Sa e keni shitur shpirtin europian zoti Soreca?
Sa e keni shitur shpirtin europian zoti Soreca?
Nga Taulanda-Jaupi.
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, na ftoi sot që të presim shqyrtimin e ofertave për Teatrin. M’u duk pak e çuditshme që përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Shqipëri është kaq i painformuar ose, të paktën, bën sikur nuk di.
Zoti Ambasador!
Nuk ka për të patur oferta të tjera përveç një kompanie që është paracaktuar me ligj të grabisë tokën e Teatrit Kombëtar dhe pjesën tjetër të tokës publike, mbi 1 mijë metra2.
Nëse vërtet nuk e dini, po ju vëmë në dijeni se kriteret e vendosura në tender nuk lënë hapësirë për oferta. Keto kritere, ndryshe nga sa shpresoni ju, nuk janë garanci për një proces të drejtë dhe konkurues, sepse janë kritere përjashtuese, janë kritere korruptive, janë kritere antieuropiane.
Zoti Ambasador! Një ligj i tillë nuk ekziston në asnjë nga vendet e Bashkimit Europian, sepse janë kritere që paracaktojnë fituesin dhe grabisin me ligj tokën publike.
Është njësoj sikur kryeministrit italian t’i tekej të bënte një ligj për të shembur Teatro di San Carlo në Napoli, të caktontë kompaninë e ndërtimit, t’i jepte edhe ndonjë tokë publike përreth që të ndërtontë edhe ca kulla private dhe napoletanët si ju, të rrinin të qetë duke parë historinë të shembej dhe tokën t’u grabitej nga një kompani private e lidhur me kryeministrin.
Zoti Ambasador, kjo nuk ndodh në Itali, nuk ndodh në BE, nuk ka për të ndodhur as këtu, sepse ne nuk e kemi shitur shpirtin tonë europian!