“Sa bukur të vizatosh mbi librat e shkollës!”
“Sa bukur të vizatosh mbi librat e shkollës!”
A nuk vazhdojmë sot, si të rritur dhe prindër, t’u themi fëmijëve të mos shkarravisin librat? Kurse nga një këndvështrim kontrovers, dikush tjetër mund të thoshte: “Sa bukur të vizatosh mbi librat e shkollës!” Po, është bukur, sidomos kur këto shkarravina bien në dorë të historianëve, apo në duart e kujtdo që merret me historinë e librit. Shkarravinat e dorëshkrimeve dhe librave janë dy llojesh: 1. Tekste; 2. Vizatime. Në të dyja rastet kërkojnë të thonë diçka, bartin një kumt.
Teksa shkarravinat apo vizatimet e ditëve të sotshme në librat shkollorë, apo përgjithësisht në libra, mund dhe të jenë të mërzitshme, në Mesjetë punët janë ndryshe. Një nxënës përpiqet të mësojë shkrim e këndim. Teksa nuk ka ku të shkruajë, ushtron dorën në faqet bosh apo në anët e tekstit të një libri prej pergamene apo letre. Kështu, kemi luksin të shohim përmirësimin e shkrimit të një nxënësi, hapat e ngadaltë drejt shkrimit e këndimit. Në të tjera raste, librat zëvendësojnë regjistrat.
Kur famullitari i kishës nuk ka ku shkruan emrat e atyre që pagëzohen, përdor anët bosh të librave. Apo, kur dikush kërkon t’i japë rëndësi borxhit që ka marrë, e shënon aktin e huadhënies në një fletë Ungjilli, që premtimi të marrë peshë të shenjtë, veçse vlerë juridike. Dikush tjetër është i prirur të vizatojë, më shumë se të shkruajë. Kësisoj, teksa joshet nga pamjet që sheh përqark, apo nga ilustrimet e vetë librit, gjen një hapësirë të pashkruar dhe i imiton ato.
Si rrjedhojë sot shohim forma kafshësh, fytyra, lule, etj., të cilat nuk kanë lidhje me përmbajtjen e librit. Përmes këtyre shenjave libri Mesjetar apo, në përgjithësi, libri i vjetër, veç informacioneve dytësore që na sjell lidhur me historikun e tij, na jep edhe mesazhin e qartë: libri është një objekt i gjallë. Pasqyron jo vetëm dijen njerëzore në rreshtat e tij, por edhe bashkëjetesën e tij mes njerëzve, në duart e atyre që e kanë mbajtur dhe na e kanë sjellë deri në ditët e sotshme. Ilustrimet e mëposhtme janë marrë nga Fondi “Kodikët e Shqipërisë” dhe nga Biblioteka e AQSH.
Nga: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave