Saimir Tahiri foli sot edhe për 10 deputetë të majtë e të djathtë që bënë pazare per ligjin e lojrave të fatit. –

03/05/2018

Saimir Tahiri foli sot edhe për 10 deputetë të majtë e të djathtë që bënë pazare per ligjin e lojrave të fatit.

“Edhe kur mbyllëm lojërat e fatit, prapë u akuzova unë, Kryeministri dhe gjithë qeveria. 150 milion euro fitim në vit nga lojrat e paligjshme të fatit per vite e vite me radhë duke rrjepur familjet shqiptare, që për llogari është shumë më shumë sesa i gjithë kultivimi i hashashit, e prapë kur i mbyllëm, po ne u akuzuam. Unë e qeveria ku unë shërbeva. Por ndërkohë që në parlament është bërë sherr në skenë për 4 vjet, poshtë në korridoret e errëta të parlamentit u bënë bashkë 10 vetë pa dallim partie që gjetën konsensus për të mbajtur peng sirtareve për afro 4 vjet ligjin e lojërave të fatit…”, tha ai.

Por kush janë ata?.

Mapo.al sjellë një kronologji dhe emrat e tyre.

Në fund të vitit 2016, në mënyrë të beftë, një muaj para afatit për zhvendosjen e lojërave të fatit në zonat periferike, 6 deputetë të parlament depozituan një amendament ku kërkohej që afati të shtyhej me katër vjet. Deputetët firmëtarë ishin Ervin Bushati, Ervin Koçi, Blerina Gjylameti, Luan Duzha, Ylli Shehu dhe Tahir Muhedini.

Këta ishin 6 deputetet që e firmosën kërkesën, por mbështetës të saj më pas u bënë edhe deputetë të tjerë. Komisioni i Ekonomisë I drejtuar nga Erion Brace miratuan propozimet. I ftuar në këtë komision për të dhënë shpjegime ishte edhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili i kishte mbështetur propozimet e reja përmes një shkrese zyrtare depozituar në komision.

Po Rama, çfarë tha asokohe: “Nuk kam ndryshuar unë mendim dhe nuk jam unë kontrollori i bixhozit. Unë jam që në Shqipëri nuk duhet të ketë fare salla lojërash, por në këtë pozicion s’jam mazhoritar. Nuk jam unë, shumicë e mjaftueshme për ta bërë këtë ndryshim”.