24 Shkurt 2025

Tre vjet pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar të dyja vendeve që të mbështesin planin e saj të paqes në OKB.

Ambasadorja amerikane Dorothy Shea prezantoi në asamblenë e përgjithshme planin për fundin e luftës, me titull “Rruga drejt paqes”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve anëtare që të refuzojnë amendamentet e Rusisë dhe BE-së në tekstin e tyre të rezolutës, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse “përjetësojnë luftën e fjalëve”.

Ambasadorja amerikane Dorothy Shea saktësoi se rezoluta amerikane nuk është “marrëveshja e paqes” por “rruga drejt paqes”. Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesit evropianë kanë konfirmuar mbështetjen e tyre për Kievin.

BE paraqiti gjithashtu ndryshime në këtë linjë në rezolutën e SHBA në Asamblenë e Përgjithshme, ku asnjë vend nuk ka të drejtën e vetos. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së përsëriti mbështetjen e saj për integritetin territorial të Ukrainës, ndërsa është miratuar rezoluta ukrainase e mbështetur nga BE, me 93 po, 18 jo dhe 65 abstenime. Shtetet e Bashkuara votuan  kundër rezolutës ukrainase të mbështetur nga BE për integritetin territorial të Kievit, e cila megjithatë u miratua.

Vendet anëtare në OKB po votojnë dhe amendamentet e rezolutës amerikane.

Balkanweb