Ruajtja e ikonave, restauruesit që kurojnë thesaret e UNESCO-s në Berat rrëfejnë ‘sekretet’! – Si zgjidhen ngjyrat dhe teknika që aplikohet
Realizimi i një ikone bëhet sipas një procedure të përcaktuar dhe shumë interesante. Dy restauruesit Altin Tabaku dhe Milto Bibo që kurojnë dhe mbajnë në jetë thesaret e qytetit të UNESCO-S janë të vetmit që punojnë për restaurimin afreskeve në kisha, pikturave murale në objektet kultit.
Ata zbulojnë disa nga sekretet e realizimit të një ikone. Interesante është jo vetëm procedura e ndjekur por ngjyrat e përzgjedhura. Boja përgatitej nga e verdha e vezës së cilës i shtoheshin ngjyrat e nxjerra nga bimë të ndryshme.
Sot në duar kanë dy ikonat “Shën Mëria mbi fron”, njëra me autor Gjergj Johan Çetiri me prejardhje nga Kisha e Shën Thanasit, Karavasta, Lushnjë dhe tjetra me autor Kostandin Zografi me prejardhje nga fshati Vanai i Fierit. Ato janë pjesë fondit të Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Berat, ku presin edhe 300 ikona të tjera për t’iu nënshtruar restaurimit, secila prej tyre është një pasaportë e rëndësishme për thesaret trashëgimisë shqiptare.