Rritet çmimi i biletave për të vizituar Kullën Eifel
25 Qershor 2024
Biletat për të vizituar Kullën Eifel janë rritur me 20 për qind në një përpjekje për të kompensuar kostot e mëdha të mirëmbajtjes.
Rritja e çmimit erdhi vetëm disa javë para hapjes së Lojërave Olimpike dhe pas muajsh tensioni mes kompanisë që menaxhon “Zonjën e çelikut” dhe autoriteteve të qytetit të Parisit mbi të ardhurat e krijuara nga simboli i qytetit të dritës.
Kulla Eifel është një nga 10 monumentet më të vizituara në botë, ajo ngrihet 330 metra mbi horizontin e Parisit, dhe kostot e mirëmbajtjes së saj tani “kanë arritur majat e krahasueshme”, raporton France24.
Çmimet janë rritur dhe tani të rriturit duhet të paguajnë më shumë se 35 euro për të parë kryeqytetin francez nga maja e “zonjës së çelikut”, që është një rritje prej 20 për qind në krahasim me çmimin e mëparshëm të biletës prej 29.10. euro.
Me të ardhurat nga rritja e çmimit për të gjitha biletat, kompania publike që menaxhon Kullën Eifel, SETE (Societe d’Ekploitation de la Tour Eiffe), shpreson të ribalancojë bilancin e saj, pasi u godit nga një mbyllje e zgjatur gjatë pandemisë Covid19 dhe një mosmarrëveshje pune që çoi në mbylljen e përkohshme të kullës në shkurt, sipas France24.
Turistët që shpresonin të vizitonin Kullën Eifel midis 19 dhe 24 shkurtit ishin të zhgënjyer pasi ajo u mbyll për shkak të grevës. Disa ditë më parë, dy sindikatat e punëtorëve në monument njoftuan se do të ndalonin punën për të kërkuar një “model ekonomik të qëndrueshëm dhe realist” për kullën.
Kulla Eifel nuk e ka humbur tërheqjen e saj si një atraksion turistik, dhe në vitin 2023 ajo u vizitua nga rreth 6.3 milionë njerëz, më së shumti që nga viti 2015, sipas France24.