Sa e sigurt eshte Tirana nga termetet?
Sa e sigurt eshte Tirana nga termetet?
- Botuar: 9 vite më pare
Shqipëria pas 15 vjetëve, mund të ishte ndoshta anëtare e Bashkimit Europian. Një Shqipëri që me siguri do të numëronte mbi 4.5 milion banorë brenda kufijve të vet. Kryeqyteti i saj do t’i kishte plotësuar të gjitha standartet e një kryeqyteti normal europian. Ku proçesi i legalizimeve do të kishte përfunduar. Ku veç formalizimit të ndërtesave, sot shumica informale, do të kishte përfunduar edhe kompensimi i ish-pronarëve dhe këto zona, që sot duken si një kancer për qytetin, pas 15 vjetësh do të ishin shndërruar në zona shembullore të urbanizimit.
Skenari i keq…
Panorama e një qyteti të tillë tregon gati-gati një qetësi shpirtërore aq shumë të ëndërruar. Derisa… një lëkundje e fortë e nëntokës trondit gjithçka! Një tërmet i fortë, deri në 7 ballë i shkallës Rihter që, nisur nga pozicioni gjeografik i vendit tonë dhe nga përbërja gjeologjike e nëntokës së tij, është mëse i mundur, do të rrafshojë brenda pak sekondave… asgjë më shumë se qindra ndërtesat jashtë standarteve teknike dhe sigurisë normale që sot, presin të legalizohen! Kjo nuk është skena e një “apokalipsi” të përfytyruar nga ndonjë mendje e shthurur! Eshtë thjesht një parashikim që do të duhet të ishte marrë më seriozisht nga qeveria shqiptare e cila nisi plot 7 muaj më parë proçesin e shumëpërfolur të legalizimeve, pa përfilluar aspak zërat e shumtë kundër që erdhën nga grupet e interesit. Aktualisht, pas legalizimit të të parave shtëpi informale, duket se nëpunësit e Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale e kanë të qartë se çdo të ndodhë në çdo hap të këtij proçesi.
Por në një pikë, ata nuk janë fort të qartë: çfarë parashikon ky proçes për t’i bërë ballë një rreziku të tillë sizmik, që sipas specialistëve të Institutit Sizmiologjik është i mundur të ndodhë? Dhe mbi të gjitha, në ç’moment të këtij proçesi do të ndërhyhet për të siguruar nga ky rrezik ndërtimet e paligjshme në të gjithë territorin e vendit, shumica e të cilave janë ngritur pa respektuar standartet normale inxhinierike?
Tiranë-Durrës, rreziku më i madh
Në Institutin Sizmiologjik, drejtori prof. Dr. Shyqyri Aliaj, një ndër specialistët më të njohur të sizmiologjisë në Shqipëri duket sikur nuk shqetësohet më për një problem që ata të cilët kanë në dorë të bëjnë diçka, e neglizhojnë! Ai sqaron se mikrozonimi sizmik i Shqipërisë është bërë qysh përpara viteve ’90-të. “Ka studime të shumta dhe që detajojnë situatën sipas trojeve të ndryshme”, thotë Prof. Aliaj. Bashkia e Tiranës ka kërkuar disa vjet më parë, kur realizoi Konkursin Ndërkombëtar për Planin e Qendrës së Tiranës, një studim të detajuar të kësaj natyre. Por problemi, mesa duket nuk është qendra, atje ku pas vitit 1998 firmat ndërtuese zbatuan rigorozisht Ligjin e Urbanistikës duke kërkuar nga specialistët për secilin troj, edhe studimin përkatës. Problemi qëndron në perëndim të Tiranës, në drejtim të bregdetit, atje ku edhe pjesa më e madhe e zonave informale janë ngritur në këtë një dekadë e gjysëm.
“Orogjeni shqiptar, bashkohet në bregdet me Pllakën e Adriatikut dhe pikërisht kjo zonë, pra ajo bregdetare, është edhe zona me riskun më të madh sizmik”, pohon Aliaj. Zona e mësipërme e përplajses së orogjenit dhe pllakës Adrias është edhe zona ku potencialisht një tërmet mund të arrijë deri në 7 ballë të shkallës Rihter, i mjaftueshëm për të rrafshuar çdo ndërtim që është ngritur jashtë standarteve bazë inxhinierike. Shqipëria ndodhet në një periodë të qetë sizmike, e cila mund të zgjasë edhe 15-20 vjet. Ajo që vjen më pas, është e kuptueshme, është e kundërta e realitetit të sotëm. Profesori i njohur i Akademisë së Shkencave gjen kohën dhe mundësinë të bëjë madje humor, kur kujton në këtë kontekst një moment të një njeriu të zgjuar, i cili qante kur zbriste me lehtësi një tatëpjetë dhe qeshte kur ngjiste i rraskapitur një të përpjetë. “Po pse qan atëherë kur nuk duhet e qesh atëherë kur duhet të qash”, e pyetën njëherë këtë njeri të mencuar. Ai u përgjigj: “Sepse kur zbres, e di që do më duhet të ngjitem, kurse kur ngjitem jam i lumtur se pak më vonë do të zbres”…
Cilat ndërtime në Tiranë rrezikojnë më shumë?
1. Të gjitha ndërtesat që janë ndërtuar pas tërmeteve të vitit 1979 dhe të vitit 1988, në njëfarë mënyrë nuk janë testuar asnjëherë nga ndonjë tërmet i fuqishëm, siç ishte ai i vitit 1988. Atëherë u dëmtuan mbi 2 mijë shtëpi në Tiranë, por pallatet që rezistuan treguan se janë të forta.
2. Të gjitha ndërtesat mbi 7 kate janë automatikisht më të rrezikuara. Ndonëse ndërtesat në qendër të Tiranës apo brenda unazës janë ndërtuar sipas parametrave bashkëkohorë që synojnë të krijojnë sa më shumë rezistencë ndaj lëkundjeve të tokës. Një arsye tjetër pse ndërtesat e vjetra kanë mbijetuar pas tërmeteve, ka të bëjë edhe me faktin se në atë kohë pallatet nuk ishin më të mëdha se 5 kate, përveç Hotel Tiranës që pati shumë debate gjatë ndërtimit nëse do të mund t’i rezistonte ndonjë tërmeti apo jo.
3. Të gjitha banesat që janë në proçes legalizimi, apo që janë legalizuar, përgjithësisht nuk janë ndërtuar sipas studimeve të mirëfillta. Shumë prej këtyre banesave rrezikojnë jo vetëm nga tërmetet, por edhe nga rrëshqitjet e tokës.
4. Banesat me më shumë se tre katë të cilat në katet e para të tyre apo në katet e bodrumeve janë modikifuar, sidomos ato ndërtesa që kanë shfaqur edhe plasaritje apo çarje të ndryshme të mureve.
Prof. Dr. Shyqyri Aliaj
Një njeri i zgjuar qante kur zbriste me lehtësi një tatëpjetë dhe qeshte kur ngjiste i rraskapitur një të përpjetë. “Po pse qan atëherë kur nuk duhet e qesh atëherë kur duhet të qash”, e pyetën njëherë këtë njeri të mençur. Ai u përgjigj: “Sepse kur zbres, e di që do më duhet të ngjitem, kurse kur ngjitem jam i lumtur se pak më vonë do të zbres”… E njëjta gjë është dhe me epokën e tërmeteve që i presim pas 15-20 vitesh
Sizmologjia dhe tërmetet në Shqipëri
Disa nga tërmetet më të fuqishme në shekullin XIX kanë rënë në:
Vlorë, më 12 tetor 1851, duke shkaktuar 20 të vrarë.
Berat, më 17 tetor 1851, duke shkaktuar 400 ushtarë të vrarë në Kala.
Shkodër, në muajt shkurt-tetor 1855, 12 tërmete që u ndjenë dhe në Delvinë dhe Bari të Italisë.
Himarë, më 14 qershor 1895.
Gjatë shekullit XX janë regjistruar këto tërmete të fuqishme:
Shkodër, më 1 qershor 1905, që shkaktoi 1500 shtëpi të shkatërruara, 200 të vrarë dhe 500 të plagosur.
Ohër, më 18 shkurt 1911.
Tepelenë, më 20 nëntor 1920, duke shkaktuar 36 të vrarë dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi e la pa strehë 15 000 vetë.
Durrës, më 17 dhjetor 1926, lëkundjet u ndjenë dhe në Itali, Jugosllavi e Greqi.
Vlorë-Tepelenë, më 21 nëntor 1930, duke shkaktuar 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur.
Korçë, më 28 janar 1931.
Peshkopi, më 24 gusht 1924, duke shkatërruar afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur.
Lushnjë, Fier, Rrogozhinë, Peqin e Berat, më 1 shtator 1959.
Korçë, më 26 maj 1960, ku u shkatërruan 1479 ndërtesa.
Fier, Tepelenë, Berat, Lushnjë, më 18 mars 1962, duke shkaktuar 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe u shkatërruan 2 700 shtëpi.
Fier, më 18 mars 1962, ku u vranë 5 veta e u plagosën 77 të tjerë dhe u shkatërruan 2 700 shtëpi.
Librazhd, më 30 nëntor 1967, duke shkatërruar 177 fshatra. Gjetën vdekjen 12 vetë, ndërsa 174 të tjerë u plagosën. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosje vertikale të dheut deri në 50 cetrimetra.
Shkoder, Librazhd më 3 nëntor 1968.
Lezhë, më 15 prill 1979. U dëmtuan 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore.
Rroskovec, më 17 nëntor 1982, duke u ndjerë dhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 të plagosur.
Tiranë, më 7 janar 1988, u dëmtuan 2083 shtëpi
Gjirokastër, më 26 mars 1990.
6 hapat që duhet të ndiqni për të shpëtuar nga tërmeti
1. Ulu menjëherë poshtë (përpara se vetë tërmeti të të rrëzojë) dhe mblidhi gjunjët dhe krahët. Ky pozicion të lejon që të vazhdosh të lëvizësh nëse do të jetë e nevojshme.
2. Mbuloje kokën dhe qafën (edhe të gjithë trupin nëse është e mundur) duke u ulur poshtë një tavoline apo poshtë ndonjë mobilje që nuk mund të rrëzohet mbi ty.
3. Mbahu fort tek streha (psh, nëse jeni ulur poshtë një tavoline, mbahu fort pas këmbëve të saj) derisa dridhjet dhe lëkundjet të kenë përfunduar.
4. Nëse afër jush nuk ka asnjë mobilje mund të uleni dhe të mbuloni kokën dhe qafën pranë një muri të brendshëm. Muret e jashtëm të ndërtesave kanë më shumë gjasa të rrëzohen të parat, ndërkohë që ato kanë dhe dritare që gjithashtu ju rrezikojnë.
5. Nëse ndërtesa juaj është ndërtesë e re, mos u vendosni poshtë një dere. Eshtë krijuar përshtypja se arkitrarët mbi dyer janë vendet më të sigurta. Kjo është e vërtetë për ndërtesat e vjetra apo ndërtesat me konstruksione druri, por në ndërtesat e reja pjesa poshtë derës është as më shumë dhe as më pak e sigurt se çdo pjesë tjetër.
6. Kur nisin lëkundjet gjëja më e mirë që duhet të bëni është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën. Më miri uluni poshtë një mobilje. Rastet e shumta pas kolapsit të një ndërtese për shkak të tërmetit kanë treguar se njerëzit që mbijetojnë janë ata që gjenden poshtë tavolinave apo poshtë mobiljeve të ndryshme që krijojnë një hapësirë të mbrojtur.
5 të pavërteta për tërmetet
Ngatërimi i fuqisë – Në momentin e parë të tërmetit, fuqia e tij nuk ishte e qartë, ndërsa në media mund të lexoje për një tërmet 6 ballë, 8 ballë apo 9 ballë. E vërteta është se ekzistojnë disa shkallë të ndryshme për të matur forcën e tërmeteve.
Më e përdorura është ajo Riechter. Në bazë të saj, tërmeti shkatërrues i 11 marsit kishte një fuqi goditëse të magnitudës 9. Nga ana tjetër, një njësi matëse si Mercalli, e përdorur shumë përpara Riechter-it dhe ende si referencë në vende europiane, do t’a pasqyronte tërmetin si të shkallës së gjashtë, në referencën e saj mbi fuqinë e tërmeteve.
Parashikimi i tërmeteve – Është thënë që njohja gjeologjike dhe ajo e lëvizjeve të pllakave, së bashku me hartën ku ndodhin goditjet, lejon që të parashikohen tërmetet. Thuhet edhe se në zonat ku bie një tërmet i fortë, ka pak gjasa të përsëritet një i tillë.
Këto janë bestytëni të gabuara, pasi me teknologjinë e sotme tërmetet janë absolutisht të paparashikueshëm. Nga ana tjetër, ndonëse është shumë e rrallë që epiqëndra të jetë ekzaktësisht e njëjta, një zonë ku bie një tërmet i fuqishëm ka më shumë probabilitet që të goditet përsëri.
Centralet bërthamore – Është shkruar se në momentin kur ishte ndërtuar centrali bërthamor i Fukushimës, nuk mund të dihej se zona ishte e rrezikuar prej tërmeteve.
Kjo është gjithashtu e pavërtetë. Kjo zonë është e njohur për aktivitetin e saj sizmik. Në fakt, në vitin 1923, ndodhi një tërmet i tillë që shkatërroi një pjesë të madhe të Tokios dhe epiqëndra atëherë ishte pikërisht në Fukushima.
Tërmeti më shkatërrues – Në përpjepje për të sensocionalizuar ngjarjen, shumë media e kanë cilësuar tërmetin e Japonisë si më shkatërruesin e historisë.
E vërteta është që ky tërmet nuk është as më i forti, as më i fuqishmi. Kili njohu në vitin 1960 një tërmet 9,5 të shkallës Riechter, ndërsa tsunami shkatërrimtar i vitit 2004 u provokua nga një tërmet me magnitudë 9,1 në det. Ndërsa më vdekjeprurësi ndonjëherë është ai i vitit 1556 në provincën kineze të Shanxit, i cili shkaktoi sipas burimeve të kohës 830 mijë viktima ose më shumë.
S’mund të ndodhte në Japoni – Ndonëse Japonia është vendi më i prekur në botë nga tërmetet, ekziston një besim se tërmetet në këtë vend janë të fortë ose mesatarë, por jo katastrofikë.
Ky është përsëri një mit i gabuar. Në rastin e tërmetit më të fortë në botë, në vitin 1960, u vlerësua se pllakat tektonike pranë Kilit po lëviznin me shpejtësi 8 centimetra në vit. Kjo është e njëjta shpejtësi që lëvizin drejt njëra-tjetrës dhe pllakat në Japoninë qendrore.