Rusisë i del punë me shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, “dënon restaurimin”
17 Korrik 2024
Ambasadori i Rusisë në Serbi nëpërmjet një deklarate në rrjete sociale, ka “dënuar fuqishëm restaurimin” e shtëpisë së Xhafer Devës. “Ne u bashkohemi kërkesave për ndalimin e menjëhershëm të rinovimit të shtëpisë së Xhafer Devës dhe parandalimin e rishkrimit keqdashës të historisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, shkruhet në deklaratën e ambasadorit Aleksandar Bocan Harçenko. Ka akuzuar edhe Perëndimin që po i mbyll sytë. Monumenti gati njëshekullor që ka hyrë në fazën e radhës të restaurimit, është i shpeshtë në diskurse të tilla, që ngrihen deri te qarqet diplomatike
Autoriteteve ruse u ka dalë punë me shtëpinë e Xhafer Devës në Mitrovicë, e cila ka hyrë në fazën e radhës të restaurimit. Monumenti nën mbrojtje të përhershme nga shteti si “ish-Ambulanca e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës” përherë ka nxitur vëmendje edhe ndërkombëtare sapo kanë nisur projektet restauruese, e janë pezulluar me kërkesa ambasadorësh. Tash, i ka rënë në sy ambasadorit të Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko, i cili ka kërkuar që “projekti të ndalet menjëherë” si një hap për ta parandaluar “rishkrimin keqdashës të historisë”. Ka fajësuar “institucionet vetëqeverisëse” po se po, por edhe Perëndimin që i ka mbyllur sytë.
“Dënojmë fuqishëm ngjarje të tilla. Ne u bashkohemi kërkesave për ndalimin e menjëhershëm të rinovimit të shtëpisë së Xhafer Devës dhe parandalimin e rishkrimit keqdashës të historisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, ka shkruar në një deklaratë ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan Harçenko. Është publikuar në profilin zyrtar të ambasadës në “Instagram” dhe është përcjellë e plotë nga mediat e Serbisë.
Sipas tij, “institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë sërish kanë filluar ta restaurojnë shtëpinë e ndihmësit nazist, Xhafer Deva në Mitrovicën e Kosovës”.
“Veprojnë me arrogancë, duke mos i kushtuar vëmendje revoltës së justifikuar të Beogradit zyrtar, organizatave antifashiste në Serbi dhe jashtë kufijve të saj. Ato, në mënyrë të pavarur gjetën burime të konsiderueshme financiare për realizimin e projektit”, thuhet në deklaratë.
Për palën ruse kjo edhe një herë e dëshmon se “autoritetet” e Prishtinës “nuk e kanë prioritet nderimin e kujtimit të viktimave të nazizmit apo kujdesin për bashkëjetesën ndëretnike në krahinë, por rehabilitimin dhe glorifikimin e bashkëpunëtorëve nazistë”.
“Është e dukshme përpjekja për ta imponuar një ‘identitet’ të shqiptarëve të Kosovës nëpërmjet heroizimit të kriminelëve famëkeq përgjegjës për ekzekutimet masive të pjesëmarrësve të lëvizjes partizane dhe civilëve, deportimin e popullsisë hebreje në kampet e përqendrimit, rekrutimin në divizionin SS Skenderbeg”, ka shkruar ambasadori rus. Krejt në fund, goditja vjen për Perëndimin, i cili nuk po i kthjell institucionet e Kosovës.
“Dhe krejt kjo ndodh me dijeninë dhe pëlqimin e heshtur të Perëndimit kolektiv, të cilin nuk i shkon ndër mend t’i sjellë në vete të mbrojturit e vet, duke nxitur kështu rritjen e mëtejshme të ndjenjave radikale djathtiste në Kosovë, duke minuar sigurinë e popullatës serbe dhe të tjerëve joshqiptarë të krahinës”, ka shkruar ai.
Prejse ka nisur restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës, çështja ka çuar pluhur. Kapitulli i fundit qe edhe ai i vitit 2022. U bë temë diskutimi në qarqe diplomatike.
Në shkurtin e atij viti gjithçka ishte gati që të niste restaurimi. Situata qe alarmuar kur ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, reagoi duke bërë thirrje të “mos shtrembërohet e vërteta në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendës”. Në ditën e 8-të të shkurtit, Zyra e BE-së në Kosovë bashkë me atë të UNDP-së, kishin dalë me një deklaratë të përbashkët duke bërë të ditur pezullimin e projektit. E MKRS-ja kishte paralajmëruar se do të presë një kohë, por do të zbatojë projektin vetë nëse partnerët ndërkombëtarë heqin dorë. E ndante historinë e ish-pronarit që kurrë s’kishte jetuar në atë shtëpi, me veprat e ndërtesës si monumentet i arkitekturës ndërtuar më 1930. Madje, MKRS-ja vjet kur edhe e bëri monument nën mbrojtje të përhershme ia preku edhe emrin duke u bërë “ish-Ambulanca e vjetër – Shtëpia e Xhafer Devës”.
Historia e ndërhyrjeve në këtë monument daton qysh prej vitit 2010. Janë nënshkruar disa kontrata, janë bërë ndërhyrje emergjente e restauruese. Më 2015 shtëpia qe përfshirë nga zjarri dhe për shumëkënd bëhej fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë ka ngelur në kuadër të aludimeve. Më pas, më 2018, ka nisur procesi tjetër i ndërhyrjeve që ishte ndërprerë pas vendosjes së pllakave.
MKRS-ja zyrtarisht ka shpenzuar 92 mijë e 996 euro deri më tash sa i përket këtij monumenti. Për sivjet ka paraparë 100 mijë euro.
Sikurse zyrtarët e QRTK-së të Mitrovicës, edhe ata të “CHwB Kosova” duken shpresëplotë se vjeshta e këtij viti do t’ia kthejë shkëlqimin monumentit. Por shtëpia është e rrethuar me ndërtime të larta nga të tria anët. Distanca që përcakton ligji prej 50 metrave nuk ka vlejtur në raport me këtë shtëpi. Vetëm ana nga sheshi “Mehë Uka” ka mbetur pa shumëkatëshe afër monumentit.
Bile, në korrik të vitit 2016, Komuna e Mitrovicës, që asokohe udhëhiqej nga kryetari Agim Bahtiri, kishte nxjerrë vendim për rrënimin e Shtëpisë së Xhafer Devës.
Duke e konsideruar si objekt që paraqet rrezik për qytetarët, Komuna e Mitrovicës kishte urdhëruar zyrtarët e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë që të “rrënojnë (sanojnë)” monumentin që mbrohet me ligj si aset i trashëgimisë kulturore të Kosovës.
E muajin e kaluar, në qarqet vendore po ky monument u bë temë si rëndom në rrjete sociale. Mjaftoi një foto për të konstatuar se po i ndërrohet identiteti. Shkak – fasada, e cila sipas projektit i rikthehet, sepse ashtu ishte në origjinal. Një fotografi e shkrepur nga prapa – ende pa përfunduar procesi i restaurimit – e krahasuar me gjendjen paraprake, do të bënte bujë . Pamja e fasadës dhe ajo paraprake me tulla në imazhe dukeshin diametralisht të kundërta. Por një krahasim si ky, siç kishte raportuar KOHA në fund të qershorit, ishte krahasim i paqëndrueshëm për dy arsye: krahasohej ballina e parestauruar me pjesën prapa në restaurim e sipër dhe krijohej përshtypja se një monumenti me tulla po i shtohet fasada.
Fondacioni për trashëgimi kulturore pa kufij “CHwB Kosova” e kishte hartuar projektin.
Nol Binakaj, zëvendësdrejtor në “CHwB Kosova” dhe arkitekt, kishte thënë se sipas projektit është propozuar suvatimi, sepse ajo ishte pamja origjinale e objektit. Sipas tij, pamja e mjerueshme e ndërtesës ishte kthyer në kujtesë kolektive.
Synimet janë që kati përdhes të shndërrohet në ambient kulturor ku mund të ketë ekspozita, e dy katet e mësipërme të jenë seli të Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Mitrovicë.
Gazeta Koha, Prishtinë