27 Shkurt 2025

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë një ftesë zyrtare nga Unioni Internacional Demokratik (IDU) për të marrë pjesë në Forumin IDU 2025, që do të mbahet në Bruksel nga data 14 deri më 16 maj.

Ftesa është bërë nga ish-kryeministri i Kanadasë dhe kreu i IDU, Stephen Harper, i cili vlerëson rolin e Partisë Demokratike si një shtyllë e qendrës së djathtë globale dhe angazhimin e Berishës në mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë.

Në letrën e tij drejtuar Berishës, Harper shpreh mirënjohjen për përpjekjet e Partisë Demokratike kundër autoritarizmit dhe thekson rëndësinë e këtij forumi për forcimin e bashkëpunimit mes partive konservatore në demokracitë në zhvillim.

“Forumi IDU 2025 do të mbledhë liderë politikë dhe mendimtarë nga më shumë se 80 parti anëtare për të diskutuar sfidat globale, për të ndarë praktikat më të mira dhe për të forcuar marrëdhëniet midis partive të qendrës së djathtë,” – thuhet në ftesën e Harper.

Ftesa e plotë:

I nderuar Dr. Berisha,

Po ju drejtohem sot, në cilësinë e Kryetarit të International Democracy Union (IDU), aleancës globale të partive të qendrës së djathtë, për t’ju ftuar të merrni pjesë në eventin tonë të ardhshëm në Bruksel këtë vit. Ne jemi mirënjohës ndaj Partisë Demokratike të Shqipërisë për kontributin e saj si një shtyllë e familjes sonë globale të qendrës së djathtë dhe ju falënderojmë për qëndrimin tuaj të palëkundur në betejën globale për mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë kundër kërcënimit të vazhdueshëm të autoritarizmit.

Këtë maj, teksa organizojmë Forumin IDU 2025 në Bruksel, jemi të entuziazmuar të mbledhim së bashku ligjvënës konservatorë, drejtues partish dhe mendimtarë nga më shumë se 80 parti anëtare për të forcuar marrëdhëniet, për të ndarë praktikat më të mira në fushatat zgjedhore dhe qeverisje, për të ndërtuar ura bashkëpunimi me partitë në demokracitë në zhvillim dhe për të trajtuar sfidat globale të kohës sonë.

Dr. Berisha, ju ftoj sinqerisht të merrni pjesë në Forumin IDU në Bruksel nga data 14 deri më 16 maj. Jam i bindur se flas në emër të të gjitha partive anëtare të IDU-së kur them se prania juaj në këtë Forum do të ishte një kontribut i jashtëzakonshëm për agjendën tonë dhe për misionin tonë të përbashkët për promovimin e konservatorizmit, lirisë dhe demokracisë në nivel global.

Me respekt të veçantë,
Rt. Hon. Stephen J. Harper, P.C.,C.C.
Kryetar, International Democracy Union
Kryeministër i 22-të i Kanadasë

Nga: Balkanweb