Rritja e korrupsionit në Shqipëri, flet ambasadori i OSBE: Keqardhje, u përmbys prirja pozitive e…-

31 janar 2019.

 

Transparency International publikoi rezultatet e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit për vitin 2018, duke e renditur Shqipërinë në vend të 99-të mes 180 vendeve dhe territoreve të përfshira në këtë indeks.

Shqipëria shënoi 36 nga 100 pikë gjithsej, duke humbur dy pikë në krahasim me vlerësimin e vitit 2017 dhe tri pikë në krahasim me atë të vitit 2016.

 

“Mungesa e progresit në luftë kundër korrupsionit mbetet një nga problemet më serioze që ndeshet në shumë vende të botës, duke dobësuar sistemet demokratike dhe duke dobësuar kështu besimin e qytetarëve në proceset demokratike. Korrupsioni e gërryen besimin publik dhe e shtrembëron rritjen ekonomike në demokracitë e reja. Fatkeqësisht, shumica e vendeve të Evropës Juglindore kanë pësuar regres në krahasim me një vit më parë. Prirja negative në rastin e Shqipërisë është edhe më shqetësuese, pasi përmbys përmirësimin e dukshëm në perceptimin e korrupsionit mes viteve 2013 dhe 2016”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së Ambasadori Bernd Borchardt.

Transparency International vëren se një shkak i mundshëm i kësaj prirjeje të kundërt është ngërçi politik në vend gjatë vitit 2018, ngërç i cili solli për pasojë bllokimin e reformave të rëndësishme kundër korrupsionit, ndërkohë që vazhdimi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe themelimi i institucioneve të reja kundër korrupsionit janë zhvillime inkurajuese, që ende nuk kanë dhënë fryt.

“E shohim me shqetësim perceptimin e përmbysur për korrupsionin në Shqipëri”, tha Borchardt. “Rezultatet e indeksit tregojnë se Shqipëria duhet të vijojë së reformuari sistemin e institucioneve të saj publike, i cili perceptohet si më i korruptuar sesa dy vjet më parë”.

Ambasadori Borchardt tha se reformat e ndërmarra, përfshirë këtu vetingun në sistemin e drejtësisë, duhen realizuar, si dhe të ngrihen institucionet e reja kundër korrupsionit: “Presim me padurim themelimin e institucioneve të reja kundër korrupsionit dhe vazhdojmë t’i bëjmë thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese në Shqipëri të vazhdojnë me zbatimin e reformave në drejtësi dhe reformave kundër korrupsionit në përputhje me rekomandimet dhe detyrimet ndërkombëtare të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit”.

Ai theksoi po ashtu rolin që mund të luajnë qytetarët edhe shoqëria civile në këtë drejtim: “Qytetarët shqiptarë duhet ta refuzojnë dhe denoncojnë korrupsionin pranë organeve qeveritare. Po ashtu, shoqëria civile duhet ta monitorojë vazhdimisht jetën publike në vend dhe të raportojë rregullisht sa i përket çdo çështjeje lidhur me korrupsionin, duke e mbajtur këtë temë në qendër të vëmendjes së publikut, si dhe duke mbështetur zhvillimin e legjislacionit, institucioneve dhe ekspertizës së fushës”.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh keqardhjen që prirja pozitive që ekzistonte prej vitit 2013 e më tej u përmbys në 2017-ën dhe u përkeqësua më tej në vitin 2018. Ne mbetemi të përkushtuar që ta mbështesim Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”, tha në fund Borchardt.

Gazeta  Panorama.