Rusia kërcënon hapur Bosnjën se nëse tenton të futet në NATO do e pësojë njësoj si Ukraina. – Ballkani “bombë me sahat”
– Nga ELMAS BOGDANI
Ndikimi ekonomik, dezinformimi dhe aftësia për të përfituar nga skemat e korruptuara, janë tri elementet kyçe përmes së cilave Rusia e shtrin ndikimin në Ballkan.
Por me shpërthimin e luftës në Ukrainë, Moska kërcënon hapur me konflikt të armatosur. Vendi më i rrezikuar që është vendosur në shënjestrën e rusëve është Bosnjë-Hercegovina. Ambasadori rus në Bosnjë, Igor Kalabuhov kërcënoi dje se Moska do të “përgjigjet proporcionalisht” ndaj anëtarësimit të mundshëm të BiH në NATO.
Në një postim në faqen e ambasadës ruse në Facebook, Kalabuhov pohoi se Rusia nuk është një kërcënim për Bosnjë dhe Hercegovinën tani, por shtoi se kjo mund të ndryshojë, varësisht nga zhvillimi i ngjarjeve në të ardhmen. Duke debatuar me ata që janë të mendimit se Rusia po vë në pikëpyetje të drejtën e BiH për të marrë vendime nëse do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s, Kalabuhov u tha qytetarëve të BiH se kjo nuk është e vërtetë, por shtoi se Moska ka të drejtë t’u përgjigjet vendimeve. Nëse e konsideron armiqësore, ne do të veprojmë. “Ju duhet të kuptoni se nëse i bashkoheni një blloku, qëllimi kryesor i të cilit është shkatërrimi i Rusisë, atëherë ne… kemi të drejtë të mbrohemi. A e kuptoni ndryshimin? Për sa kohë që nuk merrni masa kundër nesh, ne ndjehemi të qetë dhe nuk kanë nevojë për të forcuar mbrojtjen”, ka shkruar ambasadori rus.
Moska kërcënon me luftë
Më pas ai përpunoi tezën se “hipotetikisht” Brukseli ose Uashingtoni mund të vendosin të vendosin raketa bërthamore në territorin e BiH, gjë që në mënyrë të pashmangshme do të shkaktonte një përgjigje nga Moska.
Zgjedhja e BiH për t’u bashkuar përfundimisht në NATO, siç shkroi Kalabuhov, është e lirë, por nënkupton të drejtën e Rusisë për t’u përgjigjur. “Ju lutemi mos na kufizoni në të drejtën tonë për t’u përgjigjur. Sigurisht, proporcionalisht. Derisa të jemi qind për qind të sigurt për realitetin e planeve tinëzare për shkatërrimin e vendit tonë, askush nuk do të shtypë butonin e kuq”, shkruan rus. ambasadori në një tekst të botuar me rastin e 10 shkurtit, i cili në Rusi festohet si “Dita e Punëtorit Diplomatik”. Pra situata në Ballkan nga momenti në moment mund të shpërthejë dhe Rusia pret momentin më të mirë për ta shfrytëzuar.
Rusia i do konfliktet e ngrira
Megjithëse Rusia është në një pozicion shumë më të dobët aktualisht, kur përballet me rezistencën e ashpër të Ukrainës dhe i nënshtrohet izolimit ndërkombëtar, Moska mund të nxisë dhe të përdorë një konflikt të ri të mundshëm në Ballkan si një front të dytë për të shkëputur vëmendjen perëndimore nga lufta në Ukrainë. Rusia nuk do të donte në mënyrë të hapur gjakderdhje në Ballkan por ata do të preferojnë ta mbajnë të dobët dhe të kenë ndikim në NATO. Politikë kjo që Rusia po e përdor edhe me Moldavinë sepse Rusia i pëlqen konfliktet e ngrira. Ndërsa në tentativën për grusht të dështuar në Mal të Zi i cili kishte për qëllim parandalimin e hyrjes së vendit në NATO, mendohet të ketë qënë Rusia. Edhe pse Malii Zi iu bashkua me sukses aleancës nuk kanë marrë fund konfliktet mes politikanëve pro rus dhe pro perëndimor. Kujtojmë se në shtator Mali i Zi dëboi gjashtë diplomat rusë, ndërsa ministri i mbrojtjes Rashko Konjeviç fajësoi Rusinë për një sul masiv kibernatik ndaj vendit.
NATO gati të ndërhyjë
NATO është e gatshme të ndërhyjë në mënyrë operative kur kjo të jetë e nevojshme në mënyrë që të parandalojë konfliktin ndëretnik dhe të promovoj sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan. Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, NATO-BE-SHBA i ka kthyer sytë më fuqishëm se kurrë drejt rajonit tonë. Ata kanë deklaruar hapur se janë të gatshëm të parandalojnë çdo skenar destabilizues që mund të nxitet nga çdo faktor i jashtëm, ku rreziku kryesor në situatën që ndodhemi është Rusia e Vladimir Putinit. Së fundmi përveç Bosnjës, Moska ka përmendur shpesh Kosovën dhe Serbinë, ku tensioni në të dyja vendet sa vjen dhe shtohet.
Gazeta Sot