RTSH e Thoma Gëllçit parajsë shpenzimesh, 86.5 milionë lekë vetëm për udhëtime dhe dieta, 338.3 milionë lekë për projekte filmike. Leket e Takses: TVSH.
RTSH e Thoma Gëllçit parajsë shpenzimesh, 86.5 milionë lekë vetëm për udhëtime dhe dieta, 338.3 milionë lekë për projekte filmike.
Leket e Takses: TVSH.
5 QERSHOR 2021
Gjatë kohës që në krye të RTSH ishte Thoma Gëllçi janë shpenzuar brenda një viti 2.4 miliardë lekë. Edhe pse Radio Televizioni Publik ka notuar në para, problemet aty s’kanë fund. Në raportin e publikuar nga institucioni për vitin 2019 raportohet se ka pasur ulje të shpenzimeve në raport me vitin 2018, por po ta vëmë re ky reduktim nuk është i ndjeshëm, ka lëvizje me një përqindje fare të vogël. Ajo që bie në sy është se, niveli i shpenzimeve mbetet shumë i lartë për një institucion të tillë, duke marrë parasysh së shërbimi i dhënë për qytetarët ka qenë më i dobët në krahasim me televizione të tjera që mund të shpenzojnë më pak në një vit. Në raport thuhet se shpenzimet e kryera janë të nevojshme për aq kohë sa institucioni ka një sërë faturash për të shlyer dhe ka rritur programacionin, ndërkohë nuk është siguruar niveli i të ardhurave që parashikohej. Por këtë pretendim e hedh poshtë menjëherë shuma marramendëse e shpenzuar nga ky institucion vetëm për dieta dhe udhëtime, të mos flasim pastaj për paga dhe shërbime vërtet të nevojshme. Në tabelën me të dhënat e shpenzimeve vjetore thuhet se, përgjatë vitit të shkuar janë shpenzuar në total 86.5 milionë lekë vetëm për dieta dhe udhëtime. Ndërsa 61 milionë lekë janë shpenzuar për shërbime të tjera operative që nuk përcaktohen në raport. “Në total RTSH gjatë 2019-s ka shpenzuar 2,424,433,000 lekë. Në kushtet kur RTSH përballet me kosto tepër të larta të procesit të digjitalizimit, shtimit të numrit të kanaleve të transmetimit e larmishmërisë së programacionit, mosrealizimi i të ardhurave të parashikuara në buxhet krijon vështirësi në aftësinë paguese të RTSH-së. Gjatë 2019 realizmi i shpenzimeve për dieta dhe udhëtime regjistrohet 86,498,000 lekë, për shërbime të tjera operative shpenzimet regjistrohen 60,811,000 lekë”, thuhet në raport.
Shpenzime për projekte filmike
Në leximin e raportit bie menjëherë në sy fakti që vetëm për projekte filmike brenda një viti janë shpenzuar më shumë se 338 milionë lekë. Edhe pse në 2019 nuk janë transmetuar ndonjë numër i konsiderueshëm projektesh artistike nga RTSH, televizioni ka shfrytëzuar të gjithë fondin e vënë në dispozicion. “Të gjitha shpenzimet për blerjen e të drejtave të transmetimit, dokumentarë, filma, programe sportive, artistike, dhe është realizuar 100% në vlerën e parashikuar 338,000,000 lekë. Shpenzimet për fondin e prodhimit të pavarur, nuk janë realizuar gjatë vitit 2019. Kjo edhe për faktin që situata e vështirë financiare bëri që të shfrytëzohej kryesisht fondi i projekteve filmike e artistike”, thuhet në raport. Po ashtu bëhet e ditur se 65 milion lekë kanë shkuar vetëm për disa projekte. “Është tërhequr financimi buxhetor në vlerën totale 74,000,000 lekë, nga të cilat vlera 65 milion lekë për aktivitetet si vijojnë: Eurosong 2019, Fesivali Junior Eurovision 2019, Festivalin e 57-të; Këngës në RTSH, Serial TV “Njerka”, seriale radiofonike, programet festive të fundvitit, si edhe një aktivitet i festave të nëntorit dhe dokumentari në kuadër të 100 vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, financuar nga buxheti i shtetit në vlerën 9 milion lekë (shtesë e buxhetit gjatë vitit 2019)”.
Gazeta Sot