Rusët e pohojnë vetë: – Mes mercenarëve të huaj në Ukrainë, efektivë të Policisë Ushtarake serbe!
2 Shkurt 2023
Agjencia qeveritare ruse e lajmeve “RIA.ru” në 13 janar 2023 me titullin: “Mercenarët nga Serbia plotësojnë batalionin rus” publikoi lajmin se “governatori rus i rajonit të Zaporozhies (Ukrainë), E.Balickij, deklaroi:
“Mercenarët serbë të ardhur në Ukrainë kanë shërbyer në policinë ushtarake të Serbisë. Djemtë nga Serbia janë patriotë të vërtetë. Vëllezërit tanë të armëve nga Serbia erdhën në rajonin e Zaporozhies, pavarësisht ndalimit nga legjislacioni serb për pjesëmarrjen e shtetasve të Serbisë në luftën e Rusisë në Ukrainë. Serbët u rreshtuan në rradhën e parë me forcat tona të armatosura, duke treguar jo me fjalë, por me vepra besnikërinë ndaj Rusisë”
Dy ditë pas njoftimit të mësipërm të agjencisë qeveritare ruse të lajmeve, rrjeti kryesor i propagandës ndërkomëtare ruse “Russia Today” publikoi në rrjetin e saj në serbisht në Beograd reklamën e madhe të kompanisë ruse të rekrutimit të mercenarëve “Wagner”, e cila me lejen e qeverisë së presidentit Vuçiç hapi në fillim të dhjetorit 2022, Qendër Rekrutimi në kryeqytetin serb.
Njoftimi i agjencisë qeveritare ruse “RIA.ru” për mercenarët e Serbisë pjesëmarrës në agresionin rus në Ukrainë kapi në befasi dhe detyroi disa Zyra Diplomatike në Perëndim të dalin nga heshtja filoserbe dhe të bëjnë ndonjë deklaratë larje-goje kundër rekrutimit të mercenarëve serbë në Ukrainë.
Tre ditë pas njoftimit zyrtar rus, presidenti serb Vuçiç për t’u berë qejfin disa Zyrave Diplomatike të Perëndimit, doli në televizionin serb dhe iu lut rusëve:
“A e dini ju se është e ndaluar me ligji pjesëmarrja e shtetasve serbë në luftrat e huaja?”
Presidenti serb nuk e shpjegoi rastësinë e jorastësishme që mercenarët qënkan të gjithë ish-uniforma të formacionit të policisë ushtarake shtetërore të Serbisë. Nuk tha asgjë Vuçiç as për ndonjë plan të qeverisë serbe për të mbyllur Qendrën ruse të rekrutimit “Wagner” në Beograd.
Nuk tha gjë presidenti Vuçiç, sepse e din që ato zyrat diplomatike të Perëndimit, që kujdesen ditë e natë të mos i ngelë hatri Serbisë së përkëdhelur, nuk i paraqesin atij as kërkesa dhe as kushte, dhe kënaqen me fjalët rrence, që lëshon presidenti serb.
Ndërkaq në 30 janar 2023 portali “hungarianconservative.com” njoftonte:
“Wagner po vazhdon rekrutimin e mercenarëve në Serbi. “Wagner group” publikoi edhe një video, që tregon mercenarët serbë në Ukrainë, që stërviten sëbashku me ushtarët rusë”.
Presidenti serb, me sa duket, tallet me Perëndimin. Dhe Kremlini qesh.
Gazeta Dita