrohen të mbyllin aktivitetin.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, të përpunuara nga Monitor, për kompanitë që kanë kaluar në status pasiv gjatë periudhës 1 maj- 31 tetor tregojnë se numri i tyre u rrit me 34%.
Në total, mbi 4900 subjekte kanë kaluar në status pasiv gjatë këtyre 6 muajve (periudha mars-prill nuk është marrë në konsideratë, pasi në atë periudhë bizneset e kishin pothuajse të pamundura të bënin veprime).
Ndonëse ekonomia filloi të hapej gradualisht pas majit, konsumi vijoi të ishte i tkurrur, duke detyruar shumë subjekte të mbyllin dyert. Pothuajse në të gjitha drejtoritë rajonale është rritur me ritme dyshifrore numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv, me përjashtim të Dibrës, e vetmja me rënie dhe Beratit e Gjirokastrës, që panë rritje më të lehtë.
Në Tiranë, kaluan në status pasiv gati 1600 subjekte për periudhën maj-tetor, me një rritje prej 22% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 32% e bizneseve të mbyllura ishin në Tiranë (në vend rreth 40% e subjekteve ushtrojnë aktivitetin në kryeqytet).
Në Durrës, i cili përveç pandemisë është goditur dhe nga tërmeti, numri i subjekteve të mbyllura u rrit me 24%, duke arritur në rreth 680.
Dy rajonet më të goditura kanë rezultuar Vlora dhe Shkodra. Në qytetin bregdetar, mbylljet e subjekteve u dyfishuan, duke i kaluar 520 biznese, që kanë pushuar së ushtruari aktivitetin e tyre. Në Shkodër, janë 65% më shumë subjekte të kaluara në status pasiv, duke arritur në 414.
Rritje e lartë e bizneseve të mbyllura është konstatuar dhe në Korçë (+58%), Sarandë (+54%), Kukës (49%), Elbasan (41%).
Dibra është i vetmi rajon që ka parë një rënie të numrit të bizneseve të mbyllura me 20% për periudhën në fjalë.
Bizneset e vogla rezultojnë më të goditurat, ndërsa të mëdhenjtë po e përballojnë më mirë krizën. Në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka vetëm pak kompani që kanë kaluar në status pasiv, kryesisht pasi janë ristrukturuar apo shitur.
Një anketim i mëparshëm i Monitor me 2015 subjekte që kanë kaluar në status pasit për periudhën maj-gusht gjeti se rreth 80% e të pyeturve pohuan mbyllje të aktivitetit për shkak të rënies së xhiros nga COVID-19, detyrimeve fiskale, gjobat, anulim kontratash etj. Nga të intervistuarit, raportuan mbyllje të aktivitetit si biznese të hapura para 25 vitesh, edhe ato me një aktivitet disamujor apo mbi një vit.
Për shkak të pandemisë, shumica e tyre japin arsye të falimentimit rënien e lartë të xhiros, fuqisë blerëse dhe marrjes së borxheve për të përballuar detyrimet. Disa nga bizneset e anketuara pranuan se kanë përfituar pagesat nga Paketat Financiare 1 dhe 2, por i vlerësuan të pamjaftueshme për të përballuar detyrimet./ Monitor
Nga gazeta Mapo