Sander PROSI – Aktor i suksesshem dhe i paharruar. –
Me talentet në përgjithësi, e me ato të artit në veçanti, jo rrallë ndodh që, ato të kishin filluar një arsimim, madje edhe mund t’a kishin mbaruar atë, por jo në drejtimin ku më vonë do të bënin emër. Ky rast ka ndodhur edhe me Sandër Prosin, aktorin e famshëm të teatrit dhe të kinematografisë shqiptare. Ai lindi në vitin 1920 ne nje familje vendase.
Arsimin fillor e të mesëm, Sandri e kreu po në Tiranë. Që herët, kishte prirjet e artistit, i binte violinës dhe merrte pjesë në grupet artistike. Shfaqja e dramës së Frederik Shilerit, e përgatitur nga gjimnazistët, e ku ai do të luante rolin e Vilhelm Telit, nuk u lejua nga autoritetet italiane të kohës për shkak të situatave politike.
Në vitin 1942, ai niset për të studiuar në Universitetin e Vjenës, por nuk arriti të bëhej stomatolog. U kthye në Shqipëri pas dy vjetësh për shkak të turbullirave të luftës botërore. Në pamundësi për të shkuar përsëri në Austri dhe duke mos tradhtuar pasionin për skenën; pas luftës, ai ju nënshtrua një konkursi të organizuar për zgjedhjen e aktorëve. Falë talentit dhe aftësive të tij, më tutje dhe përfundimisht, mori rrugën e aktorit, ku pati mësues dhe kolegë të tij emra të njohur të teatrit si A. Pano, M. Logoreci, N. Frashëri e të tjerë.
Duke punuar me pasion e këmbëngulje gjatë 40 vjetëve të karrierës së tij, që e nisi më 1947 në Teatrin Popullor të Tiranës (sot Teatri Kombëtar), Sandri u bë një nga individualitetet dhe personalitetet më të shquara të artit tonë skenik e kinematografik. Krijimtaria e tij përçohej nga pasioni dhe serioziteti, çka admirohesh gjithnjë prej kolegëve të vet; ai bëhej një me personazhin që interpretonte. Duke mos i ndarë rolet në të mëdhenj e të vegjël, Sandri i bënte atyre të njëjtin shërbim. Krahas qartësisë së mendimit dhe shprehjes plot vërtetësi së ngarkesës emocionale, te ai spikaste dukshëm edhe aftësia për të evidentuar frymën popullore e kombëtare.
Suksesi si aktor lidhet në rradhë të parë me karakterin e thellë popullor të artit të tij. Vetitë fizike që kishte Sandër Prosi, trupi i drejtë, pamja fisnike e me një nur skenik, vështrimi i ngrohtë, plastika dhe forca e fjalës së tij, si dhe zëri i veçantë, i dhanë atij përmasat e një aktori të madh dhe që i vjen rrallë skenës shqiptare.
Kolegët e tij tregojnë se ai kishte nje lidhje të çuditshme me personazhin, duke përfituar në këtë mënyrë ndjesi të tilla që shkriheshin direkt me rolin. Ai njihte mirë rrugët e zbërthimit
mjeshtëror të personazheve, para se të vishte petkun e tyre. E me këto tregues, Sandri, nga roli i tij i parë, ai i Shaqir Agës te komedia ”Prefekti”, është realizuesi i shumë të tjerëve në veprat e autorëve vendas e të huaj. Ai ka luajtur në dramat “Toka e jonë”, “Procesi i Laipsigut”, “Orët e Kremlinit”, “Hamleti”, Otello”, “Doktori pacient”, ”Luiza Miler” e në sa e sa të tjera.
Me të njëjtin formim e mentalitet, duke shtuar edhe shikimin e thellë, të folmen e prerë dhe zërin e ëmbël; në vitin 1961, ai u angazhua edhe në kinematografi. Ishte mjaft i suksesshëm që me rolin e parë, atë të drejtorit të shkollës në filmin ”Debatik”. Por ky do të ishte vetëm fillimi; veç të tjerëve, janë të paharruara interpretimet e Sandrit në filmat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Nëntori i dytë”, “Udha e shkronjave”, ”Në fillim të verës”, “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Yjet e netëve të gjata”, “Oshëtimë në bregdet”, “Plumba perandorit” e të tjerë.
Krahas profesionalizmit të tij të lartë, njëherësh, ai ishte jo vetëm artist i madh, por, me tiparet e tiranasit, edhe burrë i mirë e i ndershëm; shëmbëlltyrë e njeriut simbol të punëtorit të palodhur dhe, për më të rinjtë, i mësuesit të aftë. Edhe vdekja e tij, më 24 mars 1985, atëherë kur ai mund t’i jepte ende skenës dhe ekranit, erdhi kur Sandri ishte në krye të detyrës duke xhiruar metrat e fundit të filmit ”Pranverë e hidhur”.
Megjithëse është nderuar me titullin ”Artist i Popullit”, me Çmime të Republikës dhe me Urdhëra e Medalje, duke u konsideruar si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës e të kinematografisë shqiptare, ndoshta ai nuk ka marrë ende atë që i takon. Bilanci i tij është i shkëlqyer në sasi e në cilësi; numërohen mbi njëqind role të interpretuara me mjeshtri në teatër e në kinematografi.
Niveli i lartë aktorial bëri që asnjëri prej tyre të mos i ngjajë tjetrit; ata ishin të ndryshëm dhe për këtë u bënë mjaft popullorë e të pëlqyer. Kujtohet mjeshtëria e tij e papërsëritshme në personazhet e Dhaskal Todrit, të ]aho Labit e të Ismail Qemalit, që të tre të hapësirave
kombëtare, por të natyrave krejt të veçanta: të mësuesit, fshatarit e politikanit e të vlerësuara aq shumë nga specialistët e nga publiku. Galerinë e roleve të Sandrit e përshkojnë realizmi i thellë, qartësia e mendimit ngarkesa emocionale plot vërtetësi dhe larg çdo skematizmi e loje të jashtme.
Si aktor i papërsëritshëm, ai ka zënë vendin e merituar në panteonin e kulturës kombëtare. Në një portret kushtuar atij, piktori e paraqet atë me një shall të hedhur në mënyrë të shkujdesur, të menduar, me flokë të shpupurisur dhe vështrim të thellë fshehur pas syzeve, sikur ende kërkon të thotë diçka.
Burimi “Tirana”.