Saxa et documenta loquuntur (Gurët dhe dokumentet që flasin): Belas-Belasicë, qytet mesjetar i harruar i Kosovës!

Nga: Jahja Drancolli-Prishtine.

Më ndihmën e kolegëve të mi, MA. sc. Ermal Gashi, Prof. Afrim Azemi, dhe nxënësit Xheladin Azemi (korrik 2014), nxorrëm në dritë vetëm një donzhon (kullë të madhe), si dhe shumë gërmadha e strukturat e ndërtimeve të dikurshme që mund të vërehën me lehtësi. Donzhoni, i cili qëndron i lodhur në këmb, shoqërohet nga disa shtëpia të braktisura e të ndërtuara nga gurët e fortifikatës së Belasicës. Aktualisht, Belasica (35 km në veriperëndim nga Podujeva) konsiderohet për lagje të fshatit Murgull.
Gjurmët e rrënojave dhe strukturave të mbetura të qytetit dhe fortifikatës shpiejnë në një vertikale të thellë historike, së paku në shek. VI, kur e kishte ndërtuar Justiniani I (527-565), siç njoftonte Prokopi, një historian i madh i kohës. Sipas tij, është e njohur se, gjatë sulmeve dhe dyndjeve avare e sllave, edhe në krahinën e Llapit janë ndërtuar dhe rindërtuar disa qytete të fortifikuara, por shumë pak të njohura nga shkenca jonë. Nga aspekti onomastik mund të dyshohet se, Belas (Belasica e sotme) dhe Laberioni janë dy prej tyre, që ishin ndërtuar në atë kohë. Ndërsa, ishin rindërtuar po në atë kohë edhe Besiana e Labutza për të cilat gjithashtu mund të dyshohen se i përkisnin trevës së Llapit të sotëm. Këto të dhëna të sipërme konsiderohen edhe si lajme të para, që ndërlidheshin me rrënojat e Belasicës së sotme, e cila përgjatë viteve 1423-1448, në burime raguzane njihet me emrin Bilassiza, Bilassiça, Bielasiza, Bilassica, Bilasiza, Ballasiza, Bilaziza.


Një veçori karakteristike e trevës ku gjendën sot rrënojat e Belasicës, ishte ekzistimi i rrjetit të pasur të rrugëve antike, të cilat lidheshin shumë lehtë me rrugët kryesore ballkanike. Kjo pasuri, kishte mundësuar që rajoni në fjalë të zihet ngojë shpesh edhe gjatë periudhës mesjetare, edhe pse këtë periudhë historike e karakterizonte mungesa e burimeve historike. Është për t`u theksuar se një pjesë e rrugëve lidheshin bukur mirë edhe me qytetet miniera të krahinës së Llapit, Shalës së Bajgorës dhe Kopaonikut. Në këtë kontekst gjatë mesjës përmendet edhe Rruga e Llapit e cila është zgjatur deri në Belabërdë, Mitrovicë dhe Trepçë.
Studimet tona të deritanishme kanë identifikuar së paku rreth 1200 gropa të minierave të shtresuara në arealin e Belasicës, pjesa e madhe të cilave mund të shihen edhe sot.
Njoftime më interesante, por edhe më sasiore për Belasicën ndeshim në regjistrat e akivave të Republikës së Raguzës, dhe pikërisht në ato regjistra ku bëhet fjalë për emërimin e konsujve raguzanë lidhur më zgjedhjen kontesteve për çështje të tyre pronësore në këtë qytet. Në qarkun kohor të viteve 1423-1448, Qeveria Raguzane kishte emëruar 11 konsuj të cilët shoqëroheshin me 22 gjykatës nga radhët e raguzanëve, të cilët jetonin në Belasicë ose në vende të afërta. Konsujtë dhe gjykatësit, zakonisht zgjidheshin nga bujaria ose nga qytetarët e shquar raguzanë. Nga gjithësej 11 konsujë, gjashtë herë janë caktuar nga radhët e bujarisë, pjesëtarë të familjes arbërore Krosi, dhe katër herë nga familja arbërore, Gjurkaj, të cilët i ndeshim edhe në qytetin e Trepçës. Nga 20 gjykatës të zgjedhur, pjesa më e madhe e tyre ishin qytetarë të shquar të Belasicës, ndërsa, pjesa tjetër ishin qytetarë raguzanë të vendosur këtu dhe në vende të tjera, si, në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës. Përveç jetës konsullore – diplomatike, vëllëzerit Krosi dhe Gjurkaj, u morën edhe më tregëti të argjendit gllamë (argenti cum auro), dhe më atë të argjendit të bardhë (argenti albi), lloje këto të argjendit me të cilat zotëronte me shumicë Belasica dhe rrethet e saj.


Qyteti i moçëm i Belasicës, ndryshe prej disa qyteteve të tjera, të cilat pësuan rënd nga sulmet osmane (1455), ai duke zotëruar pozitë të mirë gjeo-strategjike vazhdoi jetën edhe në dy shekujtë e parë të kohës osmane. Atë e ndeshim, edhe më tej në deftere të Sanxhakut të Vuçiternës dhe Sanxhakut të Prizrenit. Në këtë kontekst, minierat e qytetit në fjalë janë shfrytëzuar maksimalisht, sa që sipas një njoftimi nga koha e sundimit të Sulltan Sulejmanit të Madhërueshëm (1530/31), nga prodhimi i minierave të qytetit, lartësia e të ardhurave arrinte deri në 73.000 akçe, pasuri kjo bukur e lakmueshme për kohën.
Nga shëtia jonë historiko-arkeologjike mund të konstatohet se, në një sipërfaqe prej 250-300 m, në këmbë ka mbetur vetëm një donzhon (kullë të madhe, në 7-8 m, lartësi), si dhe shumë gjurmë të rrënojave e objeteve të ndyshme, të cilat së bashku me dokumentet arkivore dëshmojnë për një qytet të rëndësishëm mesjetar të Kosovës.