Rritje e çmimeve me 30%/ Shtrenjtimi i jugut ‘tremb’ pushuesit, Kasa: Po ikin turistët
11 Korrik 2024
Jugu mbetet bregdeti më i preferuar nga turistët e huaj por edhe ata vendas. Por gjatë kësaj vere hotelet dhe restorantet që ofrojnë shërime aty po stepin turistët për shkak të shtrenjtimit të çmimeve në krahasim me një vit më pare.Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar Rrahman Kasa deklaron se rritja e çmimeve me rreth 30% është një fakt i pajustifikueshëm.
“Shumë plazhe, sidomos ato plazhet e jugut, kanë një kapacitet shfrytëzimi më pak se 50% deri më tani, po shkojmë drejt mesit të korrikut. Kishim një rritje drastike të çmimeve, e cila varionte nga 20-30 % për shkak të rënies së euros dhe për fat të keq vazhduan të mbajnë të njëjtin trend rritës. Nuk mund të rriten çmimet nga viti në vit, sepse nuk ka asnjë lloj kuptimi. E gjitha bota ka ca kritere dhe kriteret e rritjes variojnë nga 5, 6 dhe 8% maksimumi.”, tha ai.
Sipas Kasës shtrenjtimi i çmimeve ka lënë të pakënaqur edhe turistët e huaj, të cilët kanë paguar më shumë nga sa u është reklamuar. “Krijon imazhin e keq, krijon atë perceptimin se atje nuk shkohet, sepse atje shumë shtrenjtë dhe nga ky perceptim mund të digjen edhe strukturat të tjera akomoduese, të cilat në fakt nuk kanë një rritje të çmimeve. Edhe kreu i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka dhënë një mesazh për bizneset që të mos abuzojnë me çmimet.
“Duhet të jenë shumë të kujdesshëm, që mos të bëhen me çmime abuzive këto rritje. Në momentin që bëhet në mënyrë abuzive kam përshtypjen se do të kthehet në boomerang, njerëzit do të vijnë, por nuk do të rikthehen”, tha ai. Të dhënat nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit konfirmojnë se deri në qershor, në vend kanë hyrë 4.5 milionë të huaj. Në raport me një vit më parë, shifrat janë zgjeruar me 1.1 milionë apo 32.4 për qind.
Gazeta Sot