12 Gusht 2023

Nga Zaria Gorvett

Kur Elias Stadhiatis zbriti në thellësi të detit, ai mendonte se do të kishte përpara një ditë të zakonshme kërkimi për sfungjerë. I rënduar nga një kostum zhytjeje prej bakri, dhe i rrethuar nga një lëmsh tubash që i shërbenin për frymëmarrje, Stadhiatis mbërriti pak disa momentesh në fund të detit.

Teksa po shihte në errësirë, u ndesh befas me një skenë të frikshme:përreth ishin skicat e paqarta të pjesëve të trupit të njeriut. Pasi doli në sipërfaqe me shpejtësi e informoi kapitenin e anijes se kishte gjetur një grumbull kufomash të dekompozuara.

Ishte pranvera e vitit 1900, dhe Stadhiatis kishte zbuluar aksidentalisht Antikitera, një anije mallrash romake e cila ishte fundosur më shumë se 2 mijë vjet më parë. Shumë shpejt u bë e qartë se ajo nuk ishte e mbushur me kufoma, siç u duk në fillim, por me vepra arti – skulptura prej mermeri dhe statuja bronzi, që ishin dergjur për mijëra vjet mes algave, sfungjerëve dhe peshqve.

Më shumë se 100 vjet më vonë, reliket e Antikiterës janë ende joshëse për publikun. Por priten të mbulohen shumë mrekulli tjera që ndodhen ende nën det. Ekspedita e fundit është ajo e UNESCO-s në Skerki Bank, një zonë detare shkëmbore, e cekët dhe e pabesë për detarët, që lidh Mesdheun lindor dhe atë perëndimor.

Ajo rrugë është përdorur për mijëra vjet, dhe aty janë mbytur qindra anije. Duke përdorur sonarë dhe robotë nënujorë, një ekip shkencëtarësh nga 8 vende të botës hartuan fundin e detit në atë rajon. Dhe këtë javë, ata njoftuan zbulimin e 3 rrënojave të reja:mbetjet e anijeve që datojnë që në shekullin 1 Para Krishtit, shekullin II Pas Krishtit dhe shekujt XIX ose

XX.

Dhe sipas vlerësimeve të UNESCO-s mund të ketë shumë rrënoja të tjera të pazbuluara ende  nën dallgët e oqeaneve të botës. Varka më e vjetër e njohur deri më sot u zbulua aksidentalisht gjatë ndërtimit të një autostrade në Holandë:një kanoe prej druri e ndërtuar mbi 10.000 vjet më parë.

Por ka prova rrethanore se gjithçka filloi shumë më herët. Rreth 50.000 vjet më parë, mendohet se një grup gjuetarësh-mbledhësish nga Azia Juglindore, duhet të ketë kaluar tek një grup ishujsh qindra milje të gjatë. Menjëherë pas këtij momenti, u shfaqën aborigjenët e parë australianë në liqenin Mungo në Uellsin e Ri Jugor.

Dhe ku ka vendkalime detare, ka edhe rrënoja. Sot oqeanet e botës janë plot me mbetjet e anijeve mijëvjeçare tregtare, luftarake dhe eksploruese. Anije pirate të ngarkuara me argjend, anije mallrash që janë udhëtuar përgjatë Rrugës detare të Mëndafshit, anije mbretërore luksoze që u zhdukën së bashku me mbretërit e ardhshëm, anije të lashta peshkimi, destrojerë dhe nëndetëse moderne, anije gjuetare të balenave të shekullit XIX, dhe anije të mëdha pasagjerësh si Titaniku.

Ashtu si kapsulat e kohës të harruara prej kohësh, këto anije i kanë mahnitur arkeologët dhe kanë mbushur muzetë anembanë globit me mrekulli të lashta, përfshirë një orë misterioze astronomike nga Antikitera, të cilën disa ekspertë e shohin si kompjuterin më të hershëm.

Por sa anije mbeten ende të fshehura në thellësitë e deteve dhe oqeaneve? Ekzistojnë disa baza të dhënash mbi anijet e mbytura në botë, ku secila ka një vlerësim paksa të ndryshëm për numrin total. Kështu, një faqe përmban një katalog prej 209.640 varkash që dihet se janë fundosur, 179.110 prej të cilave kanë një vendndodhje të njohur.

Ndërkaq baza e të dhënave Global Maritime Wrecks, përmban të dhënat e më shumë se 250.000 anijeve të fundosura, megjithëse disa prej tyre nuk janë gjetur ende. Sipas një vlerësimi, rreth 15.000 anije u mbytën vetëm gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ka jo pak luftanije dhe cisterna të harruara, të shpërndara nga Paqësori në Atlantik, nga të cilat rrjedhin gradualisht naftë, kimikate dhe metale të rënda në ujin përreth teksa ato kalben.

Në fakt, mendohet se mbytjet e anijeve që janë dokumentuar, përfaqësojnë vetëm një pjesë të vogël të totalit.

Sipas një analize të UNESCO-s, në oqeanet e botës gjenden mbi 3 milionë anije dhe varka që mbeten ende të pazbuluara. Këto relike nuk ka gjasa të jenë të shpërndara në mënyrë të barabartë. Sepse disa pika janë shndërruar në varreza detare përgjatë rrugëve më popullore ose të rrezikshme, të cilat dikur kanë qenë terrene pjellore për gjuetinë.

Këtu përfshihet edhe Skerki Bank, por edhe arkipelagu Furni, po në Mesdhe, ku deri tani janë zbuluar 58 anije të mbytura, 23 prej të cilave në vetëm 22 ditë në vitin 2015. Kjo sasi e fshehtë e rrënojave ende të pazbuluara, përmban detaje magjepsëse se si kanë jetuar dikur njerëzit si dhe rreziqe të mundshme për të ardhmen.

Por mund të përmbajë edhe pasuri marramendëse. Dhe kjo mund të jetë problematike. Rreth orës 19:00 të datës 8 qershor 1708, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në të gjithë Detin e Karaibeve deri në brigjet e Kolumbisë. Ai vinte nga San Jose, një anije e nisur nga Spanja 2 vite më parë.

Ajo ishte pjesë e flotës spanjolle të thesarit dhe pati një fund tragjik pas një përleshje me një anije britanike. Pas disa orë beteje, u goditën depot e saj të barutit dhe ajo u mbyt pothuajse menjëherë, duke u zhdukur në oqean së bashku me gati 600 anëtarë të ekuipazhit.

Mbi 300 vjet më vonë, në vitin 2015, marina kolumbiane gjeti më në fund mbetjet e saj, së bashku me topat, qeramikën dhe monedhat. Në total, ngarkesa e saj vlerësohet të kenë një vlerë prej 17 miliardë dollarësh. Por ky zbulim shkaktoi menjëherë një debat të ashpër se kush duhet t’i mbajë rrënojat.

Dhe tani ka shqetësime se zona arkeologjike do të plaçkitet në vend se të mbrohet. Këto lloj mosmarrëveshjesh, mund të shndërrohen së shpejti në dukuri shumë më të zakonshme. Në të kaluarën, shumë anije të mbytura janë gjetur në ujëra relativisht të cekëta, dhe ndonjëherë rastësisht, kur peshkatarët, shkencëtarët ose gjuetarët e thesareve eksploronin shtratin e detit përreth brigjeve.

Por me qasje tek zhytësit e sofistikuar, pajisjet moderne me kamera dhe teknologji të reja sonare, gjetja e anijeve të mbytura në thellësi të mëdha, nuk ka qenë kurrë kaq e lehtë. Tani është e mundur të ndërtohet një pamje e dyshemesë së oqeanit.

Në vitin 2019, studiuesit zbuluan vendin e prehjes së destrojerit “USS Johnson” në thellësinë 6 mijë metra në Hendekun Filipine. Por tani për tani, ka ende shumë rrënoja të pazbuluara në thellësi. I tillë është rasti i “Waratah”, një anije gjigante pasagjerësh, shpeshherë e krahasuar me Titanikun.

Ajo u nis nga Durbani në Kejp Taun më 26 korrik 1909 me 211 pasagjerë në bord, dhe më pas u zhduk pa asgjë gjurmë. Deri më sot, askush nuk e di se çfarë ndodhi, apo ku u mbyt saktësisht kjo anije, pavarësisht të paktën 9 ekspeditave. Kush e di se çfarë do të ndodhë më pas. Vetëm një gjë është e sigurt:nuk do të kalojë shumë kohë derisa sa ta zbulojmë. /Bota.al