Sa vlen një shqiptar?! –
Sa vlen një shqiptar?! –
Për këtë duhen pyetur më mirë politikanët që duan të amnistojnë pasuritë e tyre apo gjyqtarët që u kanë marrë drejtësinë njerëzve apo ata që kanë përvetësuar pronën publike…
Nga: Ben Antoni.
Nëse nuk do të ishin kriteret rreptësisht matematike përdorur nga institucione të ndryshme ekonomike ndërkombëtare me anë të të cilave përcaktohen matrica rritje dhe mirëqenie, vlera e jetës së një shqiptari nuk do të kuptohej me gjuhën e shifrave. Në fakt, nuk është se kushton aq shumë, në praktikë. Kujdes, nuk është se këtu po bëjnë përjashtim qytetarët e tjerë të vendeve në zhvillim ose të varfra, porse neve na vlen në këtë argument vetëm ajo që flitet për ne.
Në një vlerësim të Bankës Botërore, që i është referuar të dhënave të vitit 2014, Shqipëria duke përfshirë njerëzit, pasuritë natyrore dhe prodhimin kombëtar është çmuar me vlerën e 153,6 miliardë dollarëve. Vlera më e madhe i shkon kapitalit human (njerëzit) me rreth 66 miliardë lekë, duke zënë kështu 42 për qind të totalit të vlerës së pasurisë së Shqipërisë. Në gjuhën e shifrave kjo nuk do të thotë asgjë ose do të thotë shumë për burokratët, por kjo është e palexueshme në atë vërtetësi sesa vlen realisht një shqiptar.
Për këtë duhet të kishte një kriter rreptësisht matematik me një atribut moral-etik. P.sh. në këtë të fundit mund të konsiderojmë pagesën që një shqiptari të thjeshtë i takon pas daljes në pension dhe për të ardhur keq është se ajo është e barazvlefshme me 1/4 ose 1/5 e rrogës që ai ka përftuar në moshën aktive të punës.
Jo fare çuditërisht, me gjithë kushtet e këqija ekonomike të vendit por edhe paradoksin e një modeli ekonomik që rezultoi dështim, Shqipëria socialiste i paguante një qytetari shqiptar 3/4 e rrogës që ai meritonte kur ishte i punësuar. Për vit flitet për matrica, skema pensionesh, por një gjë është fakt: shqiptari i moshës së tretë është një person krejt i zvetënuar dhe me rrogën që merr është një barrë për të afërmit, por edhe i jetës së vet të mjerë, ku atij i humbet veç statusi shoqëror çdo gjë e cila lidhet me një lloj kamje. Ky ishte gjykimi për njeriun që nuk kontribuon dot më për përmirësimin e statistikave që vlejnë për GDP e vendit.
E, nëse do t’i referohemi atij që kontribuon gjendja është më e keqe. Shqipëria ka ende një shifër të frikshme të papunësisë, shpërndarje jo të rregullt të të mirave materiale dhe një shtet a-social që ndihmon të pasurit kundër të varfërve. Të mjafton të shikosh ligjet dhe interpretimet që u bëhen atyre, të kuptosh batakun ku e kanë futur monopolet ekonominë e vendit dhe urrejtjen që administrata e shtetit ka ndaj shqiptarit të thjeshtë, e kupton argumentin e vërtetë sesa vlen në fakt jeta e shqiptarëve.
Shqipëria është makth për shqiptarët lidhur me mungesën e rregullave të lojës, respektin ndaj shtresave në nevojë dhe politikën e atillë që pengon qytetarin e thjeshtë të kontribuojë si duhet dhe të marrë ato që i takon. Le të marrim për bazë, dy shërbime bazike, për të cilën kontribuon e gjithë shoqëria: shërbimi mjekësor dhe ai arsimor. Shërbimi mjekësor, tashmë është i munguar në rajone të tëra të vendit, kurse shpërndarja e mjekimeve dhe ndihma që i vjen pacientëve direkt në spitale apo ata që trajtohen në shtëpi është skandaloze. Pa përmendur listat e ilaçeve dhe spekulimet e monopoleve dhe politikanëve me ilaçet e fatkeqëve ankesat e të cilave kryeministri i ka marrë live.
Sistemi arsimor tashmë është i degraduar por edhe një barrë tjetër, që i takon si përfitim gjithnjë e më shumë pinjollëve të të pasurve dhe pak atyre për të cilat sakrifikojnë familjet e që mund të ndjekin shkollën jashtë. E themi këtë sepse vetëm ata kanë mundësi pastaj të punësohen lehtë, falë dhe ndihmës së pakursyer që jep ajo pjesë e shoqërisë shqiptare, e cila mendon thjesht të shpërndajë të mirat materiale vetëm te shtresa e tyre. Arsimi ka rënë në kuotat më të ulëta dhe niveli i të paditurve funksional është frikshmërisht i madh.
Ben Antoni
…
Në këtë hulli jetojnë dhe punojnë shqiptarët e thjeshtë, të cilët u duhet t’u mbijetojnë situatave të ndryshme. Fillimisht, të mposhtin informalitetin për të cilin kontribuojnë të gjithë dhe pamundësinë që u jep shpërndarja jo e drejtë e gjërave në vend.
Në Shqipëri është e vërtetë që kapitali human, referuar BB, është më i vlerësuar sepse burimet e tjera janë pjesë e përvetësimit nga pakica që ka në dorë fatet e vendit. Duhet shtuar këtu edhe makutëria e shumicës së pronarëve të rinj që ka ende në kokë urrejtjen e komunistëve për pronat, duke përvetësuar pronat reale dhe duke i kthyer pronarët realë në skamnorë dhe lypës të pronës së tyre.
Dhe ndodh, që falë këtij realiteti, 1 milionë shqiptar, referuar Bankës Botërore jetojnë me më pak se 500 Lek në Ditë (E Euro), ndërsa një masë e madhe dëshiron të ikë nga vendi. Po a ka vallë ndonjë parametër të faktit sesa kushton një shqiptar? Për patetikët nuk ka, por në realitet jeta e shqiptarit vlen gjithnjë e më pak…Ndaj shqiptarët lindin gjithnjë e më pak dhe Shqipëria po bjerret nga shqiptarët.
Për këtë duhen pyetur më mirë politikanët që duan të amnistojnë pasuritë e tyre apo gjyqtarët që u kanë marrë drejtësinë njerëzve apo ata që kanë përvetësuar pronën publike…
Ky është paradoksi shqiptar i kohëve moderne të Demokracisë së shekullit XXI. Në ndihmë dalin matricat matematike të ekonomistëve që i japin një vlerë jetës së shqiptarit, e cila në fakt nuk i përgjigjet asfare realitetit ku jetojmë. Sa vlen realisht një shqiptar?
Gazeta Shqiptare