Sa mbetje të ngurta prodhojnë bizneset në vend?
10 Korrik 2024
Ndonëse ndotësit më të mëdhenj në vend janë banorët, një peshë të konsiderueshme zënë edhe bizneset. Mbetje industriale të menaxhuara bashkë zënë 11,6 % të totalit apo 95.3 mijë tonë.
Shifra më e fundit e gjeneruar nga INSTAT që i përket vitit 2022, tregon se 8,2% e mbetjeve totale të gjeneruara rezultojnë të pamenaxhuara. Përgjatë këtij viti u riciklua vetëm 18,9% e sasisë gjithsej të mbetjeve, ndërkohë, janë trajtuar me djegie në incenerator për eliminim dhe qëllime energjitike rreth 4,4% e sasisë gjithsej të mbetjeve.
Në Maj të këtij viti qeveria inicioi ndryshime ligjore në 4 ligje, duke rritur masat administrative me rreth 30% për ndotësit e mjedisit, por më e rëndësishmja është që ato kthehen menjëherë në titull ekzekutiv për të ruajtur efektin e tyre ndëshkues, korrektues dhe edukues.
Ndryshimet ligjore prekin që nga individët e thjeshtë që ndosin natyrën deri tek kompanitë e mëdha industriale janë të detyruar të investojnë në masat e duhura për të mbrojtur mjedisin dhe cilësinë e ajrit.
Penalizimet prekin subjektet që janë të pajisur me leje mjedisi e që kanë një sërë detyrimesh në drejtim të mbrojtjes së mjedisit, për shkak të aktivitetit që ata ushtrojnë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e argumentoi këtë ndërhyrje me faktin se me ligjet e vjetra, mbledhja e gjobave ishte e vështirë për shkak të procesit të zgjatur të ankimimit. Ministrja theksoi gjithashtu se do vijohet me ndërhyrje të tilla në ligje të tjetra siç është ligji për menaxhimin e mbetjeve për të cilin po punohet për t’iu përgjigjur realitet të ri që lidhet me shtimin e numrit të turistëve.
Ndërkaq, qeveria pret uljen me 40% e nivelit të ndotjes në zonat urbane, brenda vitit 2024 nga aplikimi i gjobave më të larta për shkelësit.
Elisabeta Dosku/ SCAN