Sekreti i fundit i Van Gogh, eksperti: Ja si vdiq. Kartolina që hedh dritë mbi veprën e përfunduar ditën e vetëvrasjes
Sekreti i fundit i Van Gogh, eksperti: Ja si vdiq. Kartolina që hedh dritë mbi veprën e përfunduar ditën e vetëvrasjes
Zbulohet sekreti i pikturës së fundit të Vincent van Gogh. Edhe pse 130 vite larg nga vdekja e tij, piktori i madh holandez rezervon ende surpriza. Në Auvers-sur-Oise, siç shkruan “Le Parisien”, një nga specialistët më të mëdhenj botërorë të Van Gogh, Wouter Van der Veen, ka zbuluar vendin ekzakt që frymëzoi veprën e tij të fundit piktorike “Rrënjët”, “Racines d’arbres”.
Një zbulim ky, siç saktëson gazeta, që hedh dritë edhe mbi orët e fundit të jetës të artistit, që e mbylli jetën në një mënyrë tragjike më 29 korrik të vitit 1890.
Lajmi është zbuluar nga “Auvers” në Institutin Van Gogh të Amsterdamit, në kuadër të përvjetorit të vdekjes së tij. I pranishëm ka qenë edhe një pasardhës i largët i piktorit, siç raportojnë mediat e huaja. Siç ndodh shpesh, zbulimi erdhi si pasojë e një sërë situatash rastësore të njëpasnjëshme. Gjatë periudhës së izolimit për shkak të pandemisë së COVID-19, drejtorit të Institutit të Van Gogh iu desh të qëndronte i mbyllur në shtëpi. “Në ato rrethana nisa të vendos pak rregull.
Disa muaj më parë kisha skanerizuar disa kartolina të vjetra të viteve 1900-1910, të cilat i përkisnin një zonje të vjetër të Auvers. Në ekran u shfaq njëra prej tyre, me një çiklist që kishte ndaluar në anën e një shtegu, që sot quhet rruga ‘Daubigny’.