Sapa u zgjodh të bëhej ipeshkvi për arsye se ishte një qytet i rëndësishëm i atyre kohërave.
Në kohë të Hahnit, d.m.th. në vitet 1860, qytetit i Sapës lokalizohej në rrëzë të Malit të Shën Mëhillit dhe në një përshkrim të vitit 1685 thuhet se lokalizohej përbri malit të Shën Ejllit, ku, në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit, dalloheshin akoma disa teprica të vjetra muresh.
Ka shumë mundësi që qyteti të ketë qenë në mes të dy maleve, malit të Shën Mëhillit dhe malit të Shën Ejllit, në një zonë fushore ku i thonë Fusha Frange, te Guri i Sumës në Tanushë, sidomos në lagjen Bardhaj, ku gjendej atëherë ipeshkvia.
Duhet theksuar se mali i Shën Mëhillit dhe mali i shën Ejllit nuk janë dy male por një mal i vetëm. Mali i Shën Mëhillit thirrej ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Mëhillit ndërsa Mali i Shën Ejllit ai krah ku ka qenë Kisha e Shën Ejllit. Kisha e Shën Ejllit thuhet se ka qenë në majë të Shitës së Hajmelit, ku, në kohën që shkruan Dom Gaspër Gurakuqi, ka qenë i ndërtuar vetëm një elter dhe disa teprica muresh.
Selia ipeshkëvnore e Sapës, përpara ka qenë te Kisha Katedrale e Shën Mëhillit. Përpara, më shumë se 100 vjet, në këtë Kishë thuhej mesha me rastin e të kremtes së Kryeengjëllit Mëhill. Kjo Kishë ka qenë famullitare, sepse në të thuhej mesha dhe bëheshin funksionet deri sa një pjesë e pat rrënuar turku, pak para ipeshkëvit Gjergj Palma (1583). Këtu kanë qenë edhe varrezat e famullisë së Nënshatit, gjë kjo që vërtetohet se edhe një prej lagjeve të Nënshatit, Skarramani, para 100 vjetësh, i shtinte aty të vdekurit e vet.
Pas kësaj selia ipeshkvnore u ngulit në Shkrep të Nënshatit, përbri Kishës së Shën Gjergjit, e cila me kohë pati mbetur Kishë Katedrale dhe famullitare.
Ipeshkvi Severini e shpërnguli përsëri ipeshkvinë, dhe rreth vitit 1860, e vendosi aty ku ka qenë më parë, dhe funksionoi deri në vitin 1967, dhe nuk funksionoi më pas këtij viti e deri më sot, pra me fjalë të tjera rrëzë malit të Shën Mëhillit ku pati qenë lagja Bardhaj.
Qyteti i hershëm i Sapës është zhdukur, por selia ipeshkvnore e Sapës ka arritur të mbijetojë dhe në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit numëronte 16.234 katolikë me 22 famulli, 9 në Pukë: Dush, Kçirë, Qelëz, Koman, Iballë, Berishë, Kryezi, Dardhë, Fierzë; 13 në Zadrimë: Laç, Naraç, Hajmel, Nënshatë, Troshan, Blinisht, Kodhel, Gjadër, Dajç, Babë (Mabë), Pistull, Plezhë (Shkjezë).
Ndër famullitë e Pukës, tri zotëroheshin prej Etërve Françeskanë (Berishë, Iballë, Fierzë), si dhe famullia e Troshanit në Zadrimë. Famullitë e tjera, që të gjitha zotëroheshin prej famullitarëve dioçezan të dioçezës. Kodheli administrohej prej famullitarit të Nënshatit, ndërsa Plezha prej atij të Pistullit. Në Troshan ndodhej Kuvendi i Françeskanëve, ndërsa në Nënshatë ai i Stigmatineve. Ishin dy dekanate: një në Dajç për fushën e Zadrimës dhe një në Qelëz për krahinën e Pukës. Selia ipeshkvnore ndodhej si gjithherë në Nënshatë, ku dikur ishte qyteti i Sapës. Statistika më e hershme që dihet deri më sot është ajo e Shtjefën Gasparit, Vizitator Apostolik (1671), ku përmblidhet se dioçeza e Sapës në atë vit numëronte 1.075 shtëpi me 9.226 katolikë. Më vonë kemi statistikat e imzot Borçit (1832–1834) ku shkruan se dioçeza ka 2.024 shtëpi katolike dhe me 15.492 frymë. Së fundi statistikat e imzot Nevjanit 1893, numëron 17.550 frymë. Duke e krahasuar statistikën e Nevjanit me atë të kohës së Gurakuqit, popullsia duket në mungesë të madhe, gjë e cila s’është e vërtetë, sepse statistika e fundit nuk përfshinte Grykën e Gjadrit, Shllakun dhe Mazrrekun, që pas Nevjanit i’u shkëputën kësaj dioçeze dhe iu bashkangjiten dioçezës së Shkodrës. Në kohën e Nevjanit këto përbënin një popullsi prej 1.213 frymësh.
Në kohën e Dom Gaspër Gurakuqit, dioçeza kishte një sipërfaqe prej 1.270 km2. Për kufij kishte nga veriperëndimi lumin Drin dhe nga juglindja dioçezat e Mirditës dhe të Lezhës.
Duhet theksuar se, kur qe themeluar dioçeza, nuk ka qenë me këta kufij që përmendëm, por ka qenë shumë më e vogël. Në kohën e themelimit të dioçezës së Sapës qenë formuar dhe dioçeza e Dejës dhe shumë më jetike se këta të dyja ipeshkëvia e qytetit të Sardës.

Ne foto: Kisha dhe Manastiri sot ne Nenshat.

Ipeshkvijtë e Sapës

Radha e ipeshkvijve të dioçezës së Sapës fillon me Pjetrin me 11 Qershor të vitit 1291. Ndoshta edhe për mungesë dokumentash ose për arsye të tjera, kjo nuk dihet, radha shkëputet për pak kohë.
Më i pari pas Pjetrit qe vënë Pali, nuk dihet se në cilin vit. Sipas një dokumenti të Papës Gregori XI në vitin 1376 pas Palit, në dioçezën e Sapës emëron Benevenulin, i urdhërit françeskan. Ky e mbajti selinë për 20 vjet.
Pas tij Bonifaci I emëron më 1386 Pjetër Zakarinë. Pas Pjetrit vjen Nikolla, më 1414. Ky qe viti kur Koy Zakaria u kthye në Kishën Romake. Pas Nikollës, në Mars 1422, u emërua Mikeli, kanonik i Kishës së Sapës.
Në Korrik të vitit 1425 u zgjodh Pjetri III, i cili qe abat i Shën Sergjit të Bahut në Dioçezën e Shkodrës.
Këtij i qe dhënë dhe një manastir në dioçezën e Drishtit, që siç dukej duhet të ketë qenë manastiri i S. Joannis de Strilalio, sepse ky manastir i qe dhënë edhe Mateut, pasuesit të tij për arsye se dioçeza e Sapës kishte të ardhura tepër të pakëta.
Mateu i përkiste familjes Hermollaji në Arbëri. Kjo familje i kishte dhuruar dioçezës së vet 6 ipeshkëvij. Edhe ky qe dërguar në dioçezën e vet, të Arbërisë më 1446, pasi një vit më parë duke u ndodhur në Itali kishte marrë pjesë në Konçilin e Firences.
Pas Mateut, prej Eugenit IV, qe zgjedhur Gjergji, arqiprift i Kishës S. Michaelis de Plebe në Padovë. Deri më 1451 Gjergji sundonte dioçezën e Sapës. Me 1460 qe sjellur këtu Emanueli nga Shkodra, që s’dihet se sa sundoi. E ndoqi një anonim. Me 1472 ky anonim qe dërguar tjetërkund dhe në vend të tij qe sjellur Marin Suma, në vitin 1473.
Marini qe liruar nga pagesa e tagrit të Papës duke qenë se Kisha e Sapës ishte rrënuar dhe shkatërruar prej turqve.
Pas Marinit i qe dhënë ipeshkvia Gabrielit, françeskan më 1479, por ipeshkëv nuk u bë, sepse duket se nuk e pranoi.
Në mbarim të Nëntorit 1489, Sapa shkoi nën administrimin e dioçezës së Lezhës, nën Blasin, i cili u vu ipeshkëv atë vit në atë seli. Kjo nuk zgjati shumë, sepse në janar të vitit 1490 Sapës iu dha ipeshkëvi i vet Prosdoçimi. Me këtë ipeshkëv u bë bashkimi i përjetshëm i Sardës me Sapën në vitin 1491. Prosdoçimi vdiq më 1500.
Më 1501 emërohet Pjetër Stërbinja.
Më 1508 pas Pjetrit në seli vjen Domenik Garcia, françeskan.
Më 1512 Ambroz Montesini.
Më 1513 Gjergji.
Më 1514 u zgjodh Didak Fernandes, domenikan.
Më 1516 Anonim, ndoshta Pjetër Tallors.
Më 1518 pas tij Joannes Bonaventura de Valderame.
Më 1521, u zgjodh Alfons Cavalciri, françeskan.
Më 1502 ndoshta për shkak se Sulltani u bë zot i gjithë Shqipërisë, për 50 vjet rresht dokumentet heshtin për ipeshkvijtë e Sapës.
Më 1578 heshtjen e then Jossol Bardhi, i shtëpisë së Bardhajve të Sapës.
Ipeshkvijtë që i dha dioçezës shtëpia e Bardhajve janë: Jossol Bardhi, Nikoll Bardhi, Gjergj Grili ose Bardhi, dhe Frang Bardhi.
Më 1583 kanonik dhe primiçer i Metropolit të Tivarit, Gjergj Palma, u bë ipezhkëv kur kishte moshën 50 vjeç.
Më 1594, u zgjodh Nikollë Bardhi, i kërkuar edhe nga populli. Në vitin 1620 u zgjodh ipeshkëv Simon Gjeçi, i lindur në dioçezën e Arbërisë.
Më 1621 e merr selinë Pjetër Budi.
Më 1623 pas Budit del përsëri një i shtëpisë së Bardhajve Gjergj Grili, i biri i të vëllait të Nikollë Bardhit.
Më 1635 u zgjodh Frang Bardhi.
Me vdekjen e Frang Bardhit kërkoi të vinte përsëri Gjergj Grili dhe qe sjellë në seli në vitin 1644.
Më 1647 vjen Simon Suma. Me të ardhur në Sapë u detyrua të largohej, sepse në atë kohë zhvillohej lufta e Kretës mes turqve dhe venedikasve. Më 1625 Simoni hoqi dorë prej dioçezës.
Në këtë kohë që mungonte Simoni, administrimin e Sapës e mori dioçeza e Lezhës. Simoni u kthye përsëri në dioçezën e tij dhe qe zënë prej turqve në vitin 1659.
Më 1673 në dioçezë vjen Shtjefën Gaspari.
Më 1682 në dioçezë vjen Martin Jeliç dy vjet pas vdekjes së Shtjefnit.
Më 1685 Gjergj Teodori.
Pas tij vjen Egidius Quincus ose De Martino.
Ky u gjet ne Konçilin e vitit 1703. Papa Klementi XI e zgjodhi ipeshkëv të Sapës më 1707.
Më 1719 qe vënë Marin Gjini.
Më 1720 Gjon Gallata.
Më 1738 Vasil Lindi.
Më 1746 Lazër Vlladanji që më 1749 qe dërguar në Tivar.
Më 1750 Gjergj Vlladanji.
Me 5 Gusht 1765 Nikollë Lindi.
Pas tij Gjon Logoreci.
Më 1796 Ndoc Radovani.
Pas tij vjen Mark Negri.
Më 1822 Lekë Suma.
Më 1827 Lazër Vlladanji.
Më 1829 Pjetër Borçi.
Më 1840 Gjergj Labella. Ky pati një konflikt me Pjetër Zarishin.
Pas Labella, me 01. 02. 1845, në seli vjen Pjetër Severini.
Me këtë ipeshkëv është e përcjellur edhe një statistikë mbi famullitë e dioçezës së Sapës.
Më 1783 Giulio Marsilli, françeskan
Më 1890 Lorenc De Petris.
Më 1893 Gabriel Nevjani, françeskan.
Pas tij Joakin Serreqi, françeskan, që nuk pranoi dhe në vend të tij qe sjellë Lazër Mjeda.
Pas tij Jakë Serreggi.
Me 21 Qershor 1911 – Gjergj Koleci.
Më 1928, Gaspër Thaçi. (Administrator Apostolik).
Me 13 Qershor 1928 – Zef Gjonali.
Pas Gjonalit, më 1935 Vinçens Prendushi.
Më 1940 Gjergj Volaj. Ky ishte ipeshkëvi i fundit i dioçezës së Sapës që arriti të shkojë deri në vitin 1947. Në atë vit ky u pushkatua dhe dioçeza mbeti pa ipezhkëv dhe kaloi nën administrimin e ipeshkëvit të Shkodrës deri në vitin 1967. Pas këtij viti dhe deri më 1993, ipezhkëvia mbeti pa ipeshkëv dhe pa administrim.

* Këto të dhëna janë marrë nga libri i Dom Gaspër Gurakuqit: “ Dioçezi i Sapës ”, botuar në vitin 1941.