5 Shtator 2022

Shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano në vetëm 11 muaj në detyrë ishte një vendim i mbrojtur nga qeveria me argumentin se nuk janë përmbushur objektivat në luftën kundër krimit të organizuar.

Por, përpara se të shkarkohej nga posti, Nano duket se ka shpjeguar sipas mënyrës së tij se përse kanë dështuar operacionet e Policisë së Shtetit në kapjen e personave në kërkim, apo atyre që kanë qenë autorë të ngjarjeve kriminale të kohëve të fundit.

Në reportazhin “Hetime Ekskluzive” për kanalin francez Metropole, Nano dëgjohet të listojë në shqip 14 raste kur kriminelët janë arratisur gjatë kohës që ai drejtonte Policinë, pasi operacionit ishin dekonspiruar dhe informacioni ishte shpërndarë deri te bandat.

Ka pasur rrjedhje të informacionit, mund të ketë ardhur nga vetë ato që kanë kryer investigimin ose nga ekipet operacionale. Kishim 32 në shënjestër dhe arrestuam 1, 2, 3 ,4 …18. Anëtarë të bandave jashtëzakonisht shumë të dhunshme të trafikut të drogës dhe vrasjeve me pagesë”, rrëfen Nano në dokumentar, duke dashur të theksojë faktin se pavarësisht dekonspirimeve, ka pasur edhe rezultate pozitive.

Më tej Gledis Nano, i cili në dokumentar cilësohet edhe si “i hekurt”, shton se për shkak të reformës në drejtësi, i është dashur të largojë nga puna shumë kolegë të vetë në polici.

“Ka një reformë të drejtësisë që po vazhdon në këto momente. Prokurorë dhe gjykatës janë shkarkuar dhe ne po bëjmë të njëjtën gjë me policët tanë. Kjo gjë do pak kohë. Për këtë arsye me është dashur të sanksionojë shumë kolegë te mi në pozicione shumë të larta në detyrë. U shkarkuan. Kjo gjë sepse nëqoftëse një ditë do duam të integrohemi ne BE, duhet të përmbysim disa rregulla. Një nga këto është lufta kundër korrupsionit”, ka zbuluar ish-drejtori.

Gazeta Shqiptare